Trump i drejtohet Gjykatës së Lartë për Urdhrin e Udhëtarëve

Publikuar më 03. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

Presidenti Donald Trump i kërkoi Gjykatës së Lartë të vendit rivendosjen e kufizimeve të parashikuara në urdhrin e tij ekzekutiv, që ndalon udhëtarët nga gjashtë vende me shumicë myslimane të hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Administrata i kërkoi gjykatës të shqyrtojë ligjshmërinë e urdhrit ekzekutiv, i rrëzuar prej gjykatave të nivelit më të ulët. Vendimi i fundit kundër politikës së udhëtimit të presidentit Trump erdhi nga një gjykatë federale e apelit në muajin maj.

Gjykata në Richmond të shtetit Virxhinia tha se urdhri ishte në fakt ndalim për myslimanët. “Urdhri ekzekutiv nuk është asgjë më shumë se ajo çfarë presidenti premtoi përpara dhe pas zgjedhjes së tij: diskriminim i qartë kundër myslimanëve”, thuhet në vendimin prej 205 faqesh të gjykatësit të apelit. Shumica e trupit gjykues prej 13 gjyqtarësh që vendosi në këtë rast, përmendi komentet në Twitter të zotit Trump, intervistat e tij televizive dhe deklaratat e publikuara në faqen në internet gjatë fushatës, si dëshmi e qëllimit të tij. Por, administrata Trump argumenton se gjykata nuk duhet të shohë përtej tekstit të urdhrit ekzekutiv, i cili nuk përmend fenë. Zyrtarët e administratës argumentuan se vendet e përfshira në urdhër nuk u zgjodhën, sepse kanë shumicë myslimane, por për shkak se paraqesin rrezik për terrorizëm.

Ky urdhër, i cili është pezulluar, ndalon përkohësisht udhëtimin e personave nga 6 vende me shumicë myslimane, me arsyetimin se kjo do t’i bënte Shtetet e Bashkuara më të sigurta. Që të marrë dritën jeshile, kërkesa duhet miratuar nga të paktën 5 prej 9 anëtarëve të gjykatës. Urdhri ekzekutiv është bllokuar aktualisht nga disa gjykata më të ulëta, të cilat e konsiderojnë si “diskriminues”. Por zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë deklaroi se administrata është “e bindur, se vendimi i presidentit Trump është brenda autoritetit të tij ligjor, e vjen si nevojë për të mbajtur kombin të sigurt për të mbrojtur komunitetet nga terrorizmi”. Urdhri i ndalimit të udhëtimeve u firmos më 6 mars, e do t’iu pengonte përkohësisht hyrjen në SHBA refugjatëve dhe vizitorëve nga Irani, Libia, Somania, Sudani, Siria dhe Jemeni.

Pakti i ri për klimën

Vendimi për t’u tërhequr nga marrëveshja e Parisit pë klimën ka pasur jehonë të madhe në arenën botërore. Shumë liderë botërore e kanë kontestuar një veprim të tillë. Por Presidenti amerikan në një postim në rrjetet e sociale i ka dhënë një mesazh atyre, duke u shprehur se është i hapur për një marrëveshje të re. “Është momenti që të dalim nga Marrëveshja e Parisit, koha është për arritur një marrëveshje të re që mbron ambientin, ndërmarrrjet, si dhe qytetetarët dhe vendin tonë”, shkruan Trump. Dalja e SHBA-ve nga kjo marrëveshje e firmosur nga Obama ishte një nga premtimet e Trump gjatë fushatës. Por reagimet e liderëve të tjerë që dolën kundër këtij qëndrimi.  “Unë e respektoj vendimin e tij, por mendoj se ai është i gabuar, si për Shtetet e Bashkuara, edhe për planetin tonë,”- tha Presidenti i Francës, Macron. Kombet e Bashkuara e cilësuan tërheqjen nga marrëveshja “një zhgënjim i madh” ndaj përpjekjeve për sigurinë globale.

“Marrëveshja e Parisit u miratua nga thujase të gjitha vendet e botës në vitin 2015 sepse të gjithë i pranojnë dëmet e mëdha që po shkaktojnë ndryshimet klimatike dhe mundësitë e jashtëzakonshme që paraqesin masat për ngadalësimin e tyre,”- tha zëdhënësja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Ndërsa Merkel deklaroi se “për Gjermaninë unë mund të them, se natyrisht, ne do të vazhdojmë t’i përmbushim detyrimet tona në marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike, në kuadrin e strukturës së përbashkët europiane. Unë e shoh marrëveshjen si një kontratë themelore edhe për t’i dhënë formë globalizimit. …Dhe jam e kënaqur që edhe vende të tjera në planetin tonë e shohin atë njëlloj si unë”.