Urdhri/ 270 të dënuar me rrezikshmëri izolohen në burgjet e sigurisë së lartë

Ligji “41-bis” ka nisur të vihet në funksion rreth 5 muaj pas prezantimit të tij nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj. Drejtuesja e Krimeve të Rënda, Donika Prela ka nisur punën për izolimin e të dënuarve të rrezikshëm

Xhentila Gjoshi

Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur përgatitjet për të vënë në funksion ligjin “41 bis”, përsa i përket sigurisë në burgjet e vendit. Sipas informacioneve, prokurorja e Përgjithshme Arta Marku, ka dhënë urdhër që të nisë procesi i izolimit të të dënuarve, proces i cili do të drejtohet nga kreu i Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela. Kjo procedurë do vijojë deri sa të ndërtohet SPAK. Ligji që parashikon izolimin dhe çdo kontakt me botën e jashtme u miratua disa muaj më parë dhe ka si shembull ligjin italian të quajtur “41 bis”, i aplikuar në Itali ndaj Toto Rinës apo Provencanos. Në bazë të këtij ligji do të futen në izolim të veçantë të dënuarit e grupit të imamëve, të cilët rekrutuan luftëtarë në Siri, apo Emiljano Shullazin për sa kohë u shpall fajtor nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda për grup kriminal, si edhe të dënuar që u shpallën fajtorë për vrasje të efektivëve të policisë në vite. Më i fundit, është rasti i David Qoses nga Shkodra, i cili dy vite më parë qëlloi për vdekje efektivin e FNSH. Aplikimi i këtyre masave kryhet pas dështimit të autoriteteve, të cilave shpesh ju dilnin në përgjime të burgosurit duke dhënë urdhra për krime të ndryshme. Çdo i dënuar për pjesëmarrje në grup kriminal, akte terroriste, trafik ndërkombëtar droge, apo pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal do t’i nënshtrohen ligjit “41 bis” që është një nga ligjet italiane ndaj grupeve mafioze në shtetin fqinj. Vendosja nën regjim të posaçëm të të paktën 270 të dënuarve dhe të paraburgosurve do të thotë se ndaj tyre do të vëzhgohen takimet me familjarët dhe këto takime do të përgjohen dhe regjistrohen. E gjitha kjo ndodh me qëllim për të parandaluar takimet me njerëz të jashtëm. Bëhet fjalë për personat me rrezikshmëri të lartë shoqërore të dënuar për vepra të rënda penale si pjesëmarrës në grup të strukturuar kriminal, organizatë kriminale, bandë e armatosur apo organizatë terroriste.

Kushtet e izolimit

Të burgosurve dhe të paraburgosurve që do të izolohen u lejohet vetëm një takim familjar në muaj, ku ndalohet hyrja e personave apo sendeve të tjera, ndërsa biseda i nënshtrohet regjistrimit audio dhe video. Gjithashtu të burgosurit që do të konsiderohen të rrezikshëm dhe që dyshohet se vijojnë kontaktet me botën e krimit jashtë, do t’u lejohet vetëm një bisedë telefonike në muaj, me kohëzgjatje maksimale dhjetë minuta. Atyre do t’u ndalohet përdorimi i vlerave monetare, sendeve dhe objekteve që mund t’i marrin nga jashtë. Do t’u kontrollohet korrespondenca, si dhe do të reduktohet qëndrimi në ajrim në mjedise të hapura, deri në 2 orë, por jo më pak se 1 orë në ditë. Kohëzgjatja e regjimit të posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë është një vit. Kundër vendimit të Ministrit të Drejtësisë, për vendosjen apo zgjatjen e regjimit të posaçëm, i dënuari, i paraburgosuri apo avokati mbrojtës mund të paraqesin kërkesë ankimore brenda 20 ditëve, nga momenti i njoftimit të vendimit.

Të dënuarit dhe të paraburgosurit që do të izolohen

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për veprën penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese (neni 79)

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për veprën penale të vrasjes së funksionarëve publikë (neni 79/a)

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për veprën penale të vrasjes së punonjësve të Policisë së Shtetit (neni 79/b).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për vepra penale me qëllime terroriste (neni 230)

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për veprën penale të financimit të terrorizimit, ku përfshihen: Rrëmbimi i avionëve, veprat kundër personit, të cilat mund të shkaktojnë vdekjen ose plagosjen e rëndë, kryerjen e akteve të dhunës kundër një personi në bordin e një avioni në fluturim, shkatërrimin e një avioni në funksionim, shkatërrimin ose dëmtimin e pajisjeve të fluturimit apo të pajisjeve të lundrimit detar, përhapjen e informacioneve që dihet se janë të pavërteta, duke rrezikuar sigurinë e një avioni në fluturim, vrasjen ose rrëmbimin e një personi të mbrojtur ndërkombëtarisht, pengmarrjen ose rrëmbimin e personit, vjedhjen e materialeve bërthamore, prodhimin, mbajtjen, blerjen, transportin apo tregtimin e lëndëve plasëse, shkatërrimin e rëndë dhe në përmasa të mëdha të pronës publike, shkaktimin e ndërprerjes së furnizimit me ujë, energji elektrike ose çdo burim tjetër të rëndësishëm etj (neni 230/a i Kodit Penal).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për veprën penale të fshehjes së fondeve dhe e pasurive të tjera, që financojnë terrorizmin. (neni 230/b).

Personat që ushtrojnë funksione publike ose që janë në ushtrim të detyrës, të cilët vënë në dijeni dhe u japin informacione personave, për të dhënat për verifikimin ose hetimin e fondeve dhe pasurive të tjera, ndaj të cilave zbatohen masa kundër financimit të terrorizmit. (neni 230/c).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për dhënin e fondeve dhe pasurive personave të shpallur si financues të terrorizimit. (Neni 230/ç).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për rekrutimin e personave për kryerjen e veprave me qëllimeve terroriste ose të financimit të terrorizmit. (Neni 231).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për stërvitje për kryerjen e veprave me qëllime terroriste (neni 232).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për nxitje thirrje publike dhe propagande për kryerjen e veprave me qëllime terroriste (neni 232/a).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për prodhim të armëve luftarake (neni 234).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për krijimin, organizimin dhe pjesëmarrjen në organizata terroriste (neni 234/a).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për krijimin, organizimin, drejtimin, pjesëmarrjen dhe financimi i bandës së armatosur (neni 234/b).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për organizimin drejtimin e veprimtarisë së prodhimit dhe shitjes së drogës (neni 283, paragrafi 3).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për organizimin, drejtimin ose financimin e trafikut të narkotikëve (neni 283/a, paragrafi 3).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për organizimin, drejtimin dhe financimin e organizatave kriminale me qëllim kultivimin, prodhimin, fabrikimin ose trafikun e paligjshëm të narkotikëve (neni 284/a).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për organizimin, drejtimin dhe financimin e prodhimit, fabrikimit, nxjerrjes, rafinimit dhe përgatitjes pa licencë të lëndëve narkotike. (neni 284/c, paragrafi 3).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për organizimin, drejtimin dhe financimin e prodhimit, importimit, eksportimit, tranzitimit, tregtimit dhe mbajtjes, i prekursorëve të treguar me ligj në tabelat përkatëse. (Neni 284/ç paragrafi 3).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për krijimin, organizimin ose drejtimin e organizatave kriminale (neni 333).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për krijimin e grupit të strukturuar kriminal (neni 333/a).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për kryerjen e veprave penale si pjesë të organizatave kriminale dhe grupit të strukturuar kriminal (neni 334).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet