T’u kthejmë qytetarëve sovraninitetin mbi politikën

Publikuar më 27. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Sulejman Abazi

Nesër pritet protesta paqësore e opizitës shqiptare në Bulevardin “Deshmorët e Kombit”. E thënë hapur, protesta drejtohet kundër qeverisë “Rama – 2”, për të larguar nga drejtimi i saj Edi Ramën, si një kryeministër i dështuar dhe i paaftë në drejtimin e Shqipërinë. Çështja e zgjidhjes së këtij ngërçi politik që e ka pikënisjen në përplasjen e ashpër brenda Parlamentit të Shqipërisë, në pamje të parë duket sikur nga opizita shqiptare janë konsumuar të gjithë rrugët politike institucionale dhe protesta massive mund të justifikojë rrëzimin e qverisë. Thelbi i kontradiktës politike dhe sociale, në rastin konkret, nuk përfaqëson vetëm njërën anë të medaljes, të qënit në opozitë dhe synimin e pushtetit, siç ndodh çdo herë në jetën elektorale.

Çështja është e thellë me zanafillën e vet, në fillesat e shtetit në demokraci. Ajo për shumjë arsye vendos para faktit bashkëpërgjegjësin, e cila deri më sot ka qenë terreni më i paprekur nga Politika dhe Drejtësia, për të dhënë llogari  popullit për kapjen dhe shkatërrimin e shtetit, të drejtësisë, të ekonomisë, kalbjen e adminstratës shtetërore, për varfërinë sociale dhe ekonomike, kriminalizimin e jetës, për dhunimin që i kanë bërë demokracisë shqiptare në bashkëpunim.

Përgjegjësinë e keqpërdorimit të pushtetit, të grabitjes dhe shkatërrimit të vendit, të kriminalizimit të jetës social – politike, të krijimit të klimës terrorizuese që po zbraz Shqipërinë nga shqiptarët, këtë përgjegjësi dy partitë e mëdha shqiptare PD dhe PS, nuk e kanë pranuar asnjëherë, duke shfrytëzuar barbarisht mbrojtjen e pushtetit të korruptuar dhe kriminal, për interesa të ngushta meskine e klanore. Le të vlerësojmë për një çast aktin e pritshëm, protestën, në këndvështrimin e normave dhe standardeve demokratike. Pse duhen organizuar perotesta të tilla në rrugë nën drejtimin e partive parlamentare, kur ato janë në Parlament, vendi ku zhvillohet lufta politike në demokraci?

Vendi i betejës politike është Parlamenti i Shqipërisë. Në këtë arenë të hapur dhe publike, askush nuk po vepron me alternative, të denoncojë me argument, të rekomandojë rrugëzgjidhje, duke mos pasur kurajon juridike dhe përgjegjësinë para qytetareve për t’i thoni hapur “NDAL” pushtetit të Partisë Socialiste, që po vazhdon grabitjen e planifikuar të pasurisë kombëtare. Bashkëfajësia nuk e lejon opozitën të mbajë këtë qëndrim. Fakti që gjithçka në përplasjen parlamentare personalizohet, me akuza dhe kundërakuza shumë të rënda në sytë e opinionit, do të thotë që, nuk është halli i qytyetarëve, por shtrëngimi i morsës së Drejtësisë në reformim, e cila shumë shpejtë mund t’i japë drejtim akuzës drejt politikanëve të korruptuar dhe kriminalizuar, që sot janë në majën e piramidës së pushtetit dhe të shtetit.

As më shumë e as më pak, ky është problemi më delikat që shqetëson pa dallim, drejtuesdit politik të pozitës dhe opozitës në Shqipëri. Njerëzit e ndershëm nuk duhet të bëhen pjesë e kësaj loje politike që i ka shkaktuar shumë andralla jetës së qytetarëve në dy dekada e gjysëm. Partia “Zgjidhja” u drejtohet shqiptarëve në thirrjen e saj: Protestoni çdo ditë të vitit për interesat tuaja qytetare, ashtu siç po bëjnë sot njerëzit në Vërri të Fierit, naftëtarët e Fierit dhe të Ballshit, kundër veprimeve mafioze të qeverisë Rama, e cila po luan shumë rëndë me pasurinë kombëtare dhe po e kthen Shqipërinë në një kazan të përpunimit të mbetjeve të botës. Ajo denoncon shkatërrimin e organizimit sindikalist në Shqipëri, duke e konsideruar një lojë të partive më të mëdha për të mbajtur nën kontroll reagimin popullor, nëpërmjet krerëve të shitur e të blerë, nën përgjegjësinë 27 vjeçare të partive që kanë drejtuar Shqipërinë.

Partia “Zgjidhja” konstaton dhe denoncon partitë e mëdha politike, PS, PD dhe LSI-në, të cilat vazhdojnë të shkelin Kushtetutën e Shqipërisë, duke nxitur dhe udhëhequr turmat në çdo rast për interesa të ngushta, duke injoruar arenën politike parlamentare. Në këtë qëndrim me arrogancë po shfaqet nënvleftësimi i shoqërisë Civle, e cila sot qëndron në hije, pa energji pozitive në interes të vlerave të demokracisë. Qëndrimi i Partisë Socialiste në pushtet, nuk duhet të harrojë veprimet e saj me këtë metodë rruge, kur ka qenë në opozitë. Kjo është bashkëfajësi e plotë, në situatën kaotike që shfaqet në krizën politike në Shqipëri. Ky veprim që tashmë është kthyer në traditë rruge në Shqipëri, është një uzurpim i të drejtës së protestës nga shoqëria civile, e cila duhet të dalë në protesta masive kundër padrejtësive për probleme jetike të shoqërisë.

Ka ditë që në mediat shqiptar po i mëshohet fort faktit të kësaj proteste të paralajmëruar, dhe gjuha e politikanëve opozitarë ëshgtë shumë e ashpër, që lë të nënkuptohet se mund të ndodhë gjithçka. Njerëzve të thjeshtë u shkon mendja se ndoshta po tentohet të përsëritet një “21 janar” tjetër, siç organizoi protestën Partia Socialiste para 6 vjetësh, e cila u nda me 4 viktima të pafajëshme. Shpërndarja e këtij terrori psikologjik në opinionin e shqiptar është antikushtetues dhe kriminal.  Gjykojmë se është e munguar prania e juristëve në mediat shqiptare, të cilët duhet t’i shpjegojnë opinionit me baza ligjore, pse protestat të tilla marrin karakter ekstrem dhe çfarë fshihet në thirrjet pupuliste në mbështetje të liderëve politikë për interesa partiake. Thirrja është një penalizim për njerëzit e manipuluar, që mund të bëhen pjesë e lojërave të politikanëve të korruptuar dhe kriminalizuar, po aq sa mund të bien pre e skenarëve kompromentues të strukturave të shtetit.

Juristët nuk mund të mos tërheqin vëmendjen e organit të Akuzës, kundër këtyre deklaratave ekstreme. Të nxitësh terror psikologjik në masën e qytetarëve, “se çfarë mund të ndodh në 27 janar”, është ligjërisht e dënueshme, është një veprim që cënon rendin kushtetues dhe sigurinë e jetës qytetare. Ai duhet të penalizoj drejtuesit politikë, që shkelin rendin kushtetues dhe nxisin anarkinë. Partitë që propogandojnë dhe organizojnë akte të dhunës në emër të protestës paqësore, janë të përjashtuara në sistemin e demokracisë. Në thirrjet histerike, po shfaqet kriza morale e pozitës së mjeruar të liderëve që sot përfaqësojnë partitë parlamentare të opozitës dhe përballë tyre, qëndrimin e shurdhër të Partisë Socialiste. Metoda e zgjidhjes së problemeve në rrugë, në emër të partive, duhet të marrë fund në Shqipëri. Kujtojmë shtatorin e vitit 1998, vitin 2011, ku partitë e mëdha politike kanë përgjegjësi në manipulimin e antarësisë dhe dëmet e shkaktuara ekonomisë shqiptare. Mungesa e koncensusit për çështje të rëndësishme, është mungesa e kulturës politike, shfaqje e interesave oligarke të një pushteti të kapur dhe të kriminalizuar.

Kjo penalizon edhe opozitën shqiptare, e cila e ka kthyer çështjen e pushtetit në Shqipëri, si mjet këmbimi për interesa të ngushta. Qëllimi i protestës, përtej asaj që propogandohet, mund të shkojë në përfitimin politik të Sali Berishës, Lulëzim Bashës dhe Monika Kryemadhit. Ata, më shumë se sa për “hallet” e qytetarëve, kanë hallin e tyre përballë drejtësisë.  Thirrja e “Zgjidhjes” është e hapur dhe e deklaruar në konferencën për shtyp të zotit Kokëdhima: Mos u tallni me hallet e qytetarëve të këtij vendi të varfëruar dhe në mjerim social. Ju nuk mund të bëni “mish për top” njerëzit që kërkojnë drejtësi, sepse ju keni përgjegjësinë e madhe të drejtimit skandaloz të jetës shqiptare në këto 27 vite. Protesta juaj është një lojë politike, që nuk gjeneron energji pozitive në jetën shqiptare. Sot jeta social politike e shqiptarëve ka nevojë për zërin e protestës paqësore të qytetarëve në çdo qytet të Shqipërisë. Atom duhet të mbartin brenda tyre frymën sindikaliste të minatorëve, naftëtarëve, arsimtarëve, ish ushtarakëve dhe shtresave në nevojë. Ka ardhur koha që shqiptarët për të mirën e tyre duhet ti largohen frymës ekstreme të militantizmit partiak dhe t’i bashkohen vullnetit qytetar, për t’i kthyer në rrugë demokratike sovranitetin e politikës qytetarëve të Shqipërisë.