Ulja e informalitetit, biznesi propozon rimbursim deri në 10% të kuponit për qytetarët

Publikuar më 27. 12. 2017 nga Eno Shkëmbi

Kur Antiinformalitet 3 është në zbatim e sipër biznesi i është përgjigjur një ankete lidhur me shkaqet që e kanë nxitur aktivitetin e parregulluar ligjor në sektorin e tyre respektiv. Të renditura njëra pas tjetrës biznesi konsideron se nga zbatimi i procedurave tatimore tek fragmentarizmi i sistemit apo cilësia dhe qëndrueshmëria e legjislacionit fiskal, të gjitha janë shkak për lulëzimin e informalitetit.

Anketa e Këshillit të Investimeve mbi vrojtimin e administratës publike dhe informalitetin nënvizon edhe këtë aspekt.

“Faktori fiskal më i rëndësishëm që mund të nxisë informalitetin tek bizneset ka qenë një pyetje me alternativa drejtuar bizneseve në vrojtim. Faktorët që krijojnë hapësira për informalitet dhe të vlerësuar si më të rëndësishmit nga biznesi janë: i) zbatimi i procedurave tatimore; ii) kapacitetet e administratës tatimore, dhe iii) pragu i TVSh, dhe d) pragu i tatim fitimit. Nëse I konsiderojmë si shumatore dy të fundit në një faktor të vetëm, fragmentizimi i sistemit tatimor del si shkaku i parë më i rëndësishëm i sjellë nga bizneset. Duhet theksuar se bizneset e përgjigjura në këtë vrojtim janë në shumicë mbi 8 milion lekë xhiro vjetore dhe kryesisht nga sektori I shërbimeve dhe tregtisë” thuhet në raportin e Këshillit të Investimeve.

Por ndërsa në përgjigjet e para biznesi është kufizuar brenda varianteve që mund të përzgjidhte, në një seksion më vetë pa kufizime, mes shkaqeve për informalitetin janë renditur edhe korrupsioni, ndikimi politik.

“Mbi shkaqet që nxisin informalitetin në sektorin ku operojnë një larmishmëri përgjigjesh kanë ardhur nëpërmjet vrojtimit. Sekretariati ka bërë një grupim të tyre sipas disa shtyllave që përgjithësojnë deri diku komentet e marra, që janë i) korrupsioni dhe ndikimi politik i bizneseve; ii) kapacitetet e administratës tatimore dhe doganore; iii) cilësia dhe qëndrueshmëria e legjislacionit fiskal; iv) konkurrenca e pandershme; v) fragmentizimi i sistemit tatimor; vi) taksat e larta; vii) niveli i ulët ekonomik. Numri më i madh i takon korrupsionit dhe ndikimit politik, pasuar nga kapacitetet e administratës tatimore dhe doganore si dhe legjislacioni fiskal” thuhet në raport.

Përtej këtyre arsyeve biznesi nuk ka harruar të përfshijë edhe veten ku kultura e ulët fiskale e bizneseve është cilësuar gjithashtu si një shkak për të devijuar nga kuadri ligjor.

Si mund të ulet informaliteti

Këshilli i Invesitmeve në një shtojcë më vete ka bërë edhe propozimet e tij për uljen e informalitetit ku një ndër sugjerimet që bie në sy është ajo e rimbursimit nga 5-10 për qind të vlerës së kuponit tatimor për konsumatorët.

Rritja e bonuseve për doganierët nëse rrisin zhdoganimet e rregullta, kështu pjesën që marrin nën dorë do e marrin zyrtarisht bonus nga shteti.
Kërkesë të origjinës së produkteve në subjektet e tregtimit përfundimtar të produktit.
Ideja që një biznes qe plotëson kriteret të certifikohet me një pullë dhe kështu inspektorët nuk mund të vijnë e të bëjnë presion çdo javë.
– Menyra me e mire për te luftuar informalitetin është të kontrollohen dhe gjobiten qytetaret apo bizneset qe nuk pranojnë t’u japësh faturë me TVSH.

– Mundësi sistemimi detyrimesh tatimore pa efekte të menjëherëshme penalitetesh nga kontrollet tatimore.

– Ndërgjegjësim i publikut. Të merren iniciativa që për cdo kupon tatimor do të rimbursohet 5 – 6 – 10 %.

– Te gjitha subjektet që prodhojnë, shesin apo kane aktivitet ne fushën e Agrobiznesit te jene te pajisur me licencat përkatëse dhe te jene objekt i monitorimeve sipas ligjit me qellim qe te të jenë të gjithë të barabarte. Kjo sidomos është e theksuar neper rrethe.

– Administrata tatimore të organizojë takime të veçanta sipas sektorëve, ku ti drejtojnë drejt formalizimit

– Një administratë tatimore të përgatitur, lë shume për të dëshiruar niveli i militantizmit ne administratën tatimore, te rinj e të vjetër nuk ka rëndësi, thjesht përzgjedhja është me shume me baza lidhjesh partiake se sa me specializime profesionale. Të rinj sapo të diplomuar ose me maksimum 1-2 vjet eksperience pune nuk mund të jenë kurrë pjesë e departamentit të kontrollit tatimor që shkojnë dhe kontrollojnë profesionistë që kanë vite në këtë fushë.

– Shërbimi për tatim paguesin më i hapur dhe në kontakt të drejtpërdrejtë me profesionalistët, të ndihmojnë subjektet që të raportojnë siç duhet detyrimet tatimore.

– Informacioni sa më i aksesueshëm. Ligjet të dalin përpara se të zbatohen bashkë edhe me udhëzimet përkatëse dhe të mos ketë shumë ndryshime të ligjeve./monitor/