Vajzat e mira që u lidhën me “djem të këqinj”

Publikuar më 01. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Klevis Deda

Dhjetra çifte që bënë bujë dhe patën funde të trishta. Pak a shumë si historia e ditëve të fundit, mes Viola Spiros dhe Valentin Selajt, të dënuar për trafik të lëndëve narkotike

Figurat e njohura të ekranit dhe yjet e muzikës janë shquar gjithmonë për historitë e tyre të lidhjeve dashurore. Lidhja e një këngëtareje apo reperi përbën një interes të madh nga fansat e tyre. Jeta private e tyre është në qendër të vëmendjes nga mediat. Privatësia e personazheve të shquara përbën një lajm edhe në vendin tonë. Pak ditë më parë mediat shqiptare raportuan arrestimin e të dashurit të moderatores Viola Spiros, Valentin Selajt. Ai u arrestua për trafik të lëndëve narkotike dhe prostitucion. Ishte një lidhje tipike, si më parë, mes një vajze të mirë dhe të “djali të keq”, siç janë me dhjetra raste, në Shqipëri dhe nëpër botë.

Lidhje të tilla të vajzave të njohur të skenës shqiptare janë të shumta, madje në disa raste janë bërë edhe publike. Ata janë joshur nga djemtë e pasur dhe përveç dashurisë kanë përfituar edhe anën financiare. Këngëtarja nga Kosova, Adelina Ismaili ka qenë në një lidhje dashurie me Triumf  Rizën, policin që u ekzekutua në vitin 2007 nga banda e Enver Sekiraqës. Ky atentat flitej se ishte urdhëruar nga Sekliraqa, i cili mendohej se kishte pasur një lidhje me këngëtaren nga Kosova. Dafina Zeqiri është një tjetër artiste e cila nuk pati fat në dashuri. Ajo ka qenë e lidhur me Krenar Çoçajt.

Ata u ndanë në vitin 2011 dhe pas një viti biznesmeni nga Kosova u përlesh me këngëtarin Ledri Vula. Ky i fundit deklaroi para trupës gjykuese se shkaku i sherrit ishte xhelozia e Krenarit. Kjo pasi më pas u lidh Ledri me Dafinën. Gjyqi mes tyre u mbyll me dënimin e Çoçaj për 6 muaj, dënimi u konvertua në një gjobë prej 20 euro dita. Një tjetër këngëtare e famshme, Rezarta Shkurta nuk e kishte fatin e saj në dashuri. Bashkëshorti i saj, Ermal Hoxha ndodhet aktualisht në burg për shkak se ishte i përfshirë në përpunimin e lëndëve narkotike.

Arta Bajrami ishte në një lidhje me Xhemajl Xhimi Sekiraqa i cili u arrestua në një qendër tregtare në Prishtinë për armëmbajtje pa leje. Ai ishte në kërkim nga Interpoli pasi dyshohej se ishte i përfshirë në një vjedhje ari në Kuvajt ku ishin përfshirë edhe disa shqiptarë të Kosovës. Këngëtarja me origjinë shqiptare, Anna Oxa pati krijuar një lidhje dashurie me Marco Sansonetti.

Ky i fundit u arrestua nga policia zvicerane në muajin shkurt të këtij viti. Mediat italiane shkruanin se 36-vjeçari me origjinë nga Brindisi u arrestua nën akuzën e akteve të dhunës dhe rrëmbim personi. Sansonetti ka qenë bashkëshorti i katërt i këngëtares Anna Oxa. Regjisorja Inis Gjoni ka pasur një histori shumë të trishtë.

Bashkëshorti i saj Arian Selimi u vra gjatë një sulmi me armë në vitin 2011. Biznesmeni ishte i njohur edhe me emrin Armando Andoni. Ai nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë për në vitin 2004 është arrestuar për dyshim të lëndëve narkotike.  Në kohën kur ai u ekzekutua, Inisi ishte në muajin e 6 të shtatzanisë.

Majlinda prezanton partnerin

Lidhja dhe ndarja mes reperit Majk dhe Majlinda Zeka ka bërë bujë të madhe në media. Majlinda vazhdon të jetë aktive  në rrjetet sociale dhe publikon shpesh herë foto të djalit të saj, Roan. Ajo ka publikuar një foto në InsaStory me djalin e saj. “Partneri im në krim”, shkruan Majlinda në foto. Majk dhe Majlinda ishin një çift shumë i lumtur por më pas marrëdhëniet mes tyre u prishën në momentin kur Majlinda mbeti shtatzëne. Pas ardhjes në jetë të fëmijës së tyre, ajo e pagëzoi me emrin Roan.

Ajo e regjistroi djalin me mbiemrin e saj dhe jo të Majkut. Edhe pse ata janë të ndarë, kujdesen së bashku për fëmijën. Përfundimi i kësaj lidhje erdhi si pasojë e xhelozisë. Pas ndarjes së tyre, Majk dhe Majlinda vendosën të fshinin të gjitha fotot e tyre të përbashkëta. E çuditshme është fakti që ata e mbajtën të fshehur lidhjen e tyre dhe kur bënë gjithçka publike u ndanë.