Trump: Jo paktit të Parisit për klimën, dëmton e ndëshkon amerikanët

Publikuar më 02. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

Shtetet e Bashkuara të Amerikës tërhiqen nga marrëevshjen e Parisit për Klimën. Të enjten në një fjalim para Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Trump njoftoi vendimin për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, duke thënë se marrëveshja do të shkaktonte humbjen e mijëra vendeve të punës në vend. Ai tha se marrëveshja do të pengonte rritjen ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe do të dëmtonte familjet amerikane. Presidenti theksoi se Shtetet e Bashkuara do të fillojnë menjëherë përpjekjet për arritjen e një marrëveshje të re mbi ndryshimet klimatike që do të ishte më e mirë për popullin amerikan. Trump tha se ai “brengoset thellësisht për mjedisin”, porse “nuk mund të mbështesë një marrëveshje që ndëshkon SHBA-në”.

“Për të përmbushur detyrën time solemne për mbrojtjen e Amerikës dhe qytetarëve të saj, Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga akordi i Parisit për ndryshimet klimatike, për të nisur negociatat për të rihyrë në marrëveshjen e Parisit, ose në një marrëveshje tërësisht të re me kushte më të drejta për Shtetet e Bashkuara”, tha Trump nga “Rose Garden” i Shtëpisë së Bardhë. “Ne po tërhiqemi”, theksoi Presidenti. Marrëveshja e arritur në 2015, e cila synon të reduktojnë çlirimin e gazeve karbonike në atmosferë, ka aktualisht mbështetjen e 194 vendeve. Presidenti bëri të ditur përmes një postimi mbrëmë në llogarinë e tij në Twitter se do ta bëjë njoftimin në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë të enjten pasdite. Dje disa grupe mediatike njoftuan se Presidenti kishte vendosur të tërhiqej nga marrëveshja globale.

Më parë të mërkurën, pas një takimi me Kryeministrin vietnamez Nguyen Xuan Phuc, Trump tha se po dëgjonte mendimet e “shumë njerëzve nga të dyja skajet e debatit” për të analizuar opsionet. Zëdhënësi Sean Spicer tha se personat me të cilët është konsultuar presidenti përfshijnë drejtues biznesi dhe krerë shtetesh të huaja. Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit, shënon një hap prapa në politikat ambientaliste të ndjekura nga administrata e mëparshme amerikane, nën Presidentin Barak Obama. Një grup prej 22 senatorësh republikanë i kanë bërë thirrje zotit Trump të tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit për të shmangur rrezikun e padive gjyqësore që mund të ndërlikojnë përpjekjet e administratës aktuale për të anuluar projektet për energji të pastër të administratës së mëparshme. Tërheqja do të entuziazmojë bazën republikane të Presidentit, por do të revoltonte ambientalistët dhe aleatët e Amerikës.

Reagimet

Në pritje të vendimit të qeverisë amerikane, aleatë evropianë dhe të tjerë kanë shprehur shqetësimin e tyre.

“Unë po vazhdoj të loboj pranë autoriteteve amerikane në të gjitha nivelet për t’i marrë shumë seriozisht ndryshimet klimatike dhe për të treguar udhëheqjen që Amerika ka treguar në të kaluarën,” tha Sekretari i Jashtëm britanik Boris Johnson për televizionin Sky Neës. Zëdhënësi i presidentit rus Dmitri Peskov tha se marrëveshja ka një rëndësi të madhe, por se nuk do të jetë shumë e efektshme pa pjesëmarrjen e faktorëve kryesorë. Kryeministri i Kinës Li Keqiang tha se Kina do të respektojë angazhimin që ka marrë për të zbatuar marrëveshjen.

Llogaria zyrtare e Kombeve të Bashkuara në Twitter kishte mesazhin “Ndryshimet klimatike nuk mund të vihen në dyshim. Mobilizimi për klimën është i pandalshëm. Zgjidhjet për klimën ofrojnë mundësi të pakrahasueshme”. Megjithatë, për të aktivizuar procedurat zyrtare të tërheqjes, Trump do të ndezë një proces të gjatë që nuk do të mund të përfundojë përpara nëntorit të vitit 2020, muajin kur ai pritet të rikandidojë për president, duke siguruar kështu se çështja do të bëhet një temë e rëndësishme debati në garën e ardhshme presidenciale.