U “plagos” në vijën e parë të frontit/ Miq, kolegë e politikanë: Shërim të shpejtë prof. Kraja

Prof. Dhimitër Kraja, alias doktor Luli, u rikthye në këto ditë të vështira të pandemisë nga koronavirusi në pavijonin ku punoi për dekada të tëra për të ndihmuar kolegët dhe për të shëruar pacientët e infektuar. Angazhimi i mjekut të dalë në pension meriton mirënjohje dhe përulje, por fatkeqësisht, dr. Kraja u prek  edhe vetë. Ai është në gjendje të stabilizuar, por me qindra mesazhe kanë mbërritur përsëdyti në adresë të tij, tashmë me thirrjeje kuraje dhe urimin për shërim të shpejtë. Shekulli sjell më poshtë disa prej mesazheve nga emra të njohur të politikës, shëndetësisë e medias.

Koço Kokëdhima, Kryetar i Partisë Zgjidhja

Prof. Dhimitër Kraja, ish-Shefi i Shërbimit të Sëmundjeve Infektive në QSUT, nga dje po përballet edhe vetë me virusin COVID-19. Ai braktisi jetën e qetë në pension, për t’u riktyer në krye të detyrës si në 48 vitet e karrierës së shquar profesionale, duke u bërë burim frymëzimi për bluzat e bardha që janë në radhën e parë të betejës me pandeminë. I uroj shërim të shpejtë dhe rikthim në gjirin e familjes dhe të kolegëve.

Bajram Hysa, ish-dekan i Fakultetit të Mjekësisë

Mora vesh që në këtë luftë globale kundër një armiku të padukshëm, duke qenë në vijën e parë të frontit, edhe juve jeni plagosur. Ndërgjegja juaj profesionale, misioni i mjekut dhe fisnikëria iu rikthyen në Spitalin infektiv, atje ku ke shërbyer me devocion për dekada të tëra duke qenë përherë një ndër Profesorët dhe mjekët elitare të Fakultetit të Mjekësisë dhe të mjekësisë shqiptare. Prof. Dhimitër Kraja është karakterizuar gjithmonë nga përkushtimi ndaj profesionit mjekësor dhe ndaj të sëmurëve. William Petty ekonomist dhe filozof anglez, që në vitin 1642 shkruante: “Mjekët, (ashtu) si verërat, janë më të mirë sa më shumë përvojë të kene”. E këtë përvojë Prof. Luli nuk hezitoi ta ofrojë edhe tani kur zëri i ndërgjegjes profesionale dhe fisnikëria e tij e drejtuan atje në vijën e parë të luftës kundër kësaj pandemie boterore. Të uroj ta marrësh veten shpejt, dhe do ta marrësh patjetër. Zoti të bekoftë ty dhe familjen tënde!

Lulzim Basha, kryetar i PD-së

Asgjë nuk e ndali doktor Dhimitër Krajën të rikthehet pas 48 vitesh në repartin e infektivit për të ndihmuar dhe shpëtuar jetët e pacientëve. Guximi, humanizmi, profesionalizmi dhe solidariteti njerëzor rrëzuan çdo pengesë, dhe e rikthyen atë në krah të kolegëve të tij, në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të bashkëqytetarëve nga virusi i rrezikshëm që e preku dhe atë vetë. I uroj nga zemra doktor Dhimitrit shërim të shpejtë! Urime dhe lutje për shëndetin e tij burojnë nga zemra e çdo shqiptari. Sot si kurrë më parë nderojmë dhe vlerësojmë sakrificat e mjekëve dhe infermierëve tanë që përballen çdo orë me rrezikun dhe sfidat e vështira të shpëtimit të jetëve nga pandemia e COVID-19.

 

Fiori Dardha, Moderatore në “Ora News”

Prof. Dhimitër Kraja është prekur nga Covid – 19 dhe po trajtohet në spitalin infektiv! Prof. Dhimitër Kraja, ose Dr.Luli, siç e njohin të gjithë, ka shërbyer një jetë të tërë në spitalin Infektiv. Ndonëse në pension, doktori i nderuar ishte nga të parët që u rikthye në sistem për të ndihmuar stafin e Infektivit. I uroj me shpirt, shërim të shpejtë Prof. Krajës!  Mirënjohje pafund për gjithë stafin e përkushtuar të Shërbimit Infektiv, që po punon me vetëmohim, ditë e natë, duke përballuar me profesionalizëm dhe dinjitet këtë situatë kaq të vështirë! KURAJË!  Në vend të komenteve do të doja duartrokitje për mjekët, infermierët dhe gjithë personelin mjekësor! Jeni heronj të vërtetë!

 

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet