“Vendin e drejtojnë hajdutët, Zoti i paftë ata dhe fëmijët e tyre!”

Artistët hyjnë me forcë në godinën e Teatrit Kombëtar, në shenjë proteste për zhvendosjen e tij, siç parashikohet në pr/ligjin e kundërshtuar prej tyre. Protesta e tyre në holl dhe mesazhet e fuqishme që përcollën për artin dhe fatet e vendit

Artistët e teatrit hynë dje me forcë në godinën e Teatrit Kombëtar, në shenjë proteste për zhvendosjen e tij, siç parashikohet në pr/ligjin e kundërshtuar prej tyre. Ata kanë protestuar sërish dhe me shumë vështirësi kanë mundur të hyjnë deri në hollin e Teatrit Kombëtar. Projektligji i Ministrisë së Kulturës për të zhvendosur Teatrin Kombëtar ka shkaktuar reagime të shumta tek artistët. Ata i kanë kërkuar ministres Kumbaro transparencë për projekt-ligjin e 2018-s dhe problemet që kanë shoqëruar artin skenik. Përderisa nuk është caktuar ende një datë se kur ministrja Kumbaro do t’i presë, artistët parashtrojnë datën 14 shkurt, të mërkurën në orën 16:00 në ambientet e TK-së dhe presin që Kumbaro të shkojë. “I bëjmë thirrje ministres Kumbaro që t’u përgjigjet kërkesave tona, të bëhet çdo gjë transparente pasi e-mailet që supuzohet të jenë dërguar, nuk na kanë ardhur”.

Të mërkurën në orën 16:00 e presim në këtë sallë për dialog” tha regjisori Altin Basha dhe artistët e tjerë. Aktori i mirënjohur Bujar Asqeriu, mbajti një fjalë mbi 5 minuta, ku elektrizoi gjithë sallën, ndërsa video e fjalës së tij ka pushtuar të gjitha mediat online. Asqeriu u shpreh se këtë vend e drejtojnë hajdutët, që kanë ndërtuar 24 burgje duke futur në birucë të gjithë rininë, ndërsa nuk kanë investuar për të ndërtuar edhe një teatro. “Në Shqipëri janë ndërtuar 24 burgje. Më thoni sa teatro janë ngritur? Zero. Gjithë rinia shqiptare është në burgje, nuk ka qytet pa burg, atëherë them unë, këta me shkopinj gome dhe biruce do e edukojnë rininë? Po të ndërtoheshin 4-6 teatro, më pak burgje do të kishim, jam i sigurt për këtë. Këta nuk investojnë, dhe ne zihemi këta për një 5-lekëshe që hedhin ata, kush mund ta kapë dhe tallen. Kjo është e tmerrshme. Këta nuk hedhin lekë për artin dhe kulturën. Këta duan burgje. Rinia shqiptare është nëpër burgje dhe pastaj kush do të vijë në teatër, kush do të punojë. Le të punojnë këta, t’i mbyllin edhe teatrot dhe të gjejnë të sëmës. Do më falni që në takimin e parë nuk kisha mundësi të flisja, ndërsa të gjitha i tha Robert Ndrenika, por refleksionet që vijnë nga qeveria janë të vakta, pafuqishme dhe të ftohta. Këta si duket nuk e kuptojnë se çfarë është artisti.

Një aktor merr rrogën më të vogël se një nëpunës i rëndomtë i ministrisë së Kulturës. Ky është vlerësimi që shteti i bën artistit. Jo më kot, kolegët tanë ikën nga kjo botë në moshën më të re dhe askush nuk u kujdes për ata, askush nuk e çau trapin për ata. Ata ikën me pengje në shpirt dhe këto do i ngremë me të madhe. Bujar Lako jetonte në një dhomë dhe në një kuzhinë, 50 metra katrorë, ndërsa politikanët tanë në vila 5 apo 10 milionë euro, prandaj nuk ka lekë për teatrin dhe ne duan të na fusin në vrimën e miut. Këtë vend e drejtojnë hajdutët, prandaj nuk ka lekë për teatrot. Ata marrin edhe lekët e një dosje, 100 lekë. Prandaj ndonjëherë them përse të flas? A përmbyset kjo hajdutëri? Zoti i paftë ata dhe fëmijët e tyre që kanë vjedhur djersën dhe gjakun e këtij vendi, unë ia lë atij. E kuptoj që ata do të tallen me ne dhe do të na përqeshin”-tha aktori Asqeriu, gjatë fjalës së tij.

Besnik Bisha: Kumbaro, përkthyese e kulturës dhe jo ministre

Kumbaro është përkthyese e kulturës shqiptare dhe jo ministre. Ajo akuzon Bertin dhe artistët që e kanë kthyer teatrin në mejhane dhe i kërkon llogari pse e keni lejuar deri në atë derexhe, ndërkohë që qeveria e saj ua hoqi artistëve shpërblimet, madje edhe lekët e biletave. Këtu nuk janë shituar kurrë qofte, vetëm nëse janë shitur atje, ajo nuk e thotë këtë  por mashtron opinionin. Ajo sallë iu dha telebingos se u jepte aktorëve 50 mijë lekë çdo muaj. Dua të kujtoj një episod në Durrës, dhe në provë gjenerale, Komiteti i Partisë diskutonin dramën dhe shefi i arsimit tha; që skena e parë të hiqet edhe dialogu, edhe ky personazh, atëherë një miku im, Filip Çakuli tha; nëse hiqen këto kjo nuk është më dramë dhe më mirë të hiqet shefi i arsimit.

Regjisori Robert Budina: Kërkesat do i çojmë deri në fund

Gjithçka që po ndodh ka arsye edhe mungesën e një ligji. Fakti që qendra e Kinematografisë po mbijeton tregon se ka mirëfunksionuar. Ne i kemi kërkuar ministres që të justifikojë ndryshimet dhe i kemi renditur arsyet se duhet të funksionojë kinematografia me dy ligje, është një moment i mirë për të cuar deri në fund kërkesat e artistëve, pasi politika si majtas dhe djathtas ka qenë indiferente. Politika ikën, por këta njerëz mbeten.

Aktorja e Teatrit të Kukullave, Shegushe Bebeti: Artistëve u është vendosur litari në fyt

Më vjen keq që nga Teatri i Kukullave jemi 2 apo 3 veta. Artistët janë të shokuar dhe kanë frikë për vendin e punës. Kontratat e punës janë litari që u është vendosur në fyt artistëve. Jam e skandalizuar, në teatrin e Kukullave të gjithë e dinë që ka plasur një skandal i madh dhe nuk e dimë se kush na komandon. Arroganca e një titullari të paaftë vijon, kemi dy vite që nuk bëjmë asnjë premierë, kamë investuar 35 vite dhe kam lënë kockat në atë teatër. Prej tre vitesh nuk kontribuoj sepse nuk më duan sepse jam plakë, atje jashtë vijoj që të jem e vlefshme, madje me çmime, këtu jo. Nuk duhet të lejojmë që të na drejtojë njerëz të paaftë.

Aktori Arben Derhemi: Do ta mbrojmë me gjak teatrin

Kjo mbledhje duhet të zhvillohej në sallën qendrore të Teatrit, por drejtori ka vendosur ta marrë edhe për 4 vite titullin, pasi duhet se më e rëndësishme për atë është që të marrë titullin, por ne do ta mbrojmë me gjak.

Dramaturgu Stefan Çapaliku: Moment i rrezikshëm, drejtorin ta zgjedhim ne, jo politika

Ky është një moment i rrezikshëm që ne duhet ti themi stop. Askush nuk e di sa është fondi i teatrit.  Transparenca është zero, pjesa më aksidentale është zgjedhja e lidershipit. Si ka mundësi që një shte ka precedent si heq dorë nga lidershipi i arsimit dhe drejtorin e teatrit ka emërojë politika, këtë nuk e kuptoj.

Regjisori Altin Basha: Të mërkurën e presim ministren këtu

Jemi të shqetësuar. Peticioni online ka kaluar 4 mijë firma, kjo nuk është më shaka, nuk mund të bëjë të paditurin. Asnjë nga ministria dhe të gjitha ata që kontaktojmë nuk ka marrë e-email nga ministria e Kulturës për ndryshimet që do të bëhen në ligj. Ju lutem medieve të gjejmë 500 e-emal ku janë dërguar. Ministria nuk tregon të vërtetën për dialogun. Në pranojmë ftesën për dialog, ministren e presim këtu në orën 16:00 ditën e mërkurë. Kjo sallë nuk duhet të jetë më e mbyllur. Ky vend nuk është as i ministres dhe as i drejtorit të teatrit.

 

Monologu drithërues i Bujar Asqeriut si klithma e çdo shqiptari të ndershëm

Koço Kokëdhima

Miqtë e mi! Dëgjojeni monologun drithërues të Bujar Asqeriut! Janë fjalë që dalin nga shpirti i një artisti që ia kushtoi gjithë jetën skenës dhe filmit. Është monologu i një drame 27-vjeçare që është luajtur në kurrizin e artistëve, njerëzve të punës dhe të qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi. Bujar Lako, Robert Ndrenika, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Violeta Manushi, Agim Qirjaqi, Bujar Asqeriu e dhjetra e dhjetra artistë të tjerë janë ajo pjesa e shumicës së popullit shqiptar të nëpërkëmbur, të zhvatur, të denigruar, që nuk llogariten në asnjë defter të punëve të vendit, por shikohen si mjeranë, si pabuksa, si lypsarë që shohin duart e zengjinëve në pushtet.

Dëgjojeni Bujar Asqeriun, miqtë e mi! Është revolta e brendshme e shqiptarit të zhveshur nga çdo pushtet, prej kastës së politikanëve të vjetër dhe shushunjave që janë klientët e tyre dhe që kanë rrëmbyer të gjitha pushtetet dhe pasuritë e vendit dhe sot na përqeshin nga lart, gjithë neveri. E kuptoj Bujarin e dorëzuar kur thotë se ia ka lënë Zotit ndëshkimin hyjnor që do t’u vijë keqbërësve nga lart. Por unë e ftoj Bujarin dhe çdo qytetar të ndershëm të këtij vendi që të bëhemi bashkë dhe ta shembim këtë kastë hajdutësh. Ata nuk rrëzohen vetë. Ata nuk kanë frikë as nga Zoti dhe asgjë shpirtërore dhe hyjnore, sepse nuk besojnë te askush veç parasë. Ne duhet të ngrihemi, të gjithë bashkë, dhe t’i shporrim hajdutët, keqbërësit dhe kriminelët nga jeta jonë që fatet e vendit tonë të mos jenë më në duart e tyre.

 

Kumbaro del bllof, bingon te TK e firmosi Edi Rama

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, është përfshirë në një debat të gjerë me artistët e njohur të skenës shqiptare, pa ditur ndoshta që ky debat do ta poziciononte atë kundër kryeministrit Edi Rama. Ministrja u përplas në distancë me aktorin e madh, Robert Ndrenika, për të ardhmen e Teatrit Kombëtar, i cili do të zhvendoset në një godinë tjetër, te Turbina. Me një gjuhë të ashpër i drejtohej ministrja të madhit Ndrenika: ”'(…) unë mendoj gjithashtu se komuniteti i aktorëve dhe shoqëria jonë nuk duhej ta kishin lejuar që teatri të kthehej në lokal me tym lojërash fati e bingoje, që thithte klientë, por jo artdashës. Nuk di ç’mendoni ju për këtë i dashur Robert” theksoj Kumbaro. Por, kur Kumbaro i përmendte Ndrenikës ‘bingon’, duket të ketë harruar këtë kontratë të lidhur nga vetë kryeministri Edi Rama, në kohën kur ishte ministër i Kulturës.

Pa dashur apo me qëllim, ministrja del kundër kryeministrit Rama, pasi rezulton që kontrata e qerasë është lidhur nga ky i fundit. Kontrata është publikuar nga ish-drejtori i Teatrit Eksperimental, Kastriot Çipi, i cili i “mbyll gojën” ministres edhe për debatin e ndërtimit brenda kullës, teksa i kujton se kjo ishte një ide e vëllait të saj, kur ishte këshilltar i ministrit të Kulturës, Blendi Klosi. Kur Robert Ndrenika paralajmëroi se me zhvendosjen e teatrit qeveria po i hapte rrugë ngritjes së kullave në qendër të Tiranës, ministrja do t’i përgjigjej shkurtër, duke fajësuar qeverisjen e kaluar të viteve 2008-2009, pasi sipas saj, pikërisht në këtë kohë u investuan miliona për të ndërtuar një teatër brenda Piramidës dhe gjithçka u gropos për dreq. Edhe për këtë duket që ministrja nuk është aq e pafajshme, pasi ideja e teatrit brenda kullës është pikërisht e vëllait të saj.

Po dje aktori i mirënjohur, Robert Ndrenika i është përgjigjur po me një letër ministres Mirela Kumbaro për konfliktin që ka nisur për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar te ‘Turbina’.  Ndrenika shkruan se fjalët e ministres i janë dukur kunja dhe jo të sinqerta. Më tej, aktori thekson se ai nuk heq asnjë presje nga ato që ka thënë. Ministrja i kujtoi dje aktorit heshtjen gjatë kohës kur Teatri Kombëtar u kthye “në lokal me tym lojërash fati e bingoje, që thithte klientë, por jo artdashës”, por Ndrenika thotë se ‘Bingoja u hap në një situatë emergjente me aprovimin e tërë komunitetit teatror dhe kur paraardhësit e t’u në Ministrinë e Kulturës deri në vitin 2000 nuk lanë hapësirë pa dhënë me qira”.

Letra e Robert Ndrenikës

E dashur Mirela! Lexova me vëmendje letrën tënde. Përveç fjalisë së parë që “je në një mendje me mua”, të tjerat m’u dukën kunja dhe jo shumë të sinqerta. Përsa më përket mua, përveç mënyrës së të shprehurit, që ndoshta vjen nga profesioni im, (mirë do ishte të kisha studiuar për diplomaci) unë nuk heq asnjë presje nga ato që kam thënë. Bingoja u hap në një situatë emergjente me aprovimin e tërë komunitetit teatror dhe kur paraardhësit e t’u në Ministrinë e Kulturës deri në vitin 2000 nuk lanë hapësirë pa dhënë me qira. Përsa i përket ndërtimit të sallave te “Piramida” dhe “Turbina” e kishit ju për detyrë të kishit bërë dhe të bënit transparencën.  “Transparencë” që edhe sot e kësaj dite ne po e kërkojmë. Vazhdimin e bisedës do ta bëjmë në sallën e Teatrit Kombëtar.

Të tjera

Abissnet