Trump: Pheniani nuk përbën më një kërcënim bërthamor

Presidenti amerikan e ka mbrojtur marrëveshjen si një hap të madh në trajtimin e kërcënimit që vjen nga një Kore e armatosur me armë bërthamore. Ai tha se besonte se qeveria e Kim Jong Un-it do të niste menjëherë procesin e realizimit së marrëveshjes.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi dje se “Koreja e Veriut nuk përbën më një kërcënim bërthamor”, ndërsa u kthye në Uashington pas takimit të nivelit të lartë në Singapor me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un. “Të gjithë tani mund të ndihen shumë më të sigurt se ditën kur unë mora detyrën”, shkruante në një postim në twitter zoti Trump. “Takimi me Kim Jong Un-in ishte një përvojë interesante dhe shumë pozitive. Koreja e Veriut ka një potencial të madh për të ardhmen!”, shkruante ai.

Zoti Trump shkruante gjithashtu se “kursyem shumë duke mos bërë lojëra lufte, për sa kohë që po negociojmë në mirëbesim, gjë që dy palët po e bëjnë”. Gjatë takimit të martën udhëheqësi i Phenianit ra dakord “për çarmatimin bërthamor të gadishullit Korean”, ndërsa presidenti Trump njoftoi papritur pezullimin e stërvitjeve ushtarake me Korenë e Jugut. Dokumenti i nënshkruar nga dy udhëheqësit nuk përfshin detaje se si dhe kur Koreja e Veriut do të nisë procesin e çarmatosjes bërthamore, as nuk qartëson se çfarë “garancish sigurie” do t’i japin Shtetet e Bashkuara, Koresë së Veriut.

Kritikët vunë në dukje mungesën e detajeve në marrëveshje duke vënë në pikëpyetje nëse zoti Trump ofroi shumë duke marrë shumë pak si shkëmbim gjatë bisedimeve me udhëheqësin e Phenianit. Presidenti Trump e ka mbrojtur marrëveshjen si një hap të madh në trajtimin e kërcënimit që vjen nga një Kore e armatosur me armë bërthamore. Ai tha se besonte se qeveria e Kim Jong Un-it do të niste menjëherë procesin e realizimit së marrëveshjes.

Pas takimit

Presidenti Donald Trump dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un bënë histori me takimin e tyre në Singapor. Dy udhëheqësit nënshkruan një marrëveshje që detyron dy vendet të punojnë drejt çarmatimit të gadishullit korean, ndërsa detajet mbeten të paqarta. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone, për Presidentin Trump kjo është lëvizja më e rëndësishme në rrafshin e politikës së jashtëme që nga ardhja në këtë post, dhe vjen ndërkohë që zoti Trump shpreson të forcojë pozitat politike brenda vendit në prag të zgjdhjeve të pjeshme për Kongresin amerikan në muajin nëntor.

Që nga shtrëngimi i parë i duarve e deri në nënshkrimin e marrëveshjes për çarmatimin bërthamor, Presidenti Trump dhe udhëheqësi Kim ndërmorën hapat e parë drejt hapjes së një kapitulli të ri mes dy vendeve. “Njerëzit do të jenë shumë të impresionuar dhe shumë të gëzuar. Ne do të zgjidhim një problem shumë të madh dhe shumë të rrezikshëm për botën”, u shpreh Presidenti Trump. Ishte momenti më kryesor për Presidentin Trump deri më sot në arenën ndërkombëtare. Ai tha për bashkëpunëtoren e Zërit të Amerikës, Greta Van Susteren, se ishte një mundësi për të cilën po priste me padurim.

“Bisedimet na shkuan mirë dhe patëm afrimitet. Për mua ka rëndësi afrimiteti dhe gjendja shpirtërore gjatë bisedimeve. Mendoj se gjëra të mira do të vijnë për Korenë e Veriut.” Ndërsa Pheniani u zotua të punojë drejt çarmatimit bërthamor, Uashingtoni ofroi garanci të jokonkrete për sigurinë dhe ndalimin e manovrave ushtarake me Seulin. Për disa, ishte një takim ku sundonte simbolika dhe me pak substancë, thotë analisti Kyle Ferrier me Institutin Ekonomik Korean të Amerikës. “Për të dy palët, ishte thjesht një takim për t’u përshëndetur, që të njiheshin, për të hapur rrugën për bisedime të ardhshme.” Takimi Trump-Kim erdhi pas samitit të vendeve të G-7 në Kanada ku presidenti amerikan dhe Kryeministri Justin Trudea i Kanadasë kryqëzuan shpatat lidhur me tarifat tregtare, ndërsa Kanadaj u zotua për hakmarrje.

“Si kanadezë, ne njihemi si të sjellshëm dhe të arsyeshëm, por ne nuk lejojmë të merremi nëpër këmbë”, tha Kryeministri Trudeau. “Mbështetja për të ka filluar të rritet. Mbështetja për të zakonisht ka qënë mes 39 dhe 40 përqind për një kohë të gjatë. Por në anketat e Gallupit mbështejta javën e fundit ka arritur në 42 përqind dhe patëm një javë kohët e fundit ku mbështejta ishte 43 për qind.” Zoti Trump pritet ta paraqesë takimin si një arritje të madhe politike. Por mbetet e paqartë se sa do të ndihmojë kjo republikanët ndërsa përballen me vështirësi në zgjedhjet e pjesshme të nëntorit për Kongres, thotë John Fortier me Qendrën për Politika Dypartiake.

“Presidenti është figura qendrore në fletët e votimit në zgjedhjet e nëntorit. Edhe pse teknikisht nuk kandidon, ai është figura kundër të cilit votojnë kundërshtarët. Kemi një opozitë të fuqishme demokratike kundër zotit Trump, dhe ata po shprehin entuziazëm për të dalë në votime.” Tashmë i takon zotit Trump që të gjejë mënyrën se si ta paraqesë takimin me Korenë e Veriut si një sukses, ndërkohë që një pikëpyetje është thelbi i asaj që u arrit në Singapor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet