Veliaj i jep Fushës tenderin në Bulevardin “Zogu i Parë”

Firmoset kontrata me vlerë, 637 mln lekë për rehabilitimin e Bulevardit zgjatues të Sheshit “Skënderbej”. Projekti me kosto të fryrë  do të realizohet për 18 muaj. Fusha sh.p.k, e vetmja që plotësoi kriteret përballë tre kompanive në garë  

Neritan Gjergo

Bashkia e Tiranës i ka dhënë kompanisë Fusha 637 milionë lekë për rehabilitimin e Bulevardit Zog i Parë. Kontrata për garën gjatë muajit prill, në të cilën kanë marrë pjesë katër operatorë, është firmosur javën a kaluar dhe tashmë kompanisë Fusha i hapet rruga për të nisur punimet, të cilat do të zgjasin me afatet e paracaktuara, 18 muaj. Tenderi për bulevardin Zogu i Parë shkaktoi debate të forta për fondin limit që kishte vendosur bashkia, në vlerën 708 milionë lekëve, e përllogaritur me thjeshtim në kosto, 12 milionë dollarë për 1 km. Bulevardi Zogu i Parë, është projektuar për tu ndërtuar si zgjatim i sheshit Skënderbej, edhe ky i fundit i ndërtuar nga firma Fusha. Në garë, sipas dokumentit final të Agjencisë së Prokurimeve Publike, morën pjesë edhe 3 kompanitë, Hastoçi sh.p.k, ED Konstruksion dhe Gjikuria sh.p.k, për të cilat rezulton se nuk kanë plotësuar kriteret dhe gjithashtu nuk kanë bërë ankesë. Bulevardi në fjalë ka gjatësi 600 metra, dhe projekti synon riparimin apo rehabilitimin. Pra, projekti i kërkuar nga Erion Veliaj, parashikon ndërhyrje për përmirësimin e shtresave rrugore, trotuareve, rrjetin e kanalizimeve të ujërave të shiut, ndriçimin rrugor e gjelbërimin. Pra, për një rrugë, e cila ndryshe nga Unaza e Re nuk ka as vepra arti, dhe as tunele e mbikalime, shuma duket të jetë marramendëse edhe në rezultante.

Projekti

4 operatorët ekonomikë kanë dorëzuar kërkesat nga data 12 mars deri në 11 prill, ndërkohë që kohëzgjatja e kontratës është përcaktuar 18 muaj kalendarikë nga firmosja e saj. Nga detajet e investimit, grafiku i punimeve përfshin një sërë ndërhyrjesh në të gjithë gjatësinë e bulevardit. Më konkretisht, do të bëhet rivendosja e shtresave rrugore, si dhe vendosja e pesetave në të gjitha pikat e nevojshme. Projekti përfshin edhe riparimin dhe zgjatimin e pjesës së sipërme të shkallëve duke krijuar një hyrje më të përshtatshme për Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Po ashtu, do të bëhet edhe kanalizimi i ujërave të bardha me standardet bashkëkohore. Gjelbërimi njëkohësisht do t’i kushtohet një rëndësi e madhe, ku propozohet çrrënjosja e pemëve ekzistuese dhe mbjellja e pemëve të reja, që do të jenë kryesisht pjesë e florës vendase të Shqipërisë. Po ashtu, parashikohet vendosja dhe instalimi i rrjetit elektrik përgjatë gjithë bulevardit me ndriçues të llojeve të ndryshëm. Në zona të ndryshme të këtij të fundit do të përdoren edhe stola të njëjtë me ato që janë vendosur në Sheshin “Skënderbej.”

Ndërkohë, projekti parashikon edhe rregullimin e të gjitha fasadave përgjatë bulevardit si dhe krijimin e katër shesheve të reja si dhe një shatërvan. Ndërsa, është propozuar edhe krijimi i një hapësire të posaçme edhe për biçikletat. Më herët, kryebashkiaku Erion Veliaj është shprehur se ky bulevard do të kthehet në një rrugë shopping-u, e ngjashme me Pazarin e Ri. Kujtojmë se në këtë bulevard 2 vite më parë janë bërë ndërhyrje, në mesin e tij përmes shtrimit të korsisë së biçikletave, por ky investim tashmë po rezulton pa leverdi, pasi paratë e taksapaguesve të Tiranës duhet të hidhen edhe njëherë nga e para për ambicien e kryetarit të Bashkisë. Por ky nuk është projekti i vetëm në planet e bashkisë, që vjel kaq shumë pará. Një tjetër projekt për rehabilitimin e fasadës së një pallati në kryqëzimin e rrugës së Dibrës me Unazën e Vogël, do të kushtojnë plot 32 milionë lekë. “Ky objekt ndodhet në kryqëzimin e Unazës së Vogël me rrugën e Dibrës në qendër të Tiranës dhe ka si qëllim harmonizimin e tij me mjedisin përreth. Fasada e këtij objekti është e amortizuar dhe në pjesë të veçanta e dëmtuar. Projekti parashikon unifikimin e fasadës me ndërhyrje në riparimin dhe lyerjeve e fasadës. Kjo ndërhyrje do të kryhet duke ruajtur arkitekturën ekzistuese të objektit”, shkruhet në përshkrimin e investimit.

Pra, vetëm boja e pallatit do të kushtojë 32 milionë lekë. Kujtojmë se vetëm 3 javë më parë një tender për fasadat dhe rregullimin e hapësirave të vogla në kryeqytet,  kushtoi plot 52 milionë lekë. Bashkia e Tiranës ka shpallur tenderin në fund të dhjetorit, ndërsa shpalli në mes të shkurtit fituesin. Bëhet fjalë për kompaninë Aurora Konstruktion, e cila ka fituar garën përballë dy operatorëve të tjerë, të cilët janë skualifikuar për shkak të mosplotësimit të disa kritereve teknike, ndërsa shpallja e fituesit shënjohet me redflag (flamur të kuq). Skualifikimi nga gara i  konkurrentëve, në praktikën e prokurimeve konsiderohet një ngjarje ose rrethanë që  tregon një shqetësim apo ekspozim mbi rrezik potencial të pajtueshmërisë ligjore për sjellje të paligjshme ose joetike të biznesit, veçanërisht në lidhje me praktika korruptive dhe mosrespektimit të ligjeve anti-korrupsion. Më tej, bashkia synon të investojë edhe për rikonceptimin e parkut Rinia (parqe, shkallare, sheshe pushimi etj) dhe për rikonceptimin e kopshtit zoologjik pranë liqenit artificial në një sipërfaqe 5 hektarë. Shpenzimi për të dy projektet së bashku do të jetë mbi 900 milionë lekë (8.2 milionë dollarë). Në kopshtin zoologjik, bashkia do të investojë 750 milionë lekë dhe ndërhyrja konsiston në rikonceptimin e tij, për ta bërë sa më atraktiv për të gjitha grupmoshat. “Punimet që parashikohet të kryhen janë ndërhyrje rehabilituese në godinat ku janë të vendosura kafshët për t’i kthyer në ambiente të përshtatshme sipas normave dhe standardeve që kërkon një kopsht zoologjik, ndërhyrje për pastrimin e mini-liqeneve dhe rikompozim i tyre, punime në sipërfaqet e gjelbra duke i kompletuar me të gjithë elementet e nevojshëm të mobilimit urban, si stola, kosha; punime për rrjetin e ndriçimit, etj”, shkruhet në relacion.

Shpenzimet

Për vitin 2019, Bashkia e Tiranës planifikon të shpenzojë 18.3 miliardë lekë, ku peshën më të madhe e zënë shpenzimet operative dhe ato te personelit me 62 për qind. Sipas projektbuxhetit 2019-2021, shpenzimet e përgjithshme të Bashkisë për periudhën 3-vjeçare, për të gjitha funksionet parashikohen respektivisht në masën 18,3 miliardë lekë, 17,2 miliardë lekë dhe 16,4 miliardë lekë, me rënie nga viti në vit.  Në parashikimet e tre viteve buxhetore është përfshirë edhe fondi që planifikohet të mbartet nga vitet paraardhëse. Konkretisht,  sa i përket vitit 2019,  shpenzimet kapitale apo ato që shkojnë për investime, zënë rreth 7 miliardë lekë. Ndërsa pjesa tjetër prej 11.3 miliardë lekësh do të shkojë për pagat e personelit dhe shpenzimet e tjera operative. Raporti mes shpenzimeve korente dhe atyre kapitale është respektivisht 62% me 38% për vitin e ardhshëm, ndërsa në periudhë afatmesme parashikohet një rritje e lehtë investimesh në vitin 2020 me 7.1 miliardë lekë dhe më pas rënie në vitin 2021, në 5.9 miliardë lekë.

Bilancet, kompania që kapi kreun për 2 vite

Fusha Sh.p.k, është kompani e vjetër në fushën e ndërtimit dhe operon në treg që në vitin 1994, por bilancet e saj në prokurimet publike janë rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Nëse hedhim një vështrim te historiku i pagesave nga Thesari i Shtetit, nëse në vitin 2012-2013 ato kanë qenë në vlerën e 1.27 miliardë lekëve, në vitet 2015-2017, për llogari të kompanisë janë transferuar 3.8 miliardë lekë. Përgjatë këtyre viteve, Fusha sh.p.k arriti të fitojë të 3 tenderët për ndërtimin e sheshit “Skëndërbej”, me vlerë totale 12.6 milionë euro. Ndryshe nga tenderët e publikuar, për sheshin e kryeqytetit u zhvillua një garë, por “mungonin” konkurrentët përballë Fusha Sh.p.k. Kompania rezulton fituese edhe në një sërë tenderësh nga qeveria qendrore, mes tyre edhe Rikonstruksionin e Ministrisë së Brendshme, dy tunele të mëdha nëntokësore në Durrës etj.

Ja si renditen kompanitë në prokurime

Tenderët më të rëndësishëm në 61 bashki në Shqipëri vërtiten rreth kompanive më të fuqishme, por garën mes tyre e kryeson Fusha sh.p.k. Sipas vlerës së kontratave të fituara në prokurime publike, renditen 50 subjekte ekonomike, të cilat në tre vitet e fundit kanë marrë vlerën më të lartë të tenderëve nga Bashkitë. Të dhënat përkojnë me tërësinë e kontratave të dala nga procesi i prokurimit publik për periudhën korrik 2015 – dhjetor 2018. Në këtë hark kohor, operatorët apo bizneset me vlerë më të lartë të kontratave të fituara në tenderime nga bashkitë janë operatorët: Fusha shpk; GPG Company shpk; Salillari shpk; Alko-Impex General Constuction shpk; Vëllezërit Hysa shpk, Victoria Invest shpk etj. Renditja kryesohet nga Fusha shpk, një shoqëri e cila në tenderët ku ka konkurruar si e vetme dhe jo në bashkim operatorësh me një shoqëri tjetër, shënon 40 raste (kontrata fillestare dhe shtesa) ku është njoftuar fituese.

Vlera të ofertave të saj, si oferta të shpallura fituese është 3 782 488 740 lekë. Kontratat e saj kjo shoqëri biznesi i ka fituar në tenderime në 3 bashki të ndryshme. Konkretisht me bashkinë Vorë janë gjashtë kontrata; me Bashkinë Tiranë janë 32 kontrata (sot 35) dhe Bashkinë Roskovec dy kontrata. Fusha sh.p.k shfaqet e suksesshme edhe në rastet kur ka konkurruar si bashkim operatorësh me subjekte të tjera, pra rastet kur dy operatorë paraqiten si një ofertues në tender. Firma Fusha sh.p.k ka bashkëpunuar dhe fituar tenderë në bashkëpunim me të paktën dhjetë shoqëri të tjera biznesi.  Subjekte biznesi që kanë funksionuar si operator (ofertues) në bashkëpunim me shoqërinë Fusha shpk janë : Alba Konstruction shpk; Gjoka Konstruction; ED Konstruksion; Hostoci Shpk; Besta shpk; Everest Shpk; Colombo shpk; Totila; ArkonStudion; Green Farm. Vendi i dytë pasohet në renditje nga shoqëria G.P.G Company shpk. Kjo shoqëri ka 22 kontrata, të cilat i ka fituar e vetme. Salillari është numri tre në renditje sipas vlerave të kontratave të fituara tenderime me Bashki. Kjo shoqëri ka fituar si subjekt pa bashkëpunime me subjekte ekonomike të tjera, një numër prej 19 kontratash.

Përfitimet dhe kontratat e fituara

Kompania “Fusha sh.p.k”, e lakuar për numrin e madh të tenderëve që ka përfituar gjatë 4 viteve të fundit, por edhe për lidhjet e forta  të saj me bashkinë e Tiranës dhe qeverinë, ka përfituar pak kohë më parë një tender pa garë në vlerën e 9,3 milionë lekëve. Bëhet fjalë për shërbimin e pastrimit të terminaleve të Tiranës. Me këtë tender, ku nuk u paraqit asnjë konkurrent tjetër, dhe oferta ekonomike e Fushës ishte 9.2 milionë lekë, kompanisë iu hap rruga për të marrë kontratën nr. 43 publike, duke përfituar në total 4.1 miliardë lekë, si operator i vetëm, pa llogaritur të tjerat që janë fituar me bashkimin e shoqërive. Vetëm në bashkinë e Tiranës, firma e cila zotërohet nga Shkëlqim Fusha ka fituar 35 kontrata, që nga ndërtimi i sheshit Skënderbej, pastrimin e pjesës perëndimore të kryeqytetit, urës së Menikut etj. Jo drejtpërdrejt, kompania u bë objekt sulmi gjatë përplasjeve dhe protestave të zgjatura për ndërtimin e godinës së re në themelet e Teatrit Kombëtar.

Në tenderin e radhës, kompania me tagrin që i jep bashkia do të marrë përsipër pastrimin e 52,454.00 m², sipërfaqe kjo e terminaleve nën dhe mbitokësore. “Shërbimi i fshirjes me krahë e shesheve dhe terminaleve do të realizohet me krahë 4 herë në javë nga Operatori i Shërbimit, i cili gjithashtu do të kryejë dhe të gjitha shërbimet e tjera mbështetëse të parashikuara në metodologji për të gjitha sipërfaqet e përcaktuara që janë parashikuar në listën e shesheve dhe terminaleve me volumet e tyre për shërbimin e fshirjes”, thuhet në dokumentin specifik të kontratës, ndërsa shërbimi do të do të mbyllet në 31 dhjetor të këtij viti. Ndërkohë, operatorit i vendosen dhe kushte për këtë shërbim, por që me shumë gjasë ato do të plotësohen, të paktën parimisht.  “Për asnjë rast nuk do të lejohen sheshe dhe terminale të papastruara apo mbeturina të pa larguara në to. Në të gjitha rastet kur evidentohen bllokime apo pengesa nga faktorë të jashtëm të cilat nuk mund të pastrohen me operacionet e parashikuara në metodologji, operatori i shërbimit duhet të njoftojë menjëherë dhe të marrë masa për pastrimin e tyre jo më vonë se 3 orë nga orari i përfundimit të shërbimit, i përcaktuar në grafik”.

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Vija fatale e Ballkanit

Blerim Latifi Gjatë historisë, njerëzit në Ballkan kanë vuajtur nga një lloj fataliteti gjeopolitik. Ky fatalitet ka të bëjë me…

Abissnet