
Para dy ditësh qeveria shqiptare ka publikuar vendimin e firmosur nga Kryeministri Edi Rama, në bazë të së cilës, shtëpitë individuale dhe apartamentet që do të kalojnë në pronësi të qytetarëve përfitues të programeve të rindërtimit, nuk mund të shiten apo të dhurohen.
Vendimi titullohet: “Për përcaktimin e rregullave, të kategorive prioritare, masës së përfitimit, autoriteteve përgjegjëse dhe procedurave për vlerësimin dhe përzgjedhjen e përfituesve nga disa programe të procesit të rindërtimit”.
Vendimi parashikon se në kontrata noteriale e kalimit të pronësisë, pala e dytë që është përfituese e banesës duhet të plotësojë kushtet mos premtimit dhe mospërdorimit nga një palë e tretë. Po ashtu për aq kohë sa kjo marrëveshje do të jetë në fuqi, banesa nuk mund t’i shitet një pale të tretë.
Kontrata e kalimit të pronësisë duhet të shoqërohet me deklaratën noteriale të heqjes dorë, nga subjektet përfituese, nga çdo pretendim mbi të drejtat e pronësisë për banesën apo shtëpinë individuale të mëparshme.
Nëse qytetari që i kalon pronësia e shtëpisë të re nuk plotëson të gjitha kushtet e vendosura në legjislacionin në fuqi, atëherë kjo marrëveshje nuk do të ketë fuqi ligjore dhe shteti zhvishet nga të gjitha detyrimet e ngarkuara në këtë aktmarrëveshje.
Në vendim përcaktohet se shteti merr përsipër dhe garanton palën përfituese të shtëpisë të rindërtuar se përgjatë gjithë kohëzgjatjes që do të duhet për dorëzimin e pasurisë, sipas parimit “me çelësa në dorë”, do t’i sigurojë subvencionin e pagesës së qirasë deri në momentin që kësaj pale t’i kalojë e drejta e pronësisë së pasurisë.
Kostot e shpenzimeve noteriale dhe regjistrimi i certifikatës të pasurisë në Agjencinë e Kadastrës do të paguhen nga shteti.
Deklarime dhe garanci të palëve
3.1 Pala e parë, deklaron dhe garanton palën e dytë për secilën prej çështjeve të mëposhtme:
- i) merr përsipër që ndërtimin e pasurisë ta kryejë në përputhje me parimet e rindërtimit, sipas kushteve dhe teknikave që parandalojnë rreziqet e fatkeqësive natyrore në të ardhmen, bazuar në konceptin “rindërto më mirë”;
- ii) merr përsipër të dorëzojë pasurinë, sipas parimit “me çelësa në dorë”, të gatshme për banim;
iii) do të përmbushë detyrimet dhe do të plotësojë kushtet e parashikuara në këtë marrëveshje;
- iv) për aq kohë sa kjo marrëveshje do të jetë në fuqi, pasuria, objekt i kësaj marrëveshjeje, nuk mund t’i premtohet, t’i jepet në përdorim apo t’i shitet një pale të tretë;
- v) pala e parë deklaron dhe siguron se ka autoritetin dhe miratimet e duhura për të nënshkruar, zbatuar dhe përmbushur dispozitat e kësaj marrëveshjeje;
- vi) pala e parë merr përsipër dhe garanton palën e dytë se, përgjatë gjithë kohëzgjatjes që do të duhet për dorëzimin e pasurisë, sipas parimit “me çelësa në dorë”, do t’i sigurojë subvencionin e pagesës së qirasë deri në momentin që kësaj pale t’i kalojë e drejta e pronësisë së pasurisë, në bazë të vlerave dhe kushteve të miratuara, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
3.2 Pala e dytë deklaron dhe garanton palën e parë për secilën prej çështjeve të mëposhtme:
- i) pala e dytë pranon kushtet në këtë marrëveshje dhe është plotësisht dakord që, në momentin e duhur dhe pas plotësimit të kushteve të vendosura sipas legjislacionit në fuqi, të nënshkruajë kontratën përfundimtare të kalimit të pronësisë së pasurisë, objekt i kësaj marrëveshjeje;
- ii) kjo marrëveshje përbën një detyrim ligjor, të vlefshëm dhe të ekzekutueshëm për palën e dytë, e cila i ka të gjitha kompetencat të lidhë këtë marrëveshje dhe të përmbushë detyrimet që rrjedhin prej saj;
iii) pala e dytë do të nënshkruajë deklaratën noteriale për heqje dorë, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.
3.3 Nëse pala e dytë nuk plotëson të gjitha kushtet e vendosura në legjislacionin në fuqi, atëherë kjo marrëveshje nuk do të ketë fuqi ligjore dhe pala e parë zhvishet nga të gjitha detyrimet e ngarkuara në këtë aktmarrëveshje.
3.4 Palët pranojnë se deklarimet dhe garancitë e parashikuara në nenet më sipër janë kryer në zbatim të dispozitave ligjore në fuqi dhe me qëllim angazhimin e secilës prej tyre për të lidhur këtë marrëveshje, duke i konsideruar ato të vërteta dhe të mirëqena.
Përgatiti: Erjon Dervishi
vendim-2021-01-27-51 by Erjon Dervishi on Scribd
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply