Vdesin në spital nëna dhe foshnja

Nga Nikoleta Kovaçi

Kukës, vdesin në maternitet nëna 39-vjeçare bashkë me foshnjën, lë jetime gjashtë vajzat e saj. Nurije Poçi ndërron jetë në spital. Familjarët refuzojnë të marrin trupin pa kryer ekspertizën e gruas. Drejtori i spitalit fajëson viktimën: Gruaja dëmtoi barrën për arsye ekonomike! Ishte rëndë kur mbërriti në spital!

 Sërish gra që vdesin në sallën e operacionit. Sërish foshnje që lindin të pajeta dhe sërish nën akuzë vihet viktima. Gruaja në fakt ka ndërruar jetë në sallën e operacionit ndërsa mjekët kanë bërë me dije ditën e djeshme se ajo ka tentuar vetë të kryej abort për shkak se ajo i kishte kushtet e vështira ekonomike. Asnjë e dhënë tjetër nuk është mësuar në lidhje me viktimën e djeshme e cila la në mes të katër rrugëve 6 vajzat e saj dhe të bashkëshortit të saj, Dogjan Poçit. Kanë qenë personat e familjes së Poçit që kanë treguar se Nurija, 39 vjeçe ka ndërruar jetë për mungesën e kujdesit të mjekëve, fakt që e kanë mohuar jo vetëm drejtuesit e spitalit por edhe mjekët. Ata kanë dalë ditën e djeshme duke dhënë edhe një sërë hollësirash që lidhen me punën e tyre në momentin që e kanë futur në sallë 39-vjeçaren, e cila kishte shkuar në gjendje të rënduar. Asnjë reagim organesh kompetente ndërsa pritet fjala e ekspertëve mjeko-ligjor për të përcaktuar shkakun real të vdekjes edhe pse vështirë të pranohet që mjekët kanë gabuar apo kanë neglizhuar pacienten që kishte tentuar të hiqte fëmijën e shtatë.

Ngjarja

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak pas mesnate në maternitetin e Kukësit. Një nënë 39-vjeçare dhe foshnja e saj kanë ndërruar jetë. Policia e Kukësit nuk ka dalë edhe me një njoftim zyrtar, pas interesimit të familjarëve, deklarohet se vdekjet kanë ardhur për shkaqe natyrale. Familjarët kanë dyshime për atë çfarë ka ndodhur dhe presin me padurim kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore. Ata nuk kanë tërhequr ende trupin e Nurije Poçit nga morgu i spitalit. Sakaq, policia sqaron se gruaja sillte në jetë fëmijën e saj të shtatë, një foshnjë e seksit mashkull që ka lindur i vdekur. Pas kësaj ka ndërruar jetë edhe nëna. Familjarët thonë se ngjarja është e dyshimtë, ndaj edhe kërkojnë hetime të mëtejshme për rastin aq sa kanë refuzuar ta marrin në shtëpi pa u kryer të gjitha ekspertimet mjeko-ligjore. Sipas të dhënave të para ka dyshime që bëhet fjalë për një tentativë e gruas për të abortuar vetë dhe në kushte shtëpi, por kanë qenë familjarët që i kanë kundërshtuar mjekët për këtë fakt meqë fëmija ishte djalë dhe se gruaja ishte nënë e 6 vajzave dhe se për asnjë arsye nuk mund të kërkonte abortin e atij fëmije.

Mjekët

Kështu një ditë pas ngjarjes tragjike në maternitetit të Kukësit ku humbën jetën nëna 39-vjeçare dhe foshnja i palindur, detaje të reja mësohen për gjendjen e saj dhe shkaqet e vdekjes. Duke iu referuar mjekëve të maternitetit se pacientja me inicialet Nurije Poçi, u paraqit në urgjencën e maternitetit Kukës, më datë 11.3. 2018 në gjendje të rëndë shëndetësore, me diagnozën fetus morti me laceracion dhe rupturë të shprehur të uterusit. Ajo është reanimuar dhe është ndërhyrë menjëherë në sallën e reanimacionit nga ekipi i mjekëve gjinekologë, kirurgë dhe anestezistë reanimatorë. Sipas mjekëve mësohet se pacientja ka tentuar disa herë në shtëpi të dëmtojë barrën për shkak të problemeve sociale dhe është paraqitur në spital të gjendje të rënduar me hemorragji. Gjatë ndërhyrjes kirurgjikale ka vijuar gjendja e rëndë e pacientes të cilës gjatë kësaj kohe i është dhënë 5 njësi gjak dhe 3 njësi plazëm por ka qenë pa puls periferik gjatë gjithë kohës. Pavarësisht përpjekjeve të mëdha të ekipit mjekësor e sëmura ndërroi jetë në ora 01 e 30 të natës. Nga ana tjetër policia deklaron se është njoftuar sot në orën 08:30, nga Spitali Rajonal Kukës, se në orët e para të mëngjesit, në maternitetin e Kukësit, gjatë lindjes ka gjetur vdekjen shtetasja Nurije Poçi, banuese në Kukës, së bashku me foshnjën. Trupi i pajetë i nënës dhe foshnjës, ndodhen në morgun e spitalit të Kukësit, ndërsa familjarët kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Hetimet

Sipas të dhënave hetimore mësohet se gruaja që humbi jetën në maternitetin e Kukësit jetonte në një varfëri të skajshme. Ajo kishte 6 fëmijë, më e madhja ndër ta vetëm 15 vjeçe. Pas saj, Nurija kishte edhe 5 vajza të tjera ndërsa mësohet se në shtatzëninë e 7 kishte djalë dhe se familjarët kanë pretenduar se e priste me shumë dëshirë. Ata kanë mohuar faktin që gruaja ta ketë vrarë me vetëdije foshnjën në barkun e saj e për pasojë kanë kërkuar nga policia dhe prokuroria ta hetojnë ngjarjen dhe të merren masa për mjekët e Kukësi. Ishin drejtori dhe mjekët e spitalit të cilët kanë mbështetur versionin e njëri tjetrit në lidhje me ngjarjen dhe shkaqet e vdekjes duke e lënë me faj vetëm viktimën dhe sipas tyre gjithë puna e tyre ishte kryer korrekt. Tashmë do të jenë mjeko-ligjorët që do të thonë fjalën e fundit për të verifikuar pretendimet e familjare.

Të tjera

Leksioni i Studentëve

Nga Zef Bushati Përtej kryefjalës së këtyre ditëve “student” dhe përpjekjeve të kuptueshme për pronësimin politik të protestës, e cila…

Abissnet