“Universiteti i Tiranës, mungesë përvoje dhe dokumentacioni”

Publikuar më 03. 02. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Lindita Bushgjokaj

Drejtuesja e Agjencisë Shqiptare të vlerësimit, Dhurata Boza, tregon përvojën e vlerësimit në procesin e Akreditimit. Mangësia që u  has me Universitetin e Tiranës dhe pse ishte ndryshe me institucionet e tjera jo publike përgatitja për procesin

Një temë që ka mbajtur gjatë opinionin publik është Akreditimi i institucioneve të Arsimit të Lartë. Dje u soll sërish në vëmendje nga një takim që u zhvillua në ambientet e Universitetit të Mjekësisë nga akademikë dhe përfaqësues të Agjencisë Shqiptare të Vlerësimit, ku u prezantua raporti final i akreditimit të universiteteve, në të cilin më pak i vlerësuar ndahet Universiteti Shtetëror. Lidhur me natyrën e vlerësimit gazeta “Shekulli” intervistoi drejtuesen e Agjencisë së sigurimit të cilësisë në Arsimin e Lartë, znj.Dhurata Boza, e cila përshkruan procesin e vlerësimit dhe arsyet se pse Universiteti i Tiranës mori vetëm një vit Akreditimin. Ajo tha gjithashtu, se universitetet publike i nënshtroheshin për herë të parë procesit të vlerësimit dhe përveç dokumentacionit të varfër mungonte dhe përvoja e tyre në këtë proces.

Znj. Boza, ju keni ndjekur nga afër gjithë procesin e Akreditimit në universitetin shtetëror dhe privat. Si shkoi procesi dhe mbi çfarë kriteresh u bazua mënyra e vlerësimit?

U përfshinë të gjitha institucionet, pavarësisht se ishin shtetërore apo private, ndërsa institucionet publike i nënshtroheshin për herë të parë procesit edhe pse ky detyrim ka qenë që në vitin 2007. Vlerësimi u krye fillimisht në bazën e dokumentacioneve që institucionet përgatitën dhe dorëzuan pranë agjencisë dhe më pas filloi procesi i vlerësimit të jashtëm nga grupet e vlerësimit që përbëheshin nga ekspertë britanikë dhe shqiptarë. Pasi u krye edhe procesi i jashtëm, grupet e ekspertëve prodhuan raportet që i quajtën të vlerësimit, ku përshkruanin sesi institucionet e arsimit të lartë operojnë në disa fusha vlerësimi dhe më pas jepnin vlerësimin për secilën nga fushat. Mbi bazën e këtij vlerësimi sipas fushave jepnin një gjykim përfundimtar, sesi institucioni në tërësinë e tij operon në raport me standardët shtetërore, sepse ne kishim në fuqi standarde shtetërore të cilësisë. Me agjencinë britanike i rishikuam përpara se procesi të fillonte për t’i përshtatur dhe për t’i bërë më të përdorshme në kuadër të këtij procesi.

Cili ishte roli juaj si Agjenci Shqiptare vlerësimi në procesin e Akreditimit?

Agjencia nuk ka rol vendimmarrës, por ka rol teknik që ndjek proceset dhe që siguron mbarëvajtjen e procesit, angazhon ekspertët, përgatit metodologjitë, organizon vlerësimin dhe e menaxhon në terren. Vendimmarrja bëhet nga Bordi i Akreditimit, që është një trup që funksionin pranë agjencisë tonë, por që janë ekspertë të Arsimit të Lartë, me katër anëtarë të huaj dhe që drejtohet nga një nënshtetas shqiptar rezident prej 20 vjetësh në Angli.

Nga ky proces Akreditimi u vlerësua më shumë privati, ndërsa shtetërori shumë pak krahasuar me përvojën e gjatë që përfaqëson. Sipas jush çfarë ndikoi në këtë vendimmarrje?

Cilësia shprehet në sa vite jepet Akreditimi për institucionet dhe kjo ka një shpjegim në faktin, se institucionet publike e kishin për herë të parë dhe nuk e njihnin procesin, ndërkohë që pjesa më e madhe e institucioneve jo publike nuk e kishin për herë të parë. Detyrimisht duke qenë pjesë e këtyre proceseve edhe më parë, kanë qenë më të përgatitur. Madje kanë pasur dokumentacione në anglisht, sepse edhe më parë angazhonim ekspertë të huaj, por jo në këtë masë që angazhuam në këtë proces. Universitetet publike e kishin për herë të parë dhe kishin vështirësi, pasi pjesa më e madhe e tyre janë institucione më të mëdha për nga struktura, kanë historik më të gjatë, kështu që kishin vështirësi për t’a paraqitur veten në një proces vlerësimi, sesa institucionet jo publike që kanë përgjegjësi më të vogël.

A mund të themi se ishte e pamjaftueshme koha për vlerësimin e Universitetit të Tiranës apo kishte arsye të tjera në këtë vendim?

Jo, nuk është e vërtetë. Institucionet e kanë ditur gjithë fazën e procesit me data dhe çdo proces vlerësimi ka vazhduar rreth 6 muaj. Ka qenë koha e mjaftueshme për të gjitha institucionet për të kryer proceset e vlerësimit.

Duke qenë se gjithë procesi i vlerësimit u bë nga Agjencia Britaniko-Shqiptare, a mendoni se nuk e ka njohur mjaftueshëm filozofinë e Universitetit të Tiranës për të bërë një vlerësim sa më objektiv?

Jo, nëse ka pasur vështirësi kjo ka qenë për të gjitha institucionet, jo për një në veçanti, sepse një ekspert i huaj kur vjen nga një vend i ndryshëm nga i veti ka shumë vështirësi, por ne kemi bërë një punë paraprake. Manuali që ne përgatitëm pati 5 muaj diskutime me Agjencinë Britanike dhe synonte, që ai sistem që ne vendosëm të funksiononte dhe në realitetin shqiptar. Në fakt nuk ka pasur asnjë problematikë për të shënuar në të kuptuarit dhe në komunikimin që kanë pasur ekspertët britanikë me institucionet e arsimit lartë, sepse vizitat kanë qenë 3 ditë të plota në institucione.

Pse u vlerësua vetëm me një vit Akreditimi Universiteti i Tiranës?

Ky është një proces që bazohej shumë në dokumentacion dhe në mënyrën, sesi përgatiteshin institucionet për procesin e vlerësimit. Ajo që ne na rezulton ishte se Universiteti i Tiranës ka dorëzuar një dokumentacion shumë të mangët dhe ky ishte një proces, që bazohej në mënyrën se si institucioni e tregonte vetën. Mangësia që ne kemi hasur me Universitetin e Tiranës veçanërisht dhe ndryshe me institucionet e tjera jo publike ka qenë përgatitja për procesin. Ata nuk kanë përvojë në sistemet e sigurimit të cilësisë, sepse asnjëherë nuk ishin nënshtruar më parë një procesi vlerësimi dhe Akreditimi.

A mund t’a quajmë më të privilegjuar universitetin privat në këtë vlerësim dhe se po i jepet më shumë vëmendje se shtetërorit?

Jo, absolutisht, sepse komponentët që prezantuan rezultatin në këtë rast ishin disa; përgatitja, dokumentacioni, përvoja dhe mënyra sesi institucionet e prezantuan vetën e tyre.

Pse nuk u bë vlerësimi nga agjencia shqiptare e vlerësimit, por nga një agjenci e huaj?

Ne si agjenci nuk bëjmë vlerësimin, por angazhojmë ekspertë që bëjnë vlerësimin. Më e thjeshtë ishte që t’i marrësh ekspertët nga një agjenci, sesa t’i marrësh individual nga shumë agjenci, së dyti: Agjencia jonë ka nevojë për rritjen e kapaciteteve dhe ky ishte një proces i cili n’a shërbeu shumë si Agjenci Shqiptare, që të mësonim nga përvoja Britanike dhe shumë procese tona të përditshme t’i përshtatim me përvojat më të mira Evropiane.

Genta Skura: Koha për vlerësimin e Universitetit të Tiranës ishte qesharake

Në lidhje me mënyrën e vlerësimit nga Agjencia Britanike-Shqiptare, ka pasur reagime të ashpra nga pedagogë të Universitetit  të Tiranës, pasi vlerësimi me një vit Akreditim është cilësuar shumë pak në krahasim me përvojën e gjatë si institucion edukimi. Genta Skura, pedagoge në Universitetin e Tiranës tha për “Shekulli”-n, se ndihet shumë e zhgënjyer me vlerësimin e Agjencisë Britanike dhe kohën e vlerësimit e konsideron qesharake, pasi nuk mund të tregoheshin vetëm me 3 takime të shkurtra historia dhe vlerat e që përfaqëson Universiteti i Tiranës, tha ajo.

Znj.Genta, Si e cilësoni procesin e Akreditimit të Universitetit të Tiranës nga Agjencia Britanike-Shqiptare?

Universiteti i Tiranës është makineria gjigande e Arsimit të Lartë Shqiptar. Për këtë arsye duhet të kishte kohën e tij për t’u vlerësuar dhe për të pasur mundësi, që ekspertët e agjencisë dhe ata Shqiptare të kishin mundësi t’a njihnin më nga afër, dhe jo vetëm në 3 takime të shkurtra dhe për të mos shkuar më thellë. Universiteti i Tiranës nuk është vetëm një fakultet, por disa fakultete. Janë 34-35 departamente dhe të harxhosh dy ditë ose 3 ditë, mua më duket kohë jo e shkurtër, por kohë zero.

Grupi i Akreditimit Britanik pati edhe ekspertë shqiptarë, cili është vlerësimi juaj në qëndrimin që ata patën ndaj procesit të Akreditimit?

Unë nuk njoh CV-të e ekspertëve dhe nuk mund të flas dot për këtë, sepse nëse do kisha thënë diçka, si për mirë apo për keq, do kisha paragjykuar. Madje nuk janë prezantuar se cila Agjenci është? Çfarë Akreditimesh ka bërë? Të paktën ne nuk kemi informacione për këto.

Ku konsiston zhgënjimi juaj për vendimin që u mor nga grupi i ekspertëve për Universitetin e Tiranës?

Unë kam vitë që jam pedagoge e këtij universiteti dhe e di çfarë pune bëhet në departamente. Ajo eksperiencë që ne kemi pasur dhe bëjmë, më duket që nuk është shfaqur aspak në raportin e Akreditimit. Besoj që kjo është arsyeja kryesore pse një pjesë e stafit të Universitetit të Tiranës është i zhgënjyer. E dyta: Më vjen mirë që ky debat ka zënë një hapsirë të madhe mediatike, por nga ana tjetër ndjehem e befasuar që akreditimi është kthyer në arenën e debatëve televizive, sidomos në çështjen privat apo publik. Kjo është çështje tjetër dhe nuk ka lidhje me Akreditimin, pasi në këtë proces janë të gjithë të barabartë. Kjo varet nga plotësimi i kritereve që plotësojnë ose jo universitetet. Nga thelbi i asaj që në fakt ne e nisëm në lidhje me proçesin e Akreditimit, ne kalojmë në publik dhe privat, që në fakt çon në devijimin mbi këtë proces. Kjo bëhet një lojë, e cila në vend që të ishte me role të barabarta, duket sikur ka probleme mbrapa. Megjithatë dyshoj në vazhdim, sesi do eci si debat dhe para kësaj si proçes. Ne tashmë e kemi marrë një vit Akreditimin dhe na presin sfida të reja para, që do përballohen me shumë sukses.