Trump dëshiron emigrantë të kualifikuar dhe heqjen e Lotarisë Amerikane

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump shpalli planin e tij të emigracionit që përfshin ndalimin e sistemit të Vizave për Diversifikimin e Emigracionit, e njohur ndryshe si lotaria amerikane. Plani ul në mënyrë drastike numrin e vizave të emigrimit që u jepen familjarëve, si dhe zhvendos emigracionin drejt një sistemi të bazuar tek meritat. Siç njofton korrespondentja në Shtëpinë e Bardhë e Zërit të Amerikës, demokratët e kanë refuzuar këtë plan, pasi nuk trajton çështjen e 700 mijë të mbiquajturve “ëndërrimtarë”, individë të sjellë ilegalisht në moshë të mitur në Shtetet e Bashkuara.

Sipas të dhënave të Bordit Kombëtar të Shkencës, 30% e punonjësve me arsim të lartë në sektorët amerikanë të inxhinierisë dhe shkencave kanë lindur jashtë Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Donald Trump dëshiron të vijnë në Amerikë më shumë emigrantë të tillë me kualifikime të larta.

“Një sistem i ri emigracioni që mbron rrogat e amerikanëve, që promovon vlerat amerikane, dhe që tërheq më të mirët dhe më të shkëlqyerit nga mbarë bota”, tha Presidenti Trump.

Shtetet e Bashkuara miratojnë çdo vit 1.1 milionë viza për qëndrim të përhershëm, të mirënjohura ndryshe si kartat jeshile.

Shumica u jepen të afërmve të shtetasve amerikanë, dhe një pjesë e vogël jepet për shkak të aftësive dhe veçorive profesionale.

Presidenti Trump dëshiron të ulë numrin e vizave që jepen për të afërmit dhe të rrisë numrin e vizave që ai i quan “të bazuara tek meritat”.

Gjithashtu, Presidenti dëshiron të përgjysmojë numrin e vizave që jepen për arsye humanitare, si p.sh. për azilkërkuesit dhe refugjatët. Mbi të gjitha, Presidenti Trump dëshiron t’i japë fund llotarisë amerikane.

“Përzgjedhja e rastësishme është kundër vlerave amerikane”, tha Presidenti Trump.

Presidenti e emërton propozimin e ri “Viza për të Ndërtuar Amerikën”. Plani bazohet tek një sistem pikësh, tek mosha, njohuritë e gjuhës angleze, arsimi, ofertat për punësim apo premtimi për të investuar, si dhe kërkon kalimin me sukses të një testimi për historinë amerikane dhe qeverisjen.

Demokratët e refuzuan planin e Presidentit të bazuar tek meritat.

“A po thuhet që familja nuk ka merita? A po thonë se shumica e njerëzve që kanë ardhur historikisht në Shtetet e Bashkuara nuk kanë merita pasi nuk kanë një diplomë inxhinierie?”, tha Nancy Pelosi, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.

Gjithashtu, demokratët nuk e pranojnë propozimin e ri pasi nuk trajton çështjen e 700 mijë “ëndërrimtarëve”, persona të sjellë ilegalisht në moshë të mitur në SHBA, si dhe të miliona emigrantëve pa dokumenta që gjendet tashmë në Shtetet e Bashkaura.

“Nuk ka shanse të miratohet me ligj. Ai (Presidenti Trump) e pranoi vetë këtë gjë duke thënë në fund të fjalimit të tij se nëse nuk miratohet nga Kongresi i tanishëm, atëherë do të miratohet kur të zgjidhet sërish Presidenti dhe të krijohet Dhoma e re e Përfaqësuesve. Mendoj se i pamë dy vite të këtij Presidenti dhe të Kongresi me shumicë republikane, periudhë gjatë së cilës ai nuk arriti dot asgjë për emigracionin. Prandaj, nuk mendoj se ky propozim ka ndonjë shans”, thotë David Bier, analist i politikave të emigracionit në Insitutitin Cato.

Propozimi gjithashtu nuk i jep zgjidhje aspektit të numrit të ulët të punëtorëve për profesione që nuk kërkojnë kualifikime të larta.

“Ka sektorë të ekonomisë që ankohen se nuk gjejnë punëtorë dhe kanë nevojë për emigrantë, si p.sh. ndërtimi, bujqësia apo industria e mishit. Ka shumë kërkesë në këto fusha. Një sistem emigracioni për individë me kualifikime të larta, megjithëse është i rëndësishëm, nuk jep zgjidhje për nevojat tona për punëtorë pa kualifikime të larta”, thotë Rick Su, profesor për legjislacionin e emigracionit në Universitetin Buffalo.

Presidenti Trump këmbëngul gjithashtu për ndërtimin e një muri në kufi, duke krijuar për këtë qëllim një fond me tarifa të mbledhura nga personat që kalojnë kufirin./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Vija fatale e Ballkanit

Blerim Latifi Gjatë historisë, njerëzit në Ballkan kanë vuajtur nga një lloj fataliteti gjeopolitik. Ky fatalitet ka të bëjë me…

Abissnet