Valltarët Rexhep Çeliku dhe Liljana Cingu marrin titullin “Nderi i Kombit”

Publikuar më 08. 01. 2018 nga Eno Shkëmbi

Presidenti i Republikës Ilir Meta dekoron Rexhep Çelikun dhe Liljana Cingun me dekoraten e lartë Nderi i Kombit. Në një ceremoni në Presidencë kreu i shtetit vlerësoi artistët  e shquar të valles dhe kulturës shqiptare.

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar me dekoratën ‘Nderi i Kombit’ dy valltarët e Ansamblit Kombëtar të Valleve, Rexhep Çeliku dhe Liljana Cingu për kontributin ndër vite.

Presidenti Ilir Meta vlerësoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” dy emblemat e jashtëzakonshme të artit dhe kulturës së kombit shqiptar, dy figurat, dy personalitetet që, me pasion, përkushtim, vetëmohim dhe punë të palodhur janë kthyer në simbole mbarëkombëtare:

“Perëndeshën e valles” Liljana Cingu, në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si soliste me nivel të lartë artistik dhe mjeshtëri të veçantë në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit si dhe përçimin e folklorit tonë tek brezat e artistëve të rinj” si dhe “Shqipen fluturuese”, Rexhep Çeliku, në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj.

Gjatë fjalës së Tij drejtuar të pranishmëve, mes të cilëve ishin miq, kolegë e familjarë të dy artistëve, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, kreu i KLSH-së Bujar Leskaj, deputetë e personalitete të artit e kulturës, Presidenti Meta u shpreh se Liljana Cingu dhe Rexhep Çeliku kanë dhënë gjithçka nga jeta e tyre që vallja jonë popullore të duartrokitej e të ngrinte peshë zemrat e  te gjithë shqiptarëve, kudo në botë. 

“Ata ngritën në këmbë dhe pushtuan zemrat e spektatorëve të skenave më të rëndësishme ndërkombëtare duke u njehsuar me vlerat dhe bukurinë e artit, muzikës dhe trashëgimisë sonë, duke u bërë ambasadorë të shkëlqyer të kulturës sonë në botë.

Në çdo shfaqje e festival ku kanë marrë pjesë, ata kanë shpalosur me interpretimin e tyre vlerat më të larta të artit koreografik shqiptar,” – theksoi Presidenti Meta.

Presidenti i Republikës nënvizoi gjithashtu se: “asnjëherë nuk do të mjaftonin fjalët dhe aktet për të shprehur atë që këta dy simbole të kulturës sonë meritojnë në vlerësim të veprës dhe kontributit të tyre mbarëkombëtar.”