Vendimi, tekstet shkollore në fillore do jepen falas

Librat mësimorë për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e katërt nuk do blihen nga prindërit. Rrëzohet amendamenti i opozitës, e cila kërkoi që të hiqej barra e pagesës për gjithë sistemin 9-vjeçar

Nxënësit e shkollave fillore nga klasa e parë deri në klasën e katërt, do të përfitojnë librat falas. Përmes një vendimi, qeveria ka vendosur të lehtësojnë barrën financiare  të familjeve që kanë fëmijët në shkollat fillor duke mbuluar me buxhetin e ministrisë së Arsimit,katalogun e librave shkollorë. Në fakt ky është një vendim që prite, pas një periudhë të gjatë konsultimesh të bëra në komisionet parlamentare dhe me grupeve e interesit. Partitë në opozitë 6 muaj më parë kërkuan nga Ministria e Arsimit që të përfshijnë gjithë sistemin 9-vjeçar, por amendamenti nuk mori përkrahjen e ministrisë, për shkak të kostove buxhetore. Sipas vendimit, buxheti i parashikuar për t’ju ardhur në ndihmë familjeve që kanë fëmijë në klasat fillore, është 270 milionë lekë  dhe do dalë nga Ministria e Arsimit dhe ajo Financave.  Në lidhje me nevojat dhe evidencat, institucionet arsimore si dhe njësitë arsimore vendore, brenda muajit korrik të çdo viti, përgatisin listën e parashikuar të nxënësve që ndjekin arsimin fillor në të gjithë vendin. Me këtë hap, Shqipëria i afrohet nismës që kanë ndërmarrë prej vitesh vendet e rajonit, por në krahasim me ne, këto shtete ndajnë libra falas për gjithë sistemin arsimor 9-vjeçar.

“Nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt u jepen tekstet shkollore në përdorim falas. Çmimi i blerjes së teksteve shkollore mbulohet 100% nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për ministrinë përgjegjëse për arsimin. Institucionet arsimore si dhe njësitë arsimore vendore, brenda muajit korrik të çdo viti, përgatisin listën e parashikuar të nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt. Blerja e teksteve shkollore të nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt, në emër të prindërve ose përfaqësuesve ligjorë, për llogari të nxënësve, realizohet nga institucioni arsimor, për llogari të njësisë arsimore vendore”, shkruhet në vendim. Ndërkohë, likuidimi i faturës tatimore ndaj shtëpive botuese, do të realizohet nga njësia arsimore vendore, me fondet e miratuara si “Transfertë tek individët”, në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për arsimin, në llogarinë bankare të shitësit. Sa i përket mënyrës së shpërndarjes dhe administrimit të teksteve për këtë kategori nxënësish, ato do të përcaktohen me udhëzim të ministrit të Arsimit”.

Koha e shpërndarjes

Shpërndarja dhe shitja e teksteve shkollore do të nisë më datën 1 shtator dhe do të vijojë për 14 ditë me radhë deri në nisjen e vitit të ri shkollor. Për vitin shkollor 2018-2019, katalogu i teksteve shkollore për klasat II-V dhe VII-XII, përbëhet nga tekstet shkollore më cilësore të përzgjedhura nga mbi 10 për qind e të gjithë mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar. Shitja e teksteve do të bëhet nga njësitë tregtare të shitjes së librave. Çdo shkollë për periudhën 25 gusht-13 shtator 2018 u vë në dispozicion falas personave të ngarkuar nga shpërndarësit e rrethit një ose dy klasa të sigurta për shitjen e teksteve”, thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, ndërsa sa i përket rregullave të shpërndarjes dhe shitjes, ato i ndalojnë nga ky proces punonjësit arsimorë, me përjashtim të shkollave të arsimit profesional dhe të pakicave kombëtare, ku shpërndarja dhe shitja e tekstit shkollor mund të bëhet nga punonjës arsimorë të ngarkuar nga DAR/ZA-ja dhe nga drejtoritë e këtyre shkollave. Drejtoritë Arsimore gjatë dy javëve para fillimit të vitit të ri shkollor dhe një javë pas tij, raportojnë në ministri çdo ditë, në mënyrë të vazhdueshme, për pajisjen e nxënësve me tekste shkollore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet