Vera Bekteshi: Heshtja është thyer, burrat të mendohen mirë para se të ngacmojnë

Publikuar më 05. 02. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Shkrimtarja rrëfen se si femrat shqiptare shfrytëzoheshin seksualisht në kooperativa dhe ndërmarrjet shtetëroret gjatë sistemit komunist. Sipas saj e drejtë është, që abuzuesit të paguajnë fort për padrejtësinë e ushtruar ndaj grave, ashtu si kanë paguar gratë duke kapërdirë ndjenjën e fajit, ofendimin, lëndimin bile edhe neverinë

“Më në fund gratë thyen heshtjen e gjatë. Këtej e tutje burrat e fuqishëm, ata që mendojnë se u lejohet gjithçka, do mendohen mirë para se ta kryejnë ngacmime seksuale”. Ky është mendimi i shkrimtares Vera Bekteshi, e cila rrëfen në këtë intervistë për gazetën “Shekulli”, se si ka ndryshuar situata në Shqipëri, përsa u përket abuzimeve seksuale, nga komunizmi deri në ditët e sotme, në demokraci. Sipas saj, e drejtë është, që abuzuesit të paguajnë fort për padrejtësinë e ushtruar ndaj grave, ashtu si kanë paguar gratë duke kapërdirë ndjenjën e fajit, ofendimin, lëndimin bile edhe neverinë. “Në kooperativa, por edhe në ndërmarrjet shtetërore, siç thuhej, kishte një lloj shfrytëzimi të shëmtuar të grave dhe vajzave të reja për shkak të varfërisë së madhe, gjë që unë personalisht nuk e justifikoj. Ndërsa, sot duhet mposhtur frika, në radhë të parë për veten, për të mos jetuar me brengën e dhunimit, por edhe për ta ndëshkuar dhunuesin e për t’u prerë rrugën të tjerëve”.

Zonja Bekteshi, rastet e fundit për ngacmimet seksuale, që kemi dëgjuar nga Hollivudi kanë qenë të shumtë, ndërsa personazhet janë ndarë në pro dhe kundër… Cili është mendimi juaj për këtë situatë?

Ka kohë që dëgjohet dhe po trajtohet botërisht tema e ngacmimeve seksuale. Imagjinoni që kjo nuk kurseu as një institucion – shtet aq të fuqishëm dhe të fortifikuar si Vatikani. Janë tashmë tre Papë që u detyruan të bëjnë mea culpa-n si përfaqësues të kishës katolike. Tani me sa duket i ka ardhur radha Hollivood-it. E pse jo, nga të gjitha anët është vendi ku këto ngacmime kanë probabilitetin më të lartë për të ndodhur, gjë që nuk përjashton aspak faktin se në një vend tjetër ku lëvrohet shkenca apo teknika e sofistikuar mund të ndodhin të njëjtat fenomene. Por këtë radhë janë gratë që akuzojnë. Jo më vonë se dje Monica Belucci, me rastin e marrjes së një çmimi të karrierës në Hollyvood, në qendër të këtij diskutimi, tha se “Më në fund gratë thyen heshtjen e gjatë”.

Mendoni se po abuzohet me këtë temë për të rritur famën?

Lidhur me këtë pyetje, edhe ka vend për ndonjë abuzim lidhur me famën, tashmë bëhet tregti me gjithçka, mund të ndodhë që të digjet dhe ndonjë i pafajshëm, duke u ndëshkuar pa prova,  por gratë thyen heshtjen e gjatë dhe kjo gjë le të shpresojmë se do të ketë një të mirë të madhe: Këtej e tutje burrat e fuqishëm, ata që mendojnë se u lejohet gjithçka, do mendohen mirë para se ta bëjnë atë hap.

Sipas jush, përse personazhet e Hollivudit kanë rrëfyer për ngacmimet, që kanë pasur  vite vonë, përse frika e personazheve të Hollivudit është kaq e madhe?

Nuk marr dot përsipër të bëj ndonjë analizë të thellë psikologjike, por pak a shumë duket se aktoret kanë heshtur për vite ndoshta edhe për të mos dëmtuar karrierën e tyre. Pastaj duhet të kemi edhe një gjë tjetër parasysh; në këto 20 vitet e fundit, në shoqërinë njerëzore janë bërë ndryshime aq të mëdha sa që më parë do të kërkonin shekuj, bota është hapur përgjithësisht, dhe zëri i grave është fuqizuar, veçanërisht në vendet me demokraci të zhvilluar. Gjithsesi akti i denoncimit herët apo vonë është i lavdërueshëm dhe i shërben gjithë shoqërisë.

Cili është mendimi juaj për ngacmimet seksuale gjatë punës, por jo vetëm?

Së pari, në mënyrë të heshtur kemi bërë pa dashje marrëveshjen se ngacmimi seksual vjen nga burrat tek gratë ose burrat tek burrat, por jo në drejtimin e kundërt pra nga gratë tek burrat, gjë që edhe kjo vlen për t’u diskutuar, por jo sot. Gjithnjë kam pasur mendimin se burrat me pushtet (për të cilët po flasim dhe që bëjnë ngacmim të favorizuar nga ky pushtet) ndahen në dy grupe të mëdha, në ata që do t’i konsideroja inteligjentë dhe që për fat të keq janë pak, dhe në shumicën, që u erren sytë dhe u duket se bashkë me pushtetin u lejohet çdo gjë ku futet jo vetëm përvetësimi i parave por edhe përdorimi i jetës  së të tjerëve. Të parët pra inteligjentët, edhe pse ia kanë arritur të kenë pozitën e lakmuar, përdorin barriera mendore, shpirtërore dhe fizike për të mos kërkuar favore seksuale, edhe kur presioni është i madh. Të dytët bëjnë atë gabim, për të cilin po flasim, pra u erren sytë duke menduar, apo më mirë, pa menduar fare, se u takon gjithçka mjaft që të zgjasin dorën. Prandaj e drejta është, që të paguajnë fort për padrejtësinë e ushtruar ndaj grave, ashtu si kanë paguar gratë duke kapërdirë ndjenjën e fajit, ofendimin, lëndimin bile edhe neverinë.

Gjatë, karrierës suaj, a keni dëgjuar raste?

Këto janë gjëra që kanë ndodhur, bile shpesh. Në brigadat e punës në kooperativat bujqësore p.sh., brigadierët u ngjanin sulltanëve për haremin që kishin (jo të gjithë, të kuptohemi), sepse në këmbim të pagesës së ditëve të punës, arat e misrit të rritur, bëheshin streha dhe preja e bëmave të tyre.

Por edhe në vende pune, si në Institutet kërkimore, mund të ndodhte ndonjëherë që drejtuesit të kishin afera të këtij lloji, jo për shkak të ndjenjës, por për shkak të postit, duke e shfrytëzuar atë. Këto kanë ndodhur e do të ndodhin. E mira është, që ata që kapen, apo denoncohen me prova, të marrin ndëshkimin e merituar, që të tjerëve mos t’u shkojë më mendja të dhunojnë kur të duan e kë të duan.

Në librin tim të fundit “Ora me rërë”, shkoj pak përpara, si të thuash. Aty kam një personazh femëror, pak a shumë një artiste, që nuk është as e bukur, as fort e zgjuar por e përkëdhelur dhe djallëzore. Ajo arrin të bëjë për vete drejtorin e saj, jo aq për afeksion se sa për hakmarrje ndaj të shoqit, pra e përdor atë në një farë mënyre, duke mos fituar asgjë, përkundrazi duke humbur gjithçka.

Juve vet jeni gjendur në një situatë të tillë, qoftë edhe ngacmim verbal. Nëse po, si keni vepruar?

Gruaja ka një instinkt të çuditshëm për të kuptuar në se ‘mëtonjësi’ e ka me ndjenjë dhe po shpreh një simpati të vërtetë, apo e ka për përfitim. Pothuaj të gjithë shefat e mi gjatë karrierës sime të gjatë, më kanë shprehur fjalë të mira në drejtime të ndryshme, por asnjëherë nuk ua kam keqkuptuar dhe nuk ka pasur kurrë asnjë zhvillim të mëtejshëm, ka mbetur aty tek fjala e mirë dhe unë i kujtoj me shumë kënaqësi. As ata që ma kanë pasur jetën në dorë, nuk kanë guxuar të më kërkojnë hapur ndonjë favor. Por ka edhe gra të brishta, të pa emancipuara, të paditura që nuk i bëjnë dot ballë presionit dhe duke u thyer vuajnë për tërë jetën. Sot ne po diskutojmë për predatorin, jo për prenë, sepse është e ditur fort mirë që sulmuesi nga e gjithë tufa dallon atë që shfaq ndonjë pikë të dobët.

Krijimtaria juaj shtrihet në dy sisteme, si ka ndryshuar situata gjatë viteve në Shqipëri, përsa u përket ngacmimeve seksuale?

Përgjithësisht, në atë kohë burrat me post apo jo kanë qenë më të rezervuar, sepse po të kapeshin u shkonte ‘koka në sëpatë’, jo se ishin më të mirë. Megjithatë në kooperativa (që i njoh mirë prandaj dhe po iu referohem), por edhe në ndërmarrjet shtetërore, siç thuhej, kishte një lloj shfrytëzimi të shëmtuar të grave dhe vajzave të reja për shkak të varfërisë së madhe, gjë që unë personalisht nuk e justifikoj. Nuk do të vdiste nga uria ajo grua, po të mos i jepej atij brigadierit sy shqyer, hundëlesh dhe të palarë.

A mund të reagonte dikur një femër, si mund të reagojë sot?

Gjithnjë ka vend për reagim, në çdo kohë, veçse kërkon zëmër si çdo punë e vështirë. A nuk u ka shkuar në mend p.sh. se kërkesa për favore seksuale na kujton kërkesën e sigurimit të shtetit për bashkëpunim? Edhe atëherë ka pasur burra dhe gra që nuk kanë pranuar të shërbejnë, duke pranuar ndëshkime çnjerëzore nga ana e pushtetit.

Mendoni se një shqiptare (artiste apo në çdo profesion tjetër), mundet që ta bëjë lehtësisht një denoncim publik për një ngacmim të tillë, apo ne ende vazhdojmë, të mos flasim, për diçka që opinioni fajin mund t’i a verë femrës?

Kam përshtypjen se vajza dhe gruaja shqiptare, aq më tepër një artiste apo një e shkolluar, si kudo në botë, tashmë ka më shumë kurajë jo vetëm për të kundërshtuar, por edhe për të denoncuar. Gjithnjë e më shumë vajza dhe gra po garojnë me dijet dhe aftësitë e tyre dhëmb për dhëmb me djemtë dhe burrat dhe nuk uroj të vijë kurrë dita, që kur ato të jenë në vendim marrje, të bien në të njëjtin gabim që patën rënë burrat me to.

Denoncimi, a është një formë e vlefshme, që duhet bërë që në fillim apo kur situata degradon deri në shantazh? Apo frika se mos viktima humbet punën, e bën të vështirë këtë pjesë dhe edhe bën kompromis për të pranuar diçka të tillë me vetëdije?

Gjithë sa thashë më parë të çojnë në përfundimin se duhet mposhtur frika, në radhë të parë për veten, për të mos jetuar me brengën e dhunimit, por edhe për ta ndëshkuar dhunuesin e për t’u prerë rrugën të tjerëve. E mira, në radhë të parë për gruan e dhunuar, është pra, që denoncimi të bëhet sa më parë, por kurdo që të bëhet ka vlerë. Është detyrë personale, familjare dhe shoqërore, që të mos e mbajmë abuzimin të ndryrë brenda nesh, duke e ushqyer kështu në vazhdimësi me dhimbjen tonë.

Dhe së fundmi, kush janë të parët që duhet të ngrenë zërin për mbrojtjen e këtyre “viktimave”, të cilat shpeshherë as në familje nuk gjejnë përkrahjen e duhur?

Në radhë të parë është vetë personi i dhunuar, është familja që duhet të japë mbështetje pa e gjykuar njeriun e saj, jemi ne gratë, në solidaritet  të ngushtë me njëra tjetrën , të gjitha ne nëna, motra, bija dhe shoqe, por edhe ajo pjesë e madhe e burrave, që nuk janë armiqtë tanë, por më së shumti rivalët tanë, djemtë dhe burrat njerëzorë, të ndershëm, punëtorë, inteligjentë etj., etj. Janë shumë, por jeni dhe ju të medias, që keni atë që quhet pushteti i katërt dhe që ndonjëherë e keqpërdorni. Çfarë modeli po reklamoni për gratë dhe vajzat e suksesshme, femra si e quani ju me një emër të përgjithshëm? Shohim herë pas here modele që prezantoni dhe që spërdridhen në mënyrën më vulgare, duke fyer shoqet e tyre, atyre që punojnë kokë ulura dhe me përkushtim, a thua se e vetmja vlerë që ne kemi janë format dhe lakuriqësia jonë?

Pse nuk shohim thuajse fare të shfaqen në ekran apo në faqe të parë të gazetave dhe revistave fotot e vajzave dhe grave, që fitojnë çmime të para në fizikë, matematikë apo në shkenca të tjera, që konkurrojnë këtu apo në botë duke nderuar veten dhe vendin, pse nuk promovoni vlerat tona të vërteta si inteligjenca, mençuria, vullneti, sakrifica për familjen dhe të tjerët, pse jo dhe vlerat tona të bukurisë së vërtetë, asaj natyrale, që venitet por nuk shuhet as në pleqëri të thellë. Çfarë të drejte morale ka ai gazetar apo gazetare që promovon atë tip vajze vulgare si kulmi i suksesit, apo që tallet me të padrejtësisht. A nuk i shkon mendja ndonjëherë se kjo mund të kthehet në bumerang, apo me mendjelehtësi mendojmë se jemi imunë? Nuk jemi imunë nga asgjë, deri në fund na duhet të jemi vigjilentë dhe ti mbajmë sytë hapur nga e keqja që vjen në format më të papritura, më të sofistikuara.