Universiteti, publikohet formularit A2, ja rregullat

Nga Neritan Gjergo

Publikohet formulari A2 për maturantët. Plotësimi i tij do të bëhet online. Ja udhëzimet dhe rregullat që duhet të ndjekin kandidatët

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka bërë publik formularin A2. Të gjithë maturantët dhe kandidatët, të cilët rezultuan kalues në provimet e Maturës Shtetërore 2018, do të duhet të aplikojnë brenda 3 ditëve, për të studiuar në një nga degët e universiteteve të vendit. Plotësimi i formularit A2 këtë vit do të bëhet online në portalin e U-Albania, dhe nuk mund të shkarkohet. Për këtë arsye, maturantët,  duhet të bëjnë kujdes gjatë plotësimit, pasi asnjë gabim nuk mund të rikorrigjohet. “Studentët kanë akses të hyjnë në ato degë ku rezultatet e lejojnë të aplikojë. nëse një student me mesatare 6 tenton të aplikojë te mjekësia, nuk do i dalë fare si opsion, pasi ai nuk mund të aplikojë as te infermieria as te degët e tjera të mjekësisë”.

Si do të bëhet plotësimi 

Çdo maturant apo kandidat, i cili ka kryer pagesën pranë Postës Shqiptare apo në një nga bankat e nivelit të dytë, dhe ka dorëzuar mandat pagesën në drejtorinë e shkollës, ku ka kryer studimet, mund të aplikojë nga çdo mjedis ku ka lidhje interneti, shkollë, zyrë, shtëpi, internet kafe etj. Portali i Maturës Shtetërore, nga ku do të përzgjidhen 10 preferencat, të cilët maturantët, me formulën e llogaritjes së pikëve, por edhe me pikët minimale që universitetet e vendit kanë shpallur vjet fituesit, do të hyjë në faqen online të Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe aty do të ndjekë udhëzimet. Në faqen kryesore portalit, kandidati klikon në butonin “apliko”, i cili ndodhet në qendër të faqes dhe më pas në fushat e shfaqura duhet të plotësojë më saktësi të dhënat personale, identitetin dhe numrin e kartës së identitetit.

Më herët ka qenë Komisioni i Maturës Shtetërore, ai qe ka hedhur në sistem pikët dhe notat mesatarë të nxënësve. Specialistë pranë QSHA-së, bënë të ditur se në sistem u hodh me saktësi çdo notë mesatare, dhe çdo problem i konstatuar u korrigjua në kohë. Për të vijuar aplikimin pas hedhjes së të dhënave personale, nëse ato janë hedhur me gabime, tabela pasardhëse kërkon rihedhjen më saktësi, dhe nëse sërish shfaqen pasaktësi me kodet apo emrat, kandidati duhet të paraqitet në zyrën e drejtorisë arsimore të rrethit për ta nisur procesin e aplikimit nën kujdesin e përfaqësuesit të drejtorisë. Vijimi i aplikimit, kur të dhënat personale përputhen mund të shfaqet me dy dritare. Nëse ai nuk e ka kryer mandat pagesën, nota e tij mesatare nuk do  të shfaqet në sistem.

Në të kundërt, maturantit i shfaqen të gjitha gjeneralitetet, në të cilat duhet të shohë dhe të kontrollojë me kujdes për pasaktësi të mundshme, dhe më pas të vijojnë aplikimin. Pas daljes së Librit të Transparencës, për kandidatët vihet në dispozicion edhe formulari i korrigjimit të pasaktësive, i cili do të shfaqet në faqen online të Qendrës së Shërbimeve Arsimore, dhe pas korrigjimit duhet ta dorëzojë në shkollën ku ka bërë aplikimin me formularin A1 ose A1Z. Në plotësimin e 10 preferencave, aplikuesve u ofrohet mundësia, që gjatë përzgjedhjes së degëve, të shohin paralelisht edhe pikët e fituesit të fundit, të vitit akademik 2017-2018. Duke parë këto të dhëna, sipas pikëve të grumbulluara mund të bëjë përzgjedhjen e degëve.

Kjo skemë përzgjedhjeje ndodh për herë të dytë, që nga koha kur Matura Shtetërore ka filluar të zbatohet në sistemin arsimor të vendit. Më parë pikët dhe fituesit përcaktoheshin, pas renditjes së fituesve. Sistemi informatik nuk lejon përzgjedhjen e më shumë se 10 preferencave, por gjatë kohës së aplikimit, mund të procedohet në mënyrë të qetë pasi, çdo zgjedhje e mundshme mund të rikorrigjohet, ashtu sikurse edhe rendi i degëve. Pas plotësimit të formularit A2, do të shpallen fituesit dhe do të nisë procesi i regjistrimit.

Regjistrimi i fituesve bëhet në dy faza, e para është regjistrimi online, ndërsa në fazën e dytë bëhet regjistrimi me dokumentacion fizikisht në sekretaritë e IAL-ve. Kuotat, që mbeten të parealizuara, rishpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit vetëm në ato programe studimi ku pranimi nuk cenon parimin e meritës. Shpërndarja e kuotave realizohet nëpërmjet plotësimit të formularit të ri të aplikimit A3, sipas preferencave të kandidatëve mbështetur në VKM-në përkatëse. Kanë të drejtë të plotësojnë formularin A3 të gjithë kandidatët, të cilët kanë aplikuar me formularin A2 dhe nuk figurojnë të regjistruar në asnjë program studimi edhe pas mbylljes së fazës përfundimtare të regjistrimeve.

Fazat

Këtë vit akademik janë 36 mijë maturantë, të cilëve u ofrohet mundësia për të fituar një vend në një nga universitet e vendit, shtetërore ose private, ndërsa nga databaza e regjistrimeve deri më tani e kanë plotësuar formularin 25 mijë vetë.  Formulari A2 nuk mund të shkarkohet, ai plotësohet vetëm on line, për këtë arsye, maturantë, ju duhet të bëni kujdes gjatë plotësimit, pasi asnjë gabim nuk mund të rikorrigjohet. “Studentët kanë akses të hyjnë në ato degë ku rezultatet e lejojnë të aplikojë, ndërsa u sugjerohet që ta bëjnë plotësimin në asistencën e një përfaqësuesi të autorizuar nga Ministria e Arsimit. Plotësimi i formularit A2 përfundon në orën 21.00 të datës 4 gusht. Faza e radhës janë regjistrimet në degën ku janë shpallur fitues, ndërsa në vetëm 1 ditë, më 13 gusht do të bëhen çregjistrimet.

Transferimi i studimeve, shpallen datat

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka shpallur kriteret e reja për kandidatët, të cilët do të aplikojnë për transferimin e studimeve ose për program të dytë studimi në universitet. Sipas udhëzimit të firmosur nga ministrja Lindita Nikolla, kandidatët e interesuar duhet të aplikojnë nga data 3 shtator deri në datën 14 shtator. Në udhëzim përcaktohet se transferimi i studimeve mund të bëhet nga një program studimi i njëjte ose i ngjashëm i të njëjtit cikël edhe lloj, të ndjekur nga kandidati në universitetet publike, ose në institucione të tjera private apo të huaja, të akredituara për programin përkatës të studimit.

Për programet me karakter profesional, kriteri i notës mesatare nuk vlen, ndërsa, IAL-të mund të përcaktojnë kritere të tjera shtesë, të cilat përcaktohen në statut, në rregulloret përkatëse, ose me vendim të senatit akademik. Duhet theksuar, se kërkesa për transferim mund të bëhet vetëm brenda 11 ditëve të shtatorit, dhe çdo kërkesë e bërë përgjatë vitit akademik quhet e pavlefshme.

Kushtet

Studenti që aplikon për program të dytë studimi nuk duhet të jetë duke ndjekur një tjetër program studimi. Për të aplikuar, studenti duhet të ketë përfunduar një program studimi të të njëjtit cikël dhe të ketë diplomën përkatëse të vlefshme. Studentët duhet të paraqesin pranë sekretarive mësimore, ku duan të transferohen një sërë dokumentesh, të tilla si formulari i aplikimit, kopja e noterizuar e diplomës së studimeve universitare të kryera më parë, për të njëjtin nivel dhe lloj programi studimi, të shoqëruar me suplementin e diplomës.

Kandidatët duhet të çojnë në sekretari, edhe vërtetim të listës së notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, i cili do të shërbejë për ekuivalentimin e notave të lëndëve të programit të studimit të ndjekur, si dhe një kopje të noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore, së bashku me certifikatën e notave, ose të një dëftese tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të në Shqipëri dhe të njohur nga MAS.

Ndërsa, studentët që kanë përfunduar gjimnazin në vend, përpara vitit 2011, duhet të dorëzojnë fotokopjen e noterizuar të dëftesës së pjekurisë. Në mungesë të diplomës së Maturës Shtetërore apo dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme duhet të paraqesë, respektivisht, vërtetim notash të Maturës Shtetërore të lëshuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, ose dublikat të dëftesës së pjekurisë. Ndër dokumentet e tjera që kërkohen nga sekretaritë mësimore, përfshihen edhe fotokopja e kartës së identitetit ose pasaportës si dhe dy fotografi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet