Vdekja e 25-vjeçares pas lindjes, arrestohen 2 mjekët (Emrat)

Pas ngjarjes së rëndë ku një 25-vjeçare ndërroi jetë 1 orë pasi solli në jetë fëmijën e saj të parë, ka ardhur edhe arrestimi i 2 mjekëve të spitalit të Elbasanit.

Mësohet se në pranga kanë rënë mjeku reanimator Nikollaq Thamo dhe mjeku kardiolog Mehmet Ibaj.

Spitali Rajonal i Elbasanit në një deklaratë për mediat tha se pacientja Rexhina Debrova ishte paraqitur në spital me urgjencë dhe se ajo kishte pësuar komplikacione pas operacionit.

“Duke shprehur ngushëllimet familjarëve për humbjen e 25-vjeçares R. D., Spitali rajonal Elbasan sqaron opinionin publik ne lidhje me humbjen e jetës së 25-vjeçares” si vijon:

Pacientja R. D. u paraqit në spital më datë 22.04.2019 në orën 10:25 paradite.

Pacientja ka ardhur me urgjencë në spital, me barrë të vonuar 42-javëshe dhe është futur në sallë, ku mjekët asistuan lindjen e fëmijës, i cili erdhi në jetë në orën 11:50.

Foshnja u reanimua dhe gëzon shëndet të mirë.

Stafi mjekësor ka dhënë trajtimin e duhur mjekësor, por nëna e re dyshohet se pësoi komplikacion postoperator trombemboli pulmonare, e papajtueshme me jetën.

Aktualisht priten rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore për shkakun e vdekjes së nënës”, deklaron spitali.

Kujtojmë se pas ngjarjes, familjarët hodhën akuza në drejtim të mjekëve, që sipas tyre janë treguar të pakujdesshëm.

Sipas tyre, pas përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore, gjinekologu ka kërkuar ndihmë nga kolegët e kardiologjisë sepse ka konstatuar probleme me zemrën. Familjarët pretenduan se mjeku kardiolog ka mbërritur me vonesë, ndërsa nëna e re ndërroi jetë një orë pas lindjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet