Vdekja e 25-vjeçares pas lindjes, reagon spitali: Pacientja ka ardhur me urgjencë

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Elbasan, ku një 25-vjeçare ka ndërruar jetë pasi solli në jetë fëmijën e saj të parë, ka ardhur edhe reagimi i qendrës spitalore.

Sipas deklaratës së spitalit, e reja ka mbërritur për lindje rreth orës 10.25 të ditës së sotme dhe fëmija ka ardhur në jetë rreth orës 11.50.

Në deklaratën për mediat thuhet se pacientja Rexhina Debrova ka pësuar komplikacione postoperator trombemboli pulmonare, e papajtueshme me jetën.

“Duke shprehur ngushëllimet familjarëve për humbjen e 25-vjeçares R. D., Spitali rajonal Elbasan sqaron opinionin publik ne lidhje me humbjen e jetës së 25-vjeçares” si vijon:

Pacientja R. D. u paraqit në spital më datë 22.04.2019 në orën 10:25 paradite.

Pacientja ka ardhur me urgjencë në spital, me barrë të vonuar 42-javëshe dhe është futur në sallë, ku mjekët asistuan lindjen e fëmijës, i cili erdhi në jetë në orën 11:50.

Foshnja u reanimua dhe gëzon shëndet të mirë.

Stafi mjekësor ka dhënë trajtimin e duhur mjekësor, por nëna e re dyshohet se pësoi komplikacion postoperator trombemboli pulmonare, e papajtueshme me jetën.

Aktualisht priten rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore për shkakun e vdekjes së nënës”, deklaron spitali.

Kujtojmë se pas ngjarjes, familjarët hodhën akuza në drejtim të mjekëve, që sipas tyre janë treguar të pakujdesshëm.

Sipas tyre, pas përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore, gjinekologu ka kërkuar ndihmë nga kolegët e kardiologjisë sepse ka konstatuar probleme me zemrën. Familjarët pretenduan se mjeku kardiolog ka mbërritur me vonesë, ndërsa nëna e re ndërroi jetë një orë pas lindjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet