TVSH-ja e biznesit të vogël, në Gjykatën Kushtetuese

Publikuar më 02. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Neritan Gjergo

Partia Demokratike akuzon qeverinë se i ka hequr të drejtën parlamentit për të vendosur mbi politikat e biznesit në vend. Deputetët braktisin komisionin pas debateve për buxhetin. Shoqatat dërgojnë një propozim të ri

Bizneset e vogla që sot janë në ankth nga propozimi i qeverisë për përfshirjen në skemën e TVSH-së, kanë një shans për të vijuar aktivitetin me rregullat në fuqi. Partia Demokratike, përmes deputetes Jorida Tabaku, është shprehur se do ta çojë vendimin që pritet të hyjë në fuqi nga janari, në Gjykatën Kushtetuese. Paralajmërimi është dhënë dje në  komisionin e Ekonomisë, ku u diskutua projektligji për Buxhetin 2018. “Diskutojmë prej kohësh për TVSH-në që do të vendoset pragu. Pse qeveria i heq të drejtën parlamentit për të vendosur pragun e TVSH-së dhe ia jep këtë të drejtë qeverisë? Partia Demokratike do ta çojë në Gjykatë Kushtetuese në rast se ky parlament do t’i japë atribute qeverisë që nuk i takojnë”, tha Jorida Tabaku gjatë diskutimit.

Debatet

Duke folur për buxhetin në tërësi Tabaku është treguar edhe më e ashpër me të majtët. “Koncesionet rriten 30 %. Ky projektbuxhet ka rreziqe të mëdha fiskale. Ju s’keni përgjegjshmëri. Vini këtu e talleni me hashashin dhe drogën. Po fshihni shifrat e borxhi publik. Opozita do të vijojë betejën me Gjykatën Kushtetuese nëse ky buxhet miratohet kështu”, u shpreh Tabaku. Nga ana e tij, kreu i komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe tha se deputetët e PD po bëjnë propagandë. “Ky komision nuk ka vend për propagandë”, tha ai. Por Tabaku nuk është ndalur duke thënë se “edhe FMN-ja e ka kundërshtuar dhe nuk do të sjellë asnjë përfitim pasi do të ketë kosto shtesë mbi administratën dhe nuk do të keni mundësi që ta mblidhni”.

Dy ditë më parë, përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke, është shprehur se “Pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual. Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin kanë vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e Departamentit të Taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficenca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen gjithashtu me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime”, tha shefi i FMN-së.

Më herët qeveria kishte deklaruar se në skemën e TVSH-së do të përfshihen të gjitha bizneset e vogla, duke mbyllur kështu zinxhirin e transaksioneve. Mirëpo ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha se pragu do të ulej nga 5 milionë në 2 milionë, duke lënë jashtë skemës fermerët, artizanët dhe një grup profesionesh. Anastas Angjeli mbajti qëndrimin politik në emër të mazhorancës duke e cilësuar buxhetin e shtetit për vitin 2018 si një akt që do të konsolidojë më tej sistemin fiskal dhe garantimin e rritjes ekonomike “Tashmë ne kemi një bazë buxhetore dhe një bazë fiskale reale ku mund të mbështetemi dhe pikërisht kjo na jep edhe karakteristikën e dytë themelore të buxhetit, një përpjekje reale për të kthyer fytyrën nga zhvillimi i ekonomisë, nga një zhvillim i qëndrueshëm dhe natyrisht për të siguruar një përfitim më të madh të mirëqenies sociale të qytetarëve. Dhe kjo mbështetet nga fakti se ky buxhet garanton përsëri në mënyrë më të konsoliduar një stabilitet makroekonomik në treguesit kryesorë, financiar, madje të përmirësuar si nga pikëpamja e rritjes ekonomike, e cila është e bazuar në faktor real qoftë të zhvillimit ekonomik dhe mbështetjes që do t’i jepet ekonomisë në sektorët e caktuar, qoftë edhe nga pikëpamja e rritjes së konsumit”, u shpreh Angjeli.

Braktisja

Debati dhe braktisja e komisionit vijoi për të dytën ditë radhazi, kur Edmond Spaho, kryetar i grupit parlamentar demokrat akuzoi mazhorancën se mori në mbrojtje ish-ministrin Tahiri. “Për këtë reformën e Saimir Tahirit e keni fjalën? Pse nuk ju vjen turp. S’i hoqët imunitetin. T’ju vijë turp që përmendni reformën në drejtësi. Jeni të zhytur në drogë. Qesharakë. Druri i shtrembër ju kërcënoi”, tha Spaho. Braçe iu përgjigj që të qetësohej dhe të lexonte raportin e “Doing Business”. “Më vjen keq që jeni i nxehur. Lexoni “Doing Business”. Pas këtyre debateve deputetët e PD lanë mbledhjen e Komisionit ashtu si edhe një ditë më parë, i pranishëm nga LSI ishte vetëm Edmond Haxhinasto i cili nuk iu bashkua bojkotit të PD. Nga ana tjetër, deputeti i LSI, Edmond Haxhinasto qëndroi në mbledhjen e komisionit parlamentar të Ekonomisë.

Propozimi i shoqatave

Për bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë shoqatat e biznesit propozojnë zero nivelin e tatim-fitimit. “Lidhur me tatim-fitimin kemi propozuar të bëhet kategorizimi i biznesit të vogël, bazuar në xhiron vjetore. Deri në 5 milionë lekë pa tatim-fitimi ose 0 %; 5 deri në 14 milionë lekë me  5 %;  mbi 14 milionë lekë të jetë 10%”, tha Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka. Komuniteti i biznesit në vend pas konsultimeve për Paketën Fiskale 2018, ka hartuar 10 propozime, të cilat ia ka përcjellë komisionit të Ekonomisë. Ndër to është përjashtimi i disa shërbimeve nga TVSH-ja me xhiro deri në 5 milionë lekë, nga 2 milionë lekë që ka propozuar qeveria. “Të përjashtohen shërbimet, tregjet bashkiake, artizanati, zejtarët si: hidraulik, elektrik, punëtori, mekaniku, palestër, aerobi, profesione të lira, si avokatet, etj, që kufi xhiro vjetore deri 5 milionë lekë”, deklaroi Jaka.

“Të bësh biznes”, përkeqësohet klima e investimeve në vend

Në prag të debatit për Paketën Fiskale 2018, që përsëri rrit taksat me 50 milionë euro, raporti i “Doing Business” për vitin 2018 na ul me 7 vende dhe vë theksin tek plaga e taksave. Renditemi të 125-t në sektorin e taksave dhe detyrojmë një biznes të paguajë 37.3% të fitimit në formën e taksave. Kosova, Serbia, Mali Zi dhe Maqedonia renditen përpara nesh duke treguar edhe një herë që beteja jonë me konkurrentët është e humbur sa i takon aftësisë së tyre për të përthithur investime por edhe për të lehtësuar të bërin biznes. Pas publikimit të raportit ka reaguar kreu i PD-së, Lulzim Basha i cili ka shkruar Facebook se të gjitha shtetet e tjera të rajonit janë në një renditje shumë herë më të mirë sesa Shqipëria, duke na lënë prapa në shumë drejtime. Sipas Bashës, rënia e Shqipërisë kur fjala vjen tek të bërit biznes, s’ka sesi të mos i atribuohet faktit se qeveria po zvarrit rimbursimin e TVSH-së dhe se po godet bizneset me një shumëfishim të taksave.

Regresi

Raporti, të dhënat dhe metodologjia e të cilit rishikohen çdo vit, konstaton se në renditjen totale të listës prej 190 vendesh, Shqipëria renditet e 65-ta, ndërsa në Treguesin e Distancës nga vlerësimi me pikët maksimale (100), ka lëvizur në 68.70 pikë. Kujtojmë se një vit më parë, Shqipëria renditej në vendin 58. Kjo tregon se të bërit biznes në vendin tonë është vështirësuar ose vendet e tjera janë përmirësuar me ritme më të shpejta duke na lënë pas.

Raporti gjithashtu konstaton se Shqipëria ka kryer ndryshime të rëndësishme në kuadrin rregullator në fushat e mëposhtme gjatë periudhës 2016-2017: Shqipëria ka përmirësuar aksesin në kreditim duke bërë ndryshime në Kodin Civil dhe në Ligjin për Barrën Siguruese.