Urgjenca në QSUT, qytetarët: Mjekët janë profesionistë, kushtet janë skandaloze

Publikuar më 07. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Bleona Metushi

Pas nënshkrimit të dorëheqjes nga ana e stafit të Urgjencës në QSUT, edhe qytetarët tregojnë pritjen çnjerëzore që gjetën. Dhjetra persona në rrezik jete që prisnin në korridor dhe merrnin serume mbi karrike. Dëshmi nga familjarët e pacientëve nga Lushnja dhe Lezha

Reagimi i mjekëve të Urgjencës në QSUT, në lidhje me kushtet e vështira të punës në këtë pavion, shkon në një linjë edhe me qytetarët, të cilët e pranojnë dhe ankohen, se kushtet janë të vështira dhe se ata nuk marrin shërbimin e duhur. Të pyetur nga “Shekulli”, qytetarët tregojnë se kushtet në pavionin e Urgjencës janë shumë të këqija dhe nuk përmbushin kriteret që njerëzit të marrin shërbimin e duhur. Nga ana tjetër personat të cilët vijnë nga rrethet thonë se vijnë në Tiranë, pasi nga vendet ku ata janë, nuk ka cilësi të shërbimit dhe garanci, duke u shprehur se ndihen të pasigurt për të lënë jetën e tyre në spitalet e rretheve, pasi nuk kanë besim as tek mjekët dhe as në ambientet dhe kushtet që ofrohen. Ditën e martë edhe vetë mjekët e pavionit të Urgjencës vendosën që të japin dorëheqjen, duke firmosur një peticion, ku rendisnin edhe problemet që ekzistojnë.

Një 35-vjeçar nga qyteti i Lushnjës tregon për tmerrin e kaluar në ambientet e Urgjencës dhe sorollatjen që i bën në spitalin e Lushnjës në lidhje me diagnozën e mamasë së tij. Ai tregon për momentet e para që nënës së tij i ishin krijuar probleme me frymëmarrjen dhe të gjithë situatën më pas. “Kanë qenë orët e vona të mbrëmjes kur ka  nisur kalvari i vuajtjeve nëpër spitale. Nëna filloi të kishte pengesë në frymëmarrje. Në fillim shkuam në spitalin e Lushnjës, ku u nisëm me urgjencë nga mjeku i familjes, i cili ndodhet në zonën tonë. Kur shkuam në spital, në fillim na thanë se ky problem kishte të bënte me reumatizmën dhe ishte diçka kalimtare, ndërsa mamaja u përmirësua vërtetë. Reagimi për mirë i nënës ndodhi, por vetëm për pak.

Kjo pasi ditën tjetër asaj i ndodh e njëjta situatë, ndërsa mjeku në spitalin e Lushnjës na tha se duhet të nisemi me urgjencë në Tiranë, pasi ishte një rast të cilin ata nuk mund ta mbanin”. Vështirësitë për ta do të fillonin në momentin kur erdhën në Tiranë, ndërsa tregon për momentin kur erdhën në Urgjencën e QSUT-së, dhe zbritën nga ambulanca. Aty gjetën një situatë, të cilën, 35-vjeçari nga Lushnja rrëfen se nuk dëshiron as ta kujtoj. Në ambulancë me nënën e tij ishte bashkëshortja, e cila flet për momentin kur kanë zbritur të urgjenca dhe tregon se ajo ditë ka qenë një moment shumë i vështirë, pasi nuk dinte çfarë të bënte. “Kur kemi zbritur tek Urgjenca dhe askush nuk na ndihmoi, përveçse çunave të cilët ishin me ambulancën e Lushnjës, të cilët më thanë se deri këtu mbajmë përgjegjësi ne, tani nuk kemi çfarë të bëjmë.

Mendoja në ato momente, tani jam në dorë të Zotit, pasi isha edhe e vetme, sepse bashkëshorti po vinte nga pas me makinë dhe ishte goxha pas ambulancës.”- tha bashkëshortja e 30-vjeçarit, e cila shton se mamaja e tyre ka qëndruar e shtrirë për më shumë se dy orë dhe askush nuk vinte të pyeste se çfarë ka ndodhur, ndërsa korridori ishte plot me pacientë të tjerë. “Imagjinoje pak, një person të sëmurë, i pambuluar dhe në mes të ftohtit, ja ky është shërbimi që gjetëm”. Sipas saj, bashkë me nënën e sëmurë kanë qëndruar në korridorin e urgjencës, deri në momentin që ka ndërhyrë një person që ata e kanë mik. “Vetëm me miq bëhet këtu, nëse nuk do të kishim një të njohur nuk dua as ta imagjinoj se çfarë do të kishte ndodhur.

Ndoshta do të qëndronim më gjatë aty. Nënën e kam mbuluar me xhupin tim, që të paktën të mos kishte ftohtë.” Ndërsa më tej, i riu nga Lushnja, tregon se situata ka qenë e rëndë edhe për të tjerët, pasi në korridorin e urgjencës atë natë kishte shumë persona që qëndronin edhe ulur në karrige duke marrë serume dhe çdo shërbim tjetër. “Mezi po prisja të vinin dhe të na tregonin nëse  do të kalonte në dhomën lartë apo jo, por deri në momentin që erdhi miku ynë, i cili ndërhyri, për ne nuk pati asnjë reagim.”-tha bashkëshortja e 35-vjeçarit. Në të njëjtën situatë ka kaluar edhe një i ri nga Lezha, i cili tregon për “Shekulli”-n, se kishin ardhur me urgjencë nga qyteti i tij për të sjellë babanë, ndërsa kishin përfunduar duke pritur në urgjencën e QSUT-së, për rreth disa orë. Më në fund i kishin thënë se i sëmuri do të kalonte në reanimacion.

“Nuk e di si mund të sillen kështu me jetët e njerëzve, sikur të ishte një lojë. Unë jetojë jashtë dhe asnjëherë nuk më kishin parë sytë kështu.”-tha ai. Një gjë që vihet re nga dëshmitë e qytetarëve është fakti se askush nuk ankohet për profesionalizmin e mjekëve, pasi, sipas tyre, ata janë vërtetë të përgatitur ndërsa nuk dinë të thonë se ku qëndron problemi me situatën e krijuar. “Për mjekët nuk kam çfarë të them, deri në momentin që kaluam në reanimacion, ishim të frikësuar se çfarë mund të ndodhte, por më pas çdo gjë shkoi mirë. Mjekët janë profesionistë, por për kushtet që gjetëm aty, ku askush nuk na përgjigjej, apo që qëndruam në korridor nuk kam fjalë se si ti përshkruaj, nuk bëhet kështu. Shëndetësia është një nga gjërat më të rëndësishme që duhet të jetë në nivele të larta, nuk luhet me jetën e të tjerëve.” -thotë 25-vjeçari nga Lushnja.