Trump, takim me ligjvënësit mbi politikat e imigracionit

Presidenti amerikan Donald Trump po zhvillon një takim me ligjvënësit kryesorë mbi politikat e emigracionit. Nga takimi megjithatë nuk pritet ndonjë përparim i shpejtë në çështjen që lidhet me mbrojtjen nga deportimi të qindra mijëra të rinjve emigrantë të përfshirë në atë që njihet si programi DACA. Bisedimet në Shtëpinë e Bardhë po ndodhin ndërsa zoti Trump dhe Kongresi përballen me 19 janarin si afat për të arritur një marrëveshje mbi shpenzimet e qeverisë amerikane deri në fund të shtatorit. Palët kanë qenë të detyruara tre herë të bien dakord mbi plane të përkohshme buxhetore në pamundësi të një marrëveshjeje afatgjatë.

Vitin e kaluar zoti Trump i dha fund një programi të ish-presidenti Barak Obama që mbronte prej dëbimit, 690 mijë a më shumë të rinj emigrantë të cilët vite më parë u sollën në Amerikë në mënyrë të paligjshme nga prindërit e tyre. Megjithatë presidenti Trump i dha Kongresit afat deri më 5 mars të shqyrtojë çështjen. Në këmbim të një zgjidhje mbi këtë çështje zoti Trumpi ka bërë thirrje për një fond prej 18 miliardë dollarësh për financimin e murit me Meksikën, një propozim që demokratët e kanë kundërshtuar, së bashku me disa ligjvënës republikanë. /Zëri i Amerikës/

 

Të tjera

Abissnet