Ulja e TVSH-së, Ministria e Financave thirrje biznesit për vlerësim e projekt-vendimit

Publikuar më 19. 06. 2017 nga Denis Tahiri

Ministrja e Financave, Helga Vukaj, nëpërmjet një deklarate për mediat, ka bërë të ditur se në kuadër të  konsolidimit të projekt-vendimit  të Këshillit të Ministrave për zbatimin e ndryshimeve në ligjin për TVSH-në, e ka përcjellë këtë akt për vlerësim pranë Këshillit Tatimor si dhe grupeve të interesit.

Deklarata e plotë:

Ministrja e Financave znj. Helga Vukaj, në kuadër të konsolidimit të projekt-vendimit të Këshillit të Ministrave për zbatimin e ndryshimeve në ligjin për TVSH-në, e ka përcjellë këtë akt për vlerësim pranë Këshillit Tatimor si dhe grupeve të interesit, pas kërkesës së tyre.

Ministria e Financave ka përgatitur aktin në fjalë dhe mbetet në pritje të vlerësimeve përfundimtare nga institucionet e mësipërme për miratimin e tij.

Ministrja e Financave znj. Vukaj bëri pjesë të konsultimit grupet e interesit/dhomat e biznesit, me qëllim konsolidimin e këtij projekt-vendimi.

Ministria e Financave nxit grupet e interesit/dhomat e biznesit dhe Këshillin Tatimor që sa më shpejt të japin vlerësimet e tyre në mënyrë që ndryshimet në Ligjin për TVSH-në të implementohen gjatë sezonit turistik të këtij viti.

Ulja e TVSH-së në masën 6 % për strukturat akomoduese në fushën e turizmit pritet të nxisë investimet në këtë sektor jetik për ekonominë shqiptare. Implementimi i tij do të shoqërohet me rritjen e konkurencës dhe uljen e çmimeve.