Universitetet, kriteret e pranimit për të gjitha degët në Tiranë

Universiteti i Tiranës publikon kriteret e pranimit për vitin akademik 2019-2020. Nota mesatare në gjimnaz nga 40-70 për qind të vlerësimit, sipas degës së studimit. Ndryshon formula e pranimit edhe në programet e Masterit

Enida Vërça

Universiteti i Tiranës ka shpallur kriteret e pranimit për vitin akademik 2019-2020 për të gjithë maturantët që aspirojnë të ndjekin një degë studimi në ciklin e parë të studimeve (bachelor) si dhe për një program të integruar të ciklit të dytë. Gazeta “Shekulli” zbardh sot kriteret e miratuara nga UT, që duhet të përmbushin kandidatët për 6 fakultetet e këtij Universiteti. Në këtë mënyrë për Fakultetin e Drejtësisë, është vendosur që nota mesatare e përgjithshme e të gjithë viteve të shkollës së mesme do të përmbajë 40% të vlerësimit. Nota mesatare e të gjithë provimeve të maturës shtetërore 20% të vlerësimit. Për lëndët formuese: a. Gjuhë Shqipe (të gjitha vlerësimet përfshirë dhe notën e provimit të Maturës Shtetërore) do të përmbajë10% b. Gjuhë e huaj, e parë (të gjitha vlerësimet përfshirë dhe notën e provimit Maturës Shtetërore, do të vlerësohet sërish me 10%. c. Letërsi (të gjitha vlerësimet përfshirë dhe notën e provimit Maturës Shtetërore) do të vlerësohet me 5% d. Qytetari (të gjitha vlerësimet përfshirë dhe notën e Maturës Shtetërore nëse e ka dhënë) 5% e. Histori (të gjitha vlerësimet përfshirë dhe notën e Maturës Shtetërore nëse e ka dhënë) 5% f. Ekonomi (të gjitha vlerësimet përfshirë dhe notën e Maturës Shtetërore nëse e ka dhënë) do të vlerësohet po ashtu me 5%. Sa i takon koeficientit të shkollës së mesme të gjitha shkollat e mesme gjimnaze (përjashtuar gjimnazin me kohë të shkurtuar) e kanë koeficientin 1.2. Ndërsa të gjitha shkollat e mesme me karakter profesional e kanë koeficientin 1.0.

Fakulteti i Ekonomisë dhe Histori-Filologjisë

Fakulteti i Ekonomisë ka vendosur si kriter pranimi notën mesatare të shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore (mesatare e thjeshtë), të përbëjë 50% të vlerësimit. Nota mesatare e gruplëndëve (për të gjithë vitet gjatë të cilave shtrihen lëndët, përfshirë notat e maturës shtetërore, përbëjnë 50% të vlerësimit: a. Matematikë 15% b. Ekonomi 15% c. Fizikë 10% d. Gjuhë e Huaj 10%. Në Fakulteti i Historisë dhe të Filologjisë, nota mesatare aritmetike (e thjeshtë) e tre viteve të shkollës mesme do të vlerësohet me 80 %. Sa i takon notës mesatare aritmetike (e thjeshtë) e provimeve të Maturës Shtetërore është miratuar të vlerësohet me 20%.

Fakulteti i Shkencave të Natyrës

Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës për programin e studimit të Biologjisë është vendosur: a. Nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore (mesatare e thjeshtë), përbën 70% të vlerësimit b. Nota e Biologjisë 12 (kurrikul me zgjedhje, viti III) 20% c. Nota e Kimisë 12 (kurrikul me zgjedhje, viti III) 10% . Për programi i studimit Bioteknologji: a. Nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore (mesatare e thjeshtë), do të  përbëj 70% të vlerësimit b. Nota e Biologjisë 12 (kurrikul me zgjedhje, viti III) do të përbëjë 20% c. Nota e Kimisë 12 (kurrikul me zgjedhje, viti III)  do të përbëjë 10%  të vlerësimit. Një tjetër program studimi në këtë fakultet është edhe dega e Kimisë e cila ndahet: Kimi, Kimi Industriale dhe Mjedisore, Kimi dhe Teknologji Ushqimore. Vlerësimi do të bëhet në mënyrë të tillë: a. Nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore (mesatare e thjeshtë), përbën 50% të vlerësimit b. Nota mesatare e Kimisë (kurrikul bërthamë viti I+II) 10% c. Nota mesatare e Biologjisë (kurrikul bërthamë viti I+II) 10% d. Nota mesatare e Fizikës (kurrikul bërthamë viti I+II) 10% e. Nota e Kimisë 12 (kurrikul me zgjedhje, viti III) 10% f. Nota e Fizikës 12 (kurrikul me zgjedhje, viti III) 10%.

Programet e tjera

Për programin e studimi Matematikë është përcaktuar: a. Nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore (mesatare e thjeshtë), do të përbëj 50% të vlerësimit b. Nota mesatare e Matematikës (kurrikul bërthamë viti I+II+III) 30% c. Nota e Matematikës 12 (kurrikul me zgjedhje, viti III) 20% . Për Programin e studimit Fizikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës është vendosur që nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore (mesatare e thjeshtë), të përbëj 50% të vlerësimit. Sa i takon notës mesatare të Fizikës (kurrikul bërthamë viti I+II), është përcaktuar 10% e vlerësimit. Për notën mesatare të Matematikës (kurrikul bërthamë viti I+II) dhe Kimisë (kurrikul bërthamë viti I+II) do të përbëjë 10% të vlerësimit. Ndërkohë nota e Fizikës 12 (kurrikul me zgjedhje, viti III) dhe  Matematikës 12 (kurrikul me zgjedhje, viti III) do të vlerësohet po ashtu me 10%.  Programi i studimit Informatikë përmban: a. Nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore (mesatare e thjeshtë), përbën 50% të vlerësimit b. Nota mesatare e Matematikës (kurrikul bërthamë viti I+II+III) 15 % c. Nota mesatare e Fizikës (kurrikul bërthamë viti I+II) 5% d. Nota mesatare e TIK (kurrikul bërthamë viti I+II) 10% e. Nota e Matematikës 12 (kurrikul me zgjedhje, viti III) 20%.

Inxhinieria

Për programin e studimit Inxhinieri Matematike dhe Informatike është vendosur: a. Nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore (mesatare e thjeshtë), përbën 50% të vlerësimit b. Nota mesatare e Matematikës (kurrikul bërthamë viti I+II+III) 30% c. Nota e provimit të Matematikës në Maturë Shtetërore 10% d. Nota e Matematikës 12 (kurrikul me zgjedhje viti III) 10%. Për programin e fundit të studimit të Fakultetit të Shekncave të Natyrës, atij të Teknologji Informacioni dhe Komunikimi: a. Nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore (mesatare e thjeshtë), përbën 50% të vlerësimit b. Nota mesatare e Matematikës (kurrikul bërthamë viti I+II+III) 15% c. Nota mesatare e Fizikës (kurrikul bërthamë viti I+II) 5% d. Nota mesatare e TIK (kurrikula bërthamë viti I+II) 10% e. Nota e Matematikës 12 (kurrikul me zgjedhje viti III).

Universiteti i Tiranës ka miratuar kriteret e pranimit për fakultetet përkatëse për vitin akademik 2019-20120. Për Fakultetin e Shkencave Sociale nota mesatare aritmetike e shkollës së mesme do të marrë 40% të vlerësimit. Nota mesatare aritmetike e provimeve të detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore do të përbëjë 30%. Ndërkohë për maturantët që kanë dhënë provim me zgjedhje lëndët Qytetari, Psikologji ose Filozofi-Sociologji do të aplikohet koeficienti. Ndërsa për maturantë që nuk japin një nga këto lëndë në provimet me zgjedhje do të aplikohet koeficienti 1.0. Nota mesatare aritmetike e gruplëndëve formuese në shkencat sociale do të përbëjë 30% të vlerësimit. a. Qytetari dhe Filozofi (kurrikul bërthamë klasa 10 e 11) b. Psikologji dhe Sociologji (kurrikul me zgjedhje, klasa 12) – për maturantët që kanë zgjedhur në klasën e 12 si lëndë me zgjedhje Psikologji ose Sociologji, ose të dyja, aplikohet koeficienti 1.2 – maturantëve që nuk kanë zgjedhur në klasën e 12 si lëndë me zgjedhje Psikologji ose Sociologji, ju llogaritet thjesht mesatarja e lëndëve të zhvilluara nga fusha e shkencave sociale (kurrikul bërthamë, Qytetari dhe Filozofi, klasa 10 e 11). Sa i takon koeficientit të shkollave është vendosur:  a) Shkollat e kategorive gjimnaz, gjimnaz dyegjuhësh shqip-italisht, shqip-gjermanisht dhe shqip-frëngjisht kanë koeficientin 1.4. b) Shkollat e kategorive pedagogjike, gjimnaz gjuhësor, shërbimet sociale dhe shëndetësore, si dhe shkolla administrim biznes kanë koeficientin 1.2 c) Gjithë shkollat e tjera të kategorive profesionale kanë koeficient 1.

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja

Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës ka miratuar kriteret e notës mesatare aritmetike (e thjeshtë) e tre viteve të shkollës së mesme, përfshirë dhe notat e Maturës Shtetërore 100%, për programet e studimit: Gjuhë frënge; Gjuhë italiane; Gjuhë gjermane; Gjuhë spanjolle; Gjuhë Turke Gjuhë Greke dhe Gjuhë ruse. Sa i takon programit të studimit të gjuhës angleze: .a. Zotërimi i gjuhës angleze në nivelin B2, në përputhje me kurrikulën bërthamë, gjuhë e huaj e parë, Shkalla VI, Klasa XII, bazuar në vlerësimet përkatëse me notë në vitin XII 6.2. b. Nota mesatare aritmetike (e thjeshtë) e tre viteve të shkollës së mesme, përfshirë dhe notat e Maturës Shtetërore 60%, 6.2. c. Konkursi i pranimit për testimin e njohurive gjuhësore do të përmbajë 40% të vlerësimit.

Politekniku

Degët me konkurs, formula e pikëzimit

Teksa maturantët pritet të nisin aplikimet në 31 korrik, universitet kanë publikuar kriteret e pranimit për degët që ofrohen. Universiteti Politeknik i Tiranës ka publikuar kriteret për për programet e studimit të Ciklit të Parë për vitin akademik 2019-2020. Kandidatët duhet të kenë mesataren e shkollës së mesme mbi 6 (gjashtë). Ndërkohë renditja e aplikantëve do të bëhet referuar pikëve të grumbulluara sipas kësaj formule: “[0.7*Mes (VKM) + 0.3(0.5*Mes (Matematike) + 0.4*Mes (Fizike) + 0.1*Mes (Kimi)] * Kkoef. Shkollës*1000 Ku: – Mes(VKM), nota mesatare e thjeshtë, e të gjitha viteve të shkollës së mesme, e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave për vitin akademik 2019-2020, sipas Ligjit Nr. 80/2015, datë 22.07.2015 “Për arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë, në Republikën e Shqipërisë” neni 74, pika 1; – Mes(Matematike), nota mesatare e thjeshtë e matematikës në të gjitha vitet e shkollës së mesme, përfshire rezultatin në provimet e Maturës Shtetërore; – Mes (Fizike), nota mesatare e thjeshtë e fizikës, në të gjitha vitet e shkollës së mesme, përfshire rezultatin në Maturën Shtetërore të provimit me zgjedhje; – Mes(Kimi), nota mesatare e thjeshtë e kimisë në të gjitha vitet e shkollës së mesme përfshire rezultatin në Maturën Shtetërore të provimit me zgjedhje; – Kkoef. Shkollës, koefiçenti i shkollës së mesme, për vitin akademik 2019-2020”, thuhet në njoftimin zyrtarë të universitetit. Kjo përllogaritje mësohet të jetë për 6 fakultet: 1 Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike me programet e studimit: Bachelor në Inxhinieri Mekanike; Bachelor në Inxhinieri Materiale; Bachelor në Inxhinieri Tekstili dhe Modë; Bachelor në Inxhinieri Ekonomike. 2. Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike me programet e studimit: Bachelor në Inxhinieri Elektrike-Profili Automatizim i Industrisë; Bachelor në Inxhinieri Elektrike-Profili Energjitikë; Bachelor në Inxhinieri Mekatronike. 3. Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave me programet e studimit: Bachelor në Inxhinieri Gjeoinformatikë; Bachelor në Inxhinieri e Burimeve minerare; Bachelor në Inxhinieri e Naftës dhe Gazit; Bachelor në Inxhinieri Gjeomjedisi; Bachelor në Inxhinieri Gjeologjike. 4. Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit me programet e studimit: Bachelor në Inxhinieri Elektronike; Bachelor në Inxhinieri Telekomunikacioni;Bachelor në Inxhinieri Informatike. 5. Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit me programet e studimit: Bachelor në Inxhinieri Ndërtimi; Bachelor në Inxhinieri Hidroteknikë; Bachelor në Inxhinieri Mjedisi; Bachelor në Inxhinieri Gjeodet. 6. Fakulteti i Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike, me programet e studimit: Bachelor në Inxhinieri Matematike; Bachelor në Inxhinieri Fizike.

Arkitekura

Për Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës, kandidatët duhet të kenë të njëjtën mesatare nga shkolla e mesme mbi 6 (gjashtë), ndërkohë renditja e aplikantëve që do të bëhet referuar pikëve të grumbulluara, ndryshon në mënyrë të tillë: 0.6 * Mes(VKM) * Koef. Shkollës* 1000 + 0.4 * T(Testi) * 100. Mes(VKM), nota mesatare e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave për vitin akademik 2019-2020, sipas Ligjit Nr. 80/2015, datë 22.07.2015 “Për arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë, në Republikën e Shqipërisë” neni 74, pika 1; Koef. Shkollës, koeficienti i shkollës së mesme, për vitin akademik 2019-2020. T(Testi), rezultati i testimit, i organizuar nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, i cili përbëhet nga katër (4) komponentë: Test i arsyetimit logjik 25% T(Testi), (25 pikë); Test i kulturës së përgjithshme 25% T(Testi), (25 pikë); Test i historisë dhe historisë së arkitekturës 25% T(Testi), (25 pikë); Test i vizatimit dhe prezantimit 25% T(Testi), (25 pikë). Kujtojmë që programet e integruara të studimit për këtë fakultet mbi këto kritere janë: 1. Master i Shkencave në Arkitekturë-Profili Arkitekt. 2. Master i Shkencave në Arkitekturë-Profili Urbanist si edhe për programin e studimit  Bachelor në Arkitekturë Interieri dhe Dizajn.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet