Universitetet, rriten tarifat Master, i afrohen privatit

Nga Neritan Gjergo

Për vitin 2018-2019, cikli i dytë i studimeve do jetë më i shtrenjtë se vitin e kaluar. Rritje tarifash deri në 30 mijë lekë në disa programe. Nuk propozohen ndryshime për nivelin e parë të studimeve

Senati Akademik i Universitetit të Tiranës ka miratuar tarifat e shkollimit për ciklin e parë dhe të dytë të studimeve për vitin e ri akademik. Gazeta boton vendimin e plotë me pagesat e shkollimit për studentët, që janë regjistruar për t’u pranuar në Bachelor e Master në një nga gjashtë fakultetet e universitetit më të madh në vend. Tabela më poshtë, e detajuar për çdo program studimi, i është referuar ligjit të ri për arsimin e lartë si dhe vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave që përcakton tarifën tavan.

“Mbështetur në kërkesat e njësive kryesore, të cilat kanë respektuar me rigorozitet kufirin maksimal të tarifës vjetore të shkollimit për ciklin e parë të studimeve, të përcaktuar në VKM, propozojmë që tarifat vjetore të shkollimit për studentët që ndjekin studimet në një program të ciklit të parë të studimeve, në një program të integruar të studimeve, të jetë sipas pasqyrës bashkëlidhur”. Në fakt, ky i fundit, s’është tjetër veçse pagesa e shkollimit në katër vitet e fundit, çka nënkupton se në ciklin e parë të studimeve nuk do të ketë rritje. E njëjta gjë nuk do të ndodhë me ciklin “master”. Së paku, në disa programe studimi. Shumica e departamenteve u kanë qëndruar besnike tarifave të viteve të kaluara, përveç Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Institutit të Studimeve Europiane.

Kështu, një master te Shkencat Humane do të kushtojë 168,000 lekë, nga 150,000 vitin e kaluar. Një rritje akoma më të lartë do ta ketë Masteri Shkencor tek Instituti i Studimeve Europiane. Ata që dëshirojnë ta ndjekin, do të paguajnë 30 mijë lekë më shumë nga vjet, 180 000 lekë. Për ata që e kanë program të dytë, tarifa rritet nga 180 mijë në 216 000 lekë. Në dokument parashtrohen dhe tarifat e regjistrimit, përkatësisht 1600 lekë për ciklin e parë, 2500 lekë për ciklin e dytë dhe 3000 lekë për programet e dyta dhe transferimet. Në muajin maj, qeveria përcaktoi tavanin e tarifave për çdo program studimi. Sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi, universitetet duhet të miratojnë brenda 90 ditësh në organet kolegjiale të saj tarifën vjetore për çdo profil, brenda kufirit maksimal të miratuar me VKM.

Të shtrenjtit

Nga 14 universitete publike në Shqipëri, ai i Mjekësisë dhe Universiteti i Arteve kryesojnë listën për tarifat e studimit më të larta. Sipas vendimit të Senatit Akademik të Universitetit të Mjekësisë, në vitin akademik 2017-2018 tarifat për nivelin e parë të studimit variojnë nga 35 mijë lekë deri në 45 mijë lekë. E njëjta tarifë pritet të aplikohet edhe për vitin akademik 2018-2019. Në programet e studimit të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, me përjashtim të Infermierisë së Përgjithshme, që ka një tarifë prej 40 mijë lekë, studentët e programeve të tjera paguajnë për një vit studimi 35 mijë lekë. Ndërsa, 3 programet e tjera: Mjekësi, Farmaci dhe Stomatologji kanë tarifë 45 mijë lekë. Për vitin akademik 2017-2018 në këtë universitet u pranuan 1217 kandidatë të rinj, prej të cilëve 893 fitues u përzgjodhën në radhët e maturantëve, që kanë garuar nëpërmjet plotësimit të formularit të preferencave. Po ashtu, edhe Universiteti i Arteve ka tarifën vjetore 40 mijë lekë për të gjithë programet e shkollimit, ndjekur nga ai i Tiranës dhe Universiteti Politeknik.

Në Universitetin e Tiranës, tarifat e studimit nuk ndryshuan këtë vit, ndërsa në pjesën më të madhe janë unifikuar në bazë të fakulteteve dhe variojnë nga 25 mijë lekë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe të Gjuhëve të Huaja deri në 40 mijë lekë që është tarifa maksimale në Fakultetin e Drejtësisë dhe Shkencave Sociale, që janë degët që preferohen më shumë nga maturantët, bazuar në radhitjen e preferencave në formularët e aplikimit. Ndërsa në Universitetin Politeknik, tarifën maksimale e ka Arkitektura dhe Urbanistika, ku tarifa shkon deri në 40 mijë lekë. Ndërkohë, në universitetet e tjera tarifat e shkollimit variojnë: në Universitetin e Sporteve tarifa është 35 mijë lekë në vit, në Universitetin Bujqësor të Tiranës, 25 mijë lekë në vit për një pjesë të madhe të programeve të studimit që ofron. Në këtë universitet, tarifa më e lartë e shkollimit, prej 40 mijë lekësh është në programin e studimit “Mjekësi Veterinare“.

Të lirët

Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ashtu si vitin e kaluar, edhe këtë vit i ka ruajtur tarifat e unifikuara për të gjitha degët dhe programet e studimit. Pra, pagesa që bëjnë studentët për të studiuar në këtë universitet është 25 mijë lekë. Tarifën e studimit prej 25 mijë lekësh në vit për të gjitha programet ka edhe universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Ndërsa, tarifat e shkollimit më të ulëta i kanë universitetet: “Ismail Qemali” në Vlorë, “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, universiteti “Fan S. Noli” në Korçë dhe universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Pothuajse për të gjitha programet, tarifa e shkollimit është e unifikuar me një vlerë prej 20 mijë lekësh.

Kuotat

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave për vitin akademik 2017-2018, numri i studentëve të regjistruar ishte në rritje me 7.5 % krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2018 numri i studentëve në institucionet e arsimit të lartë u rrit me rreth 129 mijë, por kjo rezultoi rritja me e ulët në vitet e fundit, çka tregon se ka një përmbysje të tendencës së masivizimit. Ndryshe nga viti 2000, kur pati një dyndje drejt arsimit të lartë, vitet e fundit ka një realitet tjetër. Kjo mendohet se vjen jo si rezultat i tarifave të larta, por për shkak të politikave të qeverisë për mbylljen e disa prej institucioneve arsimore në vend, të cilat nuk plotësonin kriterin ligjor dhe nuk ofronin cilësi, duke lëshuar diploma të cilat nuk vlerësoheshin për tregun e punës. Mbyllja e disa universiteteve nuk ishte e vetmja arsye për rënien e numrit të studentëve të regjistruar ndër vite.

Cikli i parë, tarifat në Universitetin e Tiranës

Universitetet, rriten tarifat Master, i afrohen privatit by JolaAlimemaj on Scribd

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet