Veliaj emëron 24 administratorët e kryeqytetit, ja kush janë

Erion Veliaj, në prezantimin e 24 administratorëve të rinj të Tiranës (1)Suela Topi

[email protected]

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj emëroi dje 24 administratorët e rinj të kryeqytetit. Ndërsa bëri prezantimin e secilit prej tyre dhe u dorëzoi vulat, kryebashkiaku premtoi se tashmë në administratë nuk do të valëviten flamuj partish, por do t’i shërbehet çdo qytetari. Ai kërkoi përkushtim nga administratorët, duke pohuar se edhe qëndrimi në punë do të varet nga puna që do të bëjë gjithsecili. Nisur nga reagimet për përdorimin e transportit publik në ditën e dytë të punës, Veliaj tha se “gaztorët nuk ia kanë dalë kurrë të ndryshojnë gjë”, këtë, tha ai, e kanë bërë administratorët. Ai u kërkoi 24 administratorëve që të inspektojnë personalisht shërbimet publike pasi vetëm kështu do t’ia arrijnë të përmirësojnë këto shërbime për qytetarët.

Emërimi i administratorëve

Ndërsa u dorëzoi vulat 24 administratorëve të rinj, kryebashkiaku Veliaj kërkoi angazhim të plotë nga secili prej tyre për të ofruar shërbimin e duhur për qytetarët. “Reforma në teori i ka bërë komunat pjesë të Tiranës, tani është koha që në praktikë ky dallim të mos ekzistojë. Pra të mos kemi më shërbime të diferencuara, shkolla, rrugë apo transport publik me standarde të ndryshme. I gjithë çelësi i suksesit tonë do të jetë që i njëjti standard që ofrohet në qendër të Tiranës të ofrohet në çdo çep të saj”, – deklaroi Veliaj. Ai paralajmëroi ndërkohë administratorët se qëndrimi në detyrë do të varet nga detyra e tyre.

“Kjo nuk është një kontratë pa limit. Kjo është një kontratë në bazë të performancës. Si për çdo pozicion ku ka të emëruar, pritet që ai që emërohet të performojë si kusht për të vazhduar këtë bashkëpunim e këtë kontratë që ne lidhim sot”, – deklaroi kryetari i bashkisë duke theksuar se vlerësimi për administratorët do të jepet prej vetë qytetarëve që do të marrin shërbimin. Veliaj theksoi se emërimi brenda 24 orëve i administratorëve u krye me qëllim që qytetarët të mos privohen nga shërbimet bazë të njësisë. Në vijim ai ka kërkuar nga secili prej administratorëve që të lërë mënjanë flamurin e partisë dhe t’i shërbejnë qytetarëve, pa asnjë dallim.

“Nga ky moment 24 administratorët janë 24 administratorët e bashkisë së Tiranë. Në administratë do të valëviten vetëm dy flamuj, i Republikës së Shqipërisë dhe i bashkisë së Tiranës, flamujt e partive do t”i parkojmë për fushatë e radhës. Siç funksionuam në fushatë, ekipi ynë do të jetë unik”, – tha Veliaj. Kreu i ri i bashkisë siguroi se me ndryshimin e funksionimit të bashkisë pas reformës territoriale, shërbimi për qytetarët nuk do të ndërpritet për asnjë moment dhe u kërkoi administratorëve që të jenë në shërbim të çdo qytetari. “Në momentin e parë që në bashkinë e Tiranës vjen dikush dhe kërkon certifikatë sepse nuk gjen hapur njësinë, apo kërkon shpjegim, apo ndihmë kjo është shenja e parë që njësia nuk funksionon. Nëse doni që kjo marrëdhënie të jetë serioze dhe afatgjatë, do të doja aq asnjë qytetarë të mos largohet pa shërbim.

Në njësitë administrative, ju jeni bashkia e Tiranës”, – tha Veliaj. Më tej nisur nga reagimet për përdorimin e transportit publik në ditën e dytë të punës, Veliaj tha se “gaztorët nuk ia kanë dalë kurrë të ndryshojnë botën”, këtë tha ai e kanë bërë administratorët. Ai u kërkoi 24 administratorëve që të inspektojnë personalisht shërbimet publike pasi vetëm kështu do t’ia arrijnë të përmirësojnë këto shërbime për qytetarët. “Edhe kur ju të shkoni në autobus, me këmbë, me biçikletë, nuk vë njeri në dyshim që nuk keni një makinë por është e vetmja mënyrë se si ne mund të kontrollojmë shërbimet që kanë dalë jashtë kontrollit në katër vitet e fundit. Ndaj për të gjitha këto shërbime duhet të shikoni vetë si funksionon.

Është vendi tipik ku parimi ‘frika ruan vreshtin’ funksionon më mirë se në çdo vend tjetër. Përtej legjislacionit duhet të kuptojmë se ne duhet të merremi personalisht me çdo shërbim”, tha kreu i bashkisë. Ai paralajmëroi se që nga java tjetër do të nisin disa aksione si ai i pastrimit të Tiranës. Por kryebashkiaku shtoi, se para se të kërkohet kontributi i qytetarëve duhet të vërtetohet se bashkia ka bërë maksimumin gjë që nuk ka ndodhur në këto katër vite. Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Blendi Çuçi, i cili ishte i pranishëm në këtë ceremonia u shpreh se administratorët e bashkisë së Tiranës, janë hallka më e rëndësishme për funksionimin e reformës territoriale. “Administratorët janë ndoshta krahu më i rëndësishëm i kryetarit të Bashkisë dhe mendoj që do jenë njerëzit që në fazën e parë të konsolidimit të bashkisë së Tiranës, do të jenë në rolin kryesor”, – u shpreh Çuçi.

  1. Administratore e njësisë nr.1 ­ Trendelina Jaku
  2. Administrator i njësisë nr. 2 ­ Elez Gjoza
  3. Administratore e njësisë nr. 3 ­ Ergesta Nika
  4. Administratore e njësisë nr. 4 ­ Liri Qoshi
  5. Administratore e njësisë nr. 5 ­ Violeta Kika
  6. Administrator i njësisë nr. 6 ­ Adriatik Merko
  7. Administratore e njësisë nr. 7 ­ Gjinovefa Kadria
  8. Administrator i njësisë nr. 8 ­ Erjon Xhafa
  9. Administratore e njësisë nr. 9 ­ Adelina Albrahimi
  10. Administrator i njësisë nr. 10 ­Arian Hamiti
  11. Administrator i njësisë nr. 11 – Gentian Arapi
  12. Administrator në Petrelë – Sokol Kupi
  13. Administrator në Farkë – Admir Abrija
  14. Administrator në Dajt – Kujtim Qefalia
  15. Administrator në Zall­Bastar – Genc Sita
  16. Administrator në Bërzhitë – Refik Velia
  17. Administrator në Krrabë – Alfred Brahja
  18. Administrator në Baldushk – Ilir Bermeta
  19. Administrator në Shëngjergj – Shpëtim Sina
  20. Administrator në Vaqarr – Gentian Myrtaj
  21. Administrator në Kashar – Erin Çatri
  22. Administrator në Pezë – Besmir Kola
  23. Administrator në Ndroq – Xhavit Çeka
  24. Administrator në Zall­Herr – Arben Maloku

<a href=”http://imgur.com/BUx4JM0″><img src=”http://i.imgur.com/BUx4JM0l.jpg” title=”source: imgur.com” /></a>

Kryebashkiaku me urban drejt zyrës, firmos shkarkimin e Hoxhës

Erjon Veliaj ka zgjedhur transportin publik për të shkuar nga banesa e tij drejt zyrës së kryebashkiakut të Tiranës. Si të gjithë qytetarët e tjerë, Veliaj ka pritur autobusin e linjës së Tiranës së Re për të shkuar në bashki. Edhe pse i veshur thjesht, kryetari i bashkisë ka ngjallur kuriozitetin e udhëtarëve të tjerë që e kanë filmuar dhe kanë postuar videon në rrjetet sociale. E duket se menjëherë pas mbërritjes në zyrë, qytetari i parë i Tiranës, ka firmosur mbajtjen e një premtimi dhënë në fushatën elektorale, shkarkimin e kreut të Inspektoratit Urbanistik Vendor, Florenc Hoxhës. Në ditën e dytë të punës Veliaj ka firmosur largimin e tij por dhe emrin e personit që do ta zëvendësojë. Në krye të INUV-it, është emëruar Skerdi Drenova, i cili është me profesion inxhinier dhe ka punuar disa vite në media.

Prej kohësh ai është marrë me biznes. Drenova me marrjen e detyrës do të kryej një audit për të parë gjendjen në të cilën ndodhet sot kjo strukturë në varësi të bashkisë. Kryetari i bashkisë ka zgjedhur edhe drejtorin e Drejtorisë së Tatimeve. Në këtë pozicion është emëruar Arli Naska, i cili ka punuar si drejtues në disa institucione të rëndësishme dhe degë bankash të nivelit të dytë në Shqipëri. Së fundmi, Arli Naska ka qenë administrator i një kompanie private. Ndërsa në krye të Policisë Bashkiake të Tiranës është emëruar Ermal Kapllani. I sapozgjedhuri në këtë detyrë ka mbaruar Akademinë e Lartë të Policisë në vitin 2000 me rezultate të shkëlqyera dhe prej 15 vitesh është drejtues i spikatur në Policinë e Shtetit, ku ka mbajtur detyra të rëndësishme. Së fundi, ai ka mbajtur pozicionin e zëvendësdrejtorit të policisë së qarkut Korçë dhe aktualisht punon në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Vendimi, zbardhen pagat për administratorët e njësive vendore

Zbardhen pagat që do të marrin 323 administratorët e njësive vendore në të gjithë vendin. Sipas vendimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, paga më e ulët e një administratori do të jetë 37 400 lekë në muaj dhe paga më e larta do të jetë 92 500 lekë në muaj, kjo në bazë të numrit të banorëve të njësisë përkatëse që ai do të administrojë.

Ndryshimet në vendimin e vitit 2008 të Këshillit të Ministrave, “Për klasifikimin e funksioneve, grupimin e njësive të qeverisjes vendore për efekt page dhe caktimin e kufijve të pagave të punonjësve të organeve të qeverisjes vendore”, janë firmosur nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani dhe bashkëfirmosur nga ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito. Këto ndryshime të cilat më pas kanë marrë dhe miratimin e qeverisë, përcaktojnë që kufijtë e pagave, minimalë e maksimalë për administratorin e njësive administrative do të ndahen në 3 kategori, në bazë të numrit të banorëve.

Kështu për njësitë administrative me 20001 deri 50000 banorë, administratori do të paguhet 51 500 lekë deri 92 500 lekë. Për njësitë administrative me 5001 deri 20000 banorë, administratori do të paguhet nga 41 400 lekë deri 79 500 lekë. Për njësitë administrative me më pak se 5000 banore, administratori do të paguhet nga 37 400 lekë deri 56 100 lekë. Ministria e Financave ka sqaruar se zbatimi i këtij vendimi nuk ka efekte financiare shtesë, pasi për pagat e administratorëve do të përdoren fondet e pagave të përdorura për funksionin “kryetar” në njësitë e qeverisjes vendore që, deri para miratimit të ndryshimeve ligjore, ishin komuna dhe aktualisht nuk do të jenë më të tilla.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet