
Nga Isuf Kurtaj
Urdhri i firmosur dje nga Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj për nisjen e zbatimit të vetting-ut dhe për punonjësit e Policisë, Gardës së Republikës, dhe Shërbimit për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme njësoj si për gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri, është kundërshtuar nga demokratët, pasi sipas tyre, ky proces duhet nisur nga zyrtarët e lartë të policisë .
Vendimi
Urdhri i posaçëm për nisjen e procesit të verifikimit të pastërtisë së figurës, integritetit dhe aftësive profesionale, është firmosur nga Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, pak ditë pas marrjes së detyrës. Sipas një njoftimi zyrtar të Ministrisë së Brendshme, parashikon “ngritjen e grupit të punës, i cili kryesohet nga zëvendësministri i Brendshëm dhe do të asistohet nga misionet e asistencës së BE-së (Pameca V) dhe ShBA-së (ICITAP), si dhe ekspertë të mirënjohur ndërkombëtarë”. Përfshirja e ndihmës së ekspertëve të huaj vlerësohet si një aspekt i rëndë- sishëm “për zhvillimin e një procesi teknik sa më profesional, transparent dhe të besueshëm”. Ndër detyrat kryesore të punës së këtij grupi parashihen: analiza e gjendjes aktuale si dhe hartimi e propozimi i një pakete të plotë ligjore, për realizimin e këtij procesi Vetting-u, që duhet të dorëzohet brenda këtij fundviti. Procesit, sipasn njoftimit, “do t’i nënshtrohen të gjithë punonjësit e strukturave të mësipërme pa përjashtim, në të gjitha nivelet, nga drejtuesi më i lartë deri te specialisti
më i thjeshtë”.
Reagimi
Veting-un në radhët e policisë si urdhër të firmosur nga Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, deputeti i PD-së Flamur Noka e ka quajtur “show” të këtij të fundit dhe të kryeministrit Edi Rama. Në një reagim të tij, deputeti demokrat thotë se ishte vetë Rama i pari që shkeli e përdhosi Vetting-un që në momentin që caktoi Xhafajn ministër. Noka shprehet se Rama e Xhafa janë të parët që duhet të përjashtohen nga Vetting-u, i pari si urdhërues i kanabizimit dhe i dyti si ish-hetues komunizmi me lidhje kriminale familjare në demokraci.
“Show i radhës i Ramës e Xhafës është veting-u në radhët e policisë. Vetingun në fakt e ka shkelur dhe përdhosur i pari Edi Rama që e bëri Fatmir Xhafën ministër të rendit. Rasti klasik se si vettingu përjashton dikë ose ia bën të pamundur marrjen e një posti të lartë publik, është vet Rama si urdhëruesi i kanabizimit dhe orientues i kriminalizimit të Policisë. Pas tij edhe Xhafa s’mund të bëhej ministër i Brendshëm një ish-hetues i komunizmit me lidhje kriminale familjare në demokraci”, shprehet ai. Noka gjithashtu thotë se Vetting-u nuk ka vlerë nëse nuk prek të gjithë kupolën e policisë me Haki Çakon në krye. “Sa i përket policisë, vetting-u përsëri është i pavlerë nëse nuk fillon nga e gjithë kupola e policisë me Hakiun në krye duke filluar nga drejtorët, shefat e komisariateve e shefave e krimit e deri tek inspektorët e zonave te kanabisit pasi këta janë përfitues të kanabizimit dhe trafikimit masiv. Nëse nuk largohet dhe nuk çohet para ligjit kupola e policisë, të tjerat pastaj janë shfaqje teatrale për konsumin e ditës. Nuk lahen duart nga droga dhe krimi me largimin e Saje Qorrit. E keqja u lind e u rrit në polici me investimin e Ramës”, thotë Noka.
Verifikimi
ILDKP do ketë një rol shumë të rëndë- sishëm në zbatimin e veting-ut për punonjësit e Policisë së Shtetit. Sipas ligjit, njësoj si për gjyqtarët dhe prokurorët dhe për është punonjësit e policisë, është ILDKP organi që do bëjë verifikimin e pasurisë dhe në fund do i dërgojë Komisionit të Kualifikimit një raport ku jepen të dhëna të detajuara mbi pasurinë e tyre dhe po ashtu deklarohet nëse e justifikojnë ose jo pasurinë. Pas ligjit, kushdo që ka pasuri më shumë se shuma e të ardhurve të tij ndër vite, del nga sistemi dhe nuk përjashtohet mundësia që të kalojë për ndjekje penale. Në kuadër të verifikimit të pasurisë dhe pastërtisë së figurës, verifikime do të ketë dhe jashtë vendit.
Berisha thumbon Çakon
Ish-kryeministri Sali Berisha ka ironizuar herë pas herë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako se me porosi të kryeministrit Edi Rama ka mbushur vendin me drogë. Berisha shkruante me ironi se Çako kërkon vetting për varësit që zbatuan politikën e kanabizimit të Shqipërisë. “Haki Droga, me porosi të Noriegës kërkon vetting jo për veten, sepse ai me Noriegën dhe Saje qorrin mbushën vendin me drogë, por për varësit që zbatuan politikën e kanabizimit të Shqipërisë. Kësaj i thonë: Aferim more Haki, lum Noriega që të ka ty!”, shkruan Berisha.
Salianji: Nuk preken drejtorët, kërkojnë të fusin në grackë disa punonjës policie
Sekretari për Aksion in Qytetar në PD, Ervin Salianji ka deklaruar se – deklaroi se përmes kësaj nisme qeveria ka për qëllim të bëjë shou. “Besoj dhe është plotë- sisht e qartë që ky shou mediatik është më shumë për të futur në “grackë” disa punonjës policie që kanë punuar pa urdhër të tyre. Unë jam i bindur se nuk do të preken drejtorët e policisë të lidhur me këtë fenomen masiv në Shqipëri, të cilët kontrollohen nga kryeministri. Unë kam qenë në disa zona, edhe në fshatin e ish-ministrit të atëhershëm. Por mendoj që qeveria ka vetëm vullnet dhe dëshirë për ta monopolizuar në disa duar për të përfituar sa më shumë nga ky fenomen, duke larguar disa punonjës që nuk janë të nënshtruar”, tha ai. Më tej Salianji u shpreh se kjo po bëhet veçse për fasadë.
“Rama është mjeshtri i fasadës, dhe këtë e bën për të treguar gjoja në Shqipëri ka një luftë ndaj drogës, fenomenin e së cilës kryeministri nuk e pranonte deri para një viti. Rama nuk pranonte kultivimin kaq masiv të drogës dhe në shkallë kaq të përhapur dhe tani po bën një shou sikur po merret me diçka. Ndërkohë që po e ritheksoj që lufta reale bëhet për të pasur nën kontroll drogën pasi çmimi i kanabisit ka rënë dhe qeveria do që ta mbajë nën kontroll, së bashku me bandat e organizuar. Ndërkohë që për fasadë do t’i tregojë partnerëve ndërkombëtarë, të cilët me ç’thuhet kanë ndërhyrë edhe për largimin e ish-ministrit të Brendshëm, se po lufton kanabisin. Tani na tregon se është i gatshëm të bëjë spastrim në strukturat e policisë së shtetit. E gjitha është një farsë e kryeministrit”, është shprehur Salianji.
Veting-u për gjyqtarët dhe prokurorët drejt fundit
Më parë një proces i tillë nisi për gjyqtarët, prokurorët dhe të gjithë punonjësit e tjerë të drejtësisë. Pavarësisht tentativës së shoqatës së gjyqtarëve dhe prokurorëvë për ta ankimuar në Gjykatën Kushtetuese, procesi për verifikimin e tyre vazhdon. Më 22 maj Parlamenti përzgjodhi anëtarët e Komisionit të Kualifikimit dhe Kolegjit të Apelimit, organet kryesore që do të bëjnë spastrimin e drejtësisë nga të korruptuarit. ILDKP, ditët e fundit ka nisur kontrolli i pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Prej më shumë se dyjavësh, institucionet ligjzbatuese, të cilat asistojnë organet e Vetingut për skanimin e trefishtë të drejtësisë shqiptare, kanë përgatitur dosjet e para për disa gjyqtarë dhe prokurorë, mbi ligjshmërinë e pasurive dhe përfshirjen e mundshme në pastrim parash. Dosjet u përkasin anëtarëve të organeve më të larta të sistemit aktual të drejtë- sisë, të cilët kanë përparësi kohore në raport me gjyqtarët dhe prokurorët në nivele më të ulëta, për t’iu nënshtruar veprimit të ligjit të Vetingut.
Në kuadër të verifikimit të ligjshmërisë së pasurive të deklaruara dhe të identifikimit të pasurive të fshehura, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave i ka dërguar Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive raporte për secilin gjyqtar apo prokuror të kërkuar, mbi transaksionet financiare brenda dhe jashtë vendit. “Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, në zbatim të dispozitave të Ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ka asistuar si dhe ka dërguar informacionin përkatës pranë organeve të ngarkuar me këtë ligj, në përgjigje të kërkesave te tyre. Verifikimi i lëvizjes së parave të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka ardhur në zbatim të pikës 2 të nenit 33 të ligjit të Vetingut. Pika 2 parashikon që ILDKPKI-së, për qëllimet e rivlerësimit, mund të kërkojë nëpërmjet DPPP dokumentet për pasuritë në pronësi të subjekteve të rivlerësimit dhe personave të lidhur me ta, dokumentet që përdoren jashtë shtetit nga subjektet e rivlerësimit dhe personat e lidhur me ta, ose të dhënat financiare mbi çdo transaksion financiar brenda ose jashtë vendit në përputhje me ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” të subjekteve të rivlerësimit dhe personave të lidhur me ta.
Ndërkaq, dokumentet e DPPP do të jenë pjesë e dosjes së ILDKPKI, që do të referojë në organet e Vetingut për secilin gjyqtar apo prokuror, sipas përparësisë. Këto dokumente ose informacione përdoren në cilësinë e provave përpara Komisionit ose Kolegjit të Apelimit. Pra, dokumentet mund të jenë përcaktuese për fatin e një gjyqtari apo prokurori. Dosjet e përgatitura nga ILDKP për çdo gjyqtar apo prokuror, do të pasurohen më tej me dokumentacione nga ekspertët ndërkombëtarë nga SHBABE, të cilët sipas ligjit kanë fuqi që të hetojnë mbi pasuritë e njerëzve të drejtësisë. Krahas përf a q ë s u e s v e të ONM, edhe Komisioni dhe Kolegji i Apelimit mbledhin prova për të verifikuar vërtetësinë dhe saktësinë e deklarimeve të bëra nga subjektet e rivlerësimit. Në këtë kuadër, ILDKP dhe DPPP kryejnë vetëm fazën e parë të hetimit. Dosja e prokurorit dhe gjyqtarit që do t’i dështohet Vetingut do të përmbajë gjithashtu dokumentet mbi të drejta ose interesa pasurorë të çdo lloji mbi një aset, qoftë ky i luajtshëm ose i paluajtshëm, i trupëzuar ose i patrupëzuar, material ose jomaterial, përfshirë dhe ato të evidentuara në formë elektronike ose numerike. Këtu përfshihen kreditë, çeqet e udhëtimit, çeqet bankare, urdhërpagesat, të gjitha llojet e titujve, mandatpagesat dhe letrat e kreditit, si dhe çdo interes, dividend, e ardhur ose vlerë tjetër që buron prej tyre. Pjesë e dosjes do të jenë të dhënat mbi marrëdhënie të mundshme biznesi, veprimtari tregtare ose veprimtari të tjera profesionale të gjyqtarit apo prokurorit.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply