Valdrin Pjetri, i Berishës dhe i Ramës

Partia “Zgjidhja” e drejtuar nga Koço Kokëdhima, ka reaguar lidhur me rastin “Valdin Pjetri”, duke shprehur neveri mbi taktikat e ndyra të Edi Ramës dhe “Rilindjes” që gjoja distancohet prej njerëzve me të shkuar kriminale, edhe pse e ka ditur shumë mirë të vërtetën.

“Zgjidhja” prej kohësh ngulmon për reformimin e sistemit politik në Shqipëri, që kandidatët për kryetarë bashkie, apo për deputetë të mos dalin nga xhepat e kryetarëve, por nga vota direkte e bazës së anëtarësisë dhe e qytetarëve pa parti, theksohet në deklaratë.

Deklarata e plotë

Edi Rama e shiti sot Valdrin Pjetrin, kryetarin e bashkisë Shkodër, me votimet farsë të 30 qershorit, duke u shprehur se ‘…deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht’.

‘Zgjidhja’ shpreh neverinë për Rilindjen dhe për taktikat e saj të ndyra, kur gjoja distancohet prerazi prej njerëzve me të shkuar kriminale që denoncohen edhe pse e ka ditur shumë mirë të vërtetën e tyre kur i ka ngritur në pushtet. Përgjatë 6 viteve në pushtet Rama ka promovuar dhe mbrojtur stoikisht figura të lidhura me krimin, që kanë kryer vepra të rënda penale, por më në fund i ka braktisur. I tillë është edhe rasti i Valdrin Pjetrit të dënuar nga gjykata e Firences në 12 qershor 2003 për shpërndarje dhe prodhim të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim.

Karriera e tij në administratën shtetërore implikon njëlloj si Rilindjen dhe SHQUP-in. Ky person i dëbuar nga Italia, gjatë qeverisjes së Berishës në vitet 2010-2014 kishte detyrën e Administratorit të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (ligji Anti Mafia dhe Financim Terrorizmi). Më pas, në qeverinë e Ramës, mbajti pozicionin e Drejtorit të Drejtorisë së Pronave, Kryetar i Komisionit të Demontimit të Municioneve dhe Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse në Minitrinë e Mbrojtjes. Nga janari në maj 2018 ishte kryeregjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe më pas Prefekt në Shkodër.

‘Zgjidhja’ prej kohësh ngulmon për reformimin e sistemit politik në Shqipëri, që kandidatët për kryetarë bashkie, apo për deputetë të mos dalin nga xhepat e kryetarëve, por nga vota direkte e bazës së anëtarësisë dhe e qytetarëve pa parti. Vetëm në këtë mënyrë do t’i jepet mundësi popullit që të zgjedhë bijat dhe bijtë më të mirë. Ndryshe, kandidatët e elitës së vjetër politike do të zgjidhen gjithmonë njerëzit e dënuar brenda dhe jashtë Shqipërisë për vepra të rënda penale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet