Urgjencat kardiake, shenjat paralajmëruese dhe menaxhimi i tyre

Nga Dr. Lulzim Çela

Dëmtimi ose sëmundja akute që rrezikon jetën e personit apo shëndetin të mëtejshëm të tij. Shpjegimet e mjekut kardiolog për çrregullimet e rrezikshme për jetën, që duhet të njihen menjëherë, në mënyrë që të shmangen vonesat në trajtim

“Urgjenca mjekësore” është një dëmtim ose sëmundje akute që përbën një rrezik të menjëhershëm të jetës së personit apo të shëndetit të mëtejshëm të tij. Dr. Lulzim Çela, mjek kardiolog prej 20 vitesh në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, shprehet se “urgjencat kardiovaskulare janë çrregullime të rrezikshme për jetën, të cilat duhet të njihen menjëherë, në mënyrë që të shmangen vonesat në trajtim si dhe për të minimizuar sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë. Nevoja për shërbimin e urgjencës mjekësore përfundon me stabilizimin e gjendjes shëndetësore të pacientit ose me shtrimin e tij në spital.

Arresti kardiak

Në disa raste një komplikacion i quajtur aritmia ventrikulare bën që zemra të kalojë në spazmë dhe ndalon së rrahuri, kjo gjendje njihet si arresti kardiak i menjëhershëm. Një arrest kardiak ndodh kur rrahja mekanike e zemrës ndalon papritur dhe ky është rast urgjent, sepse vdekja ndodh nëse nuk ndërhyhet brenda pak minutave. Arresti kardiak nuk është infarkt edhe pse mund të çojë në një të tillë. Infarkti shkaktohet nga një arterie e bllokuar që ndërpret furnizimin me gjak të muskulit të zemrës.

Kjo nuk është domosdoshmërisht vdekjeprurëse. Arresti kardiak ndodh kur ritmi i zemrës ndërpritet. Shansi për të mbijetuar është më pak se 6 për qind, kur ndodh jashtë mjedisit të spitalit. Ndaj edhe qytetarët e thjeshtë duhet të jenë të informuar rreth disa teknikave sesi të jepet ndihma e parë. Pra si të japin frymëmarrjen artificiale që ta bëjnë zemrën të filloi përsëri të punojë. Manovrat e ringjalljes pёrfshijnё manovrat bazë tё suportit tё jetёs (Basic Life Support-BLS), tё cilat aplikohen menjёherё. Qёllimi i BLS ёshtё qё tё sigurojë ventilacionin e emergjencёs dhe perfuzionin sistemik nёpёrmjet ringjalljes zemёr-mushkёri (Cardio Pulmonary Resuscitation-CPR).

Simptomat që paralajmërojnë një goditje në zemër janë:
Dhimbje gjoksi
Ndjesi presioni në gjoks
Kur dhimbja fillon të përhapet edhe në krah, nofull
Marrje mendsh
Djersitje
Marrje fryme
Ndjesi të vjelli ose të vjella
Ndjenjë paniku
Kollitje e vështirë

Krizat hipertensive

Shenjat më të shpeshta klinike që ankojnë këta të sëmurë janë :
Dhimbja e kraharorit
Vështirësia në frymëmarrje
Difiçiti neurologjik.

Midis ankesave kardiake më të shumtat kanë të bëjnë me anginën e kraharorit të paqëndrueshme, infarktin akut të miokardit dhe edemën mushkërore akute. Ankimet neurologjike kanë të bëjnë me infarktin ose hemoragjinë cerebrale (dhimbje koke okcipitale, vjellje, konfuzion mendor, konvulsione dhe retinopati me edemë papilare. Më së pari duhet vendosur se kemi të bëjmë me një Emergjencë apo Urgjencë HTA (hipertensioni arterial) mbi bazën, jo vetëm të vlerave të larta të TA (tensioni arterial), por dhe mbi bazën e pranisë ose jo të shfaqjeve të prishjes funksionale progresive të organit në shënjestër. Së dyti, gjendja duhet dalluar nga HTA dytësor, nga masat intrakraniale, traumat e kokës, epilepsia, vaskuliti cerebral nga sëmundjet e indit konjunktiv, si lupusi, si dhe nga anksieteti akut dhe krizat e panikut.

Mjekimi i emergjencës HTA

Pacientët me emergjencë HTA duhen dërguar urgjentisht në spital. Menjëherë të fillohet mjekimi nën monitorim të aktivitetit kardiak. Gjithashtu duhen bërë vlerësimet neurologjike e renale. Pikësynimi i mjekimit është ulja e TA mesatar në masën jo më shumë se 25% brenda disa minutash ose 1 ore. Më pas nëse gjendja është e qëndrueshme mund të tentohet ulja e mëtejshme e TA deri në 160/110-100 mmHg brenda 2 deri 6 orësh.

Duhet shmangur me doemos ulja e tepruar e TA për të mos përkeqësuar perfuzionimin e organit në shënjestër të dëmtuar. Kur gjendja e përmirësuar e të sëmurit mbetet klinikisht e qëndrueshme dhe nëse tolerohet gjatë 24- 48 orëve të ardhshme, TA mund të shtyhet drejt nivelit normal. Është e kuptueshme që terapia duhet zgjedhur në pajtim me organin në shënjestër të dëmtuar dhe me sëmundjet bashkekzistuese.

Pacientët me Urgjencë HTA mund të mjekohen në shtëpi. Nuk është e detyrueshme që ata të shtrohen në spital. Ato mund të përfitojnë nga përdorimi i barnave hipotensive me veprim të shkurtër. Pikësynimi i mjekimit është ulja e TA deri në masën 25% të TA mesatar brenda 24 orësh, korrigjimi i mjekimit të mëparshëm, ose fillimin e mjekimit në qoftë se ai ka qenë i pa mjekuar. Një i sëmurë i tillë duhet rishikuar brenda 3-5 ditësh për të rishikuar mjekimin nëse del e nevojshme. Pacientët me dëmtim të organeve në shënjestër duhen drejtuar për konsultim te specialistët përkatës.

Të tjera

Abissnet