Trebeshina tri herë letër qeverisë, që të ikte në Zvicër, por e burgosin!

Publikuar më 24. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Pas përplasjeve në Lidhjen e Shkrimtareve, Kasëm Trebeshina takon ministrin e Punëve të Brendshme, të cilin e kishte pasur shok lufte. Ministri i kërkon të bëhet sërish oficer, që t’i siguronte kushte të favorshme për zhvillimin e talentit.  Por, Trebeshina nuk pranon! I kërkon qeverisë të largohet jashtë vendit, por e burgosin! 

Në romanin “Shkrimtari” i Mehmet Myftiut, heroi kryesor është Kasëm Trebeshina. Shkrimtari edhe në këtë pjesë, që boton sot gazeta “Shekulli” nxjerr në pah vendosmërinë e Trebeshinës kundër pushtetit popullor, duke i qëndruar besnikë vetë, krijimtarisë së tij letrare. Në këtë pjesë Ministri i Brendshëm asokohe i kërkon që të bëhet oficer, ndërsa Trebeshina, vazhdon të këmbëngulë se dëshiron vetëm të shkruajë, prandaj i dërgon një letër qeverisë shqiptare, për t’u larguar në Zvicër. Në libër Kasëm Trebeshina është personazhi i Hysenit, ndërsa Mehmet Myftiu është Besniku. Ngjarjet zhvillohen nga viti 1953-1963.

-Hyseni ishte i dëshpëruar : marrëdhëniet e tij me Lidhjen e Shkrimtarëve ishin shkëputur përfundimisht. Nuk dinte ç’të bënte, prandaj mori takim me Ministrin e punëve të brendshme, shok i dikurshëm i viteve të luftës.

– Po hë, ç’të tha Ministri ? – e pyeti Besniku që e priste me padurim.

– Hiç… Të zakonshmet… – ia ktheu Hyseni me dhembje.

Ai ishte nisur te shoku i luftës plot iluzione, me besim se do ta kuptonte dhe do ta përkrahte. Mandej kishte marrë me vete edhe dorëshkrime që t’ia jepte për t’i lexuar. Kujtonte se vëllimin që e kishin hedhur poshtë shkrimtarët e Lidhjes, mund ta pëlqente Ministri i Punëve të Brendshme. Një natë më parë kishte pandehur se do të merrnin fund padrejtësitë kundër tij, se vepra do t’i botohej, se do të bëhej shpejt i famshëm dhe do të fitonte kundra Lidhjes së Shkrimtarëve. Po tani nuk donte të kujtonte çfarë kishte shpresuar. Ministri nuk kish pranuar t’ia lexonte veprat dhe aq më pak të ndërhynte për botimin e tyre, duke deklaruar se nuk ishte kompetent në fushën e letërsisë. Besniku nguli këmbë: – Po hë… Më trego një çikë…

Hyseni ia nisi pa qejf: – Gjepura… Më propozoi të bëhesha prapë oficer dhe më premtoi se do të më siguronte kushte të favorshme për zhvillimin e talentit. E ku mund të ketë vend për miqësi, kur neve na ndajnë roje pas rojesh, leje-hyrjet me pasaportë e të tjera e të tjera? Kurse kjo atij i duket normale, e zakonshme, ligjore, pandeh se mund të ruhet miqësia në kushte të tilla. Nejse, punë për të. Unë i thashë të miat. Jam poet dhe do të çaj me veprën time. Gabojnë rëndë ata që mendojnë dhe duan ta varrosin artin. Ai e ndërroi bisedën dhe e hodhi fjalën te kërkesa ime për të dalë nga Partia. Duket se ata lart janë tronditur nga kjo. Më bëri agjitacion. «Ti je yni. Ke treguar aftësi dhe trimëri në luftë. Bashkë kemi ndarë kotheren e bukës» e të tjera e të tjera. Avazi i Mukës. Kujtojnë se gjërat nuk lëvizin përjetësisht.

Unë i thashë se puna ime tani është letërsia dhe Partisë mund t’i shërbej vetëm në këtë fushë. Gjersa kontributi im nuk pëlqehet, do të thotë se unë jam i pavlefshëm për Partinë dhe kështu qëndrimi në radhët e saj nuk ka asnjë kuptim. Heshta unë, heshti dhe ai. Kaq. Kur dola nga zyra, e kuptova më tepër vetminë time. Rrugët, pemët, shtëpitë, krejt qyteti për mua janë të zymtë. Më mbyt ajri i këtushëm. Mezi marr frymë. Edhe babai sikur është tjetër njeri. Për të gjithë jam i huaj. Tokën shqiptare nuk e ndiej më timen. Të jesh i vetmuar dhe i tepërt në një vend tjetër, është e dhembshme, por e kuptueshme. Ta ndiesh veten të huaj në vendin tënd, për të cilin ke derdhur gjak dhe trupin e ke me plagë, është tmerr i vërtetë… Nuk do të mërzitesh të lexoj diçka. Dhe i lexoi një pjesë nga poema, ku përshkruhej se personazhi kryesor arrinte në botën e re, të ndërtuar prej atyre skllevërve bashkë me të cilët ishte nisur dikur në kërkim të tokës së lumtur.

Shoqëria e re ishte krejt e mekanizuar, gjithçka aty kryhej automatikisht. Ajo kishte arritur çudira teknike sa edhe oqeanin e kishte futur në kazan. Njerëzit aty ishin të gjithë njësoj, të tërë të bukur dhe përsëritnin përmendësh vetëm disa formula «Jemi të lumtur. Ne dimë gjithçka! Rroftë bota e re harmonike dhe unike!» Kur heroi kryesor pyeste ku ishin pemët se kishte ardhur t’i kultivonte dhe t’i shtonte ato, i përgjigjeshin se i kishin shkulur dhe s’kishin nevojë të mbillnin të tjera. Kur e detyronin  me forcë të përfitonte edhe ai nga bota  unike dhe harmonike, pëlciste kazani, në të cilin ishte mbyllur oqeani : uji mbyste gjithçka. Mbytej dhe heroi kryesor, i kënaqur se fitonte natyra dhe spontaniteti. Me këtë skenë ai bënte aluzion për shoqërinë socialiste dhe profetizonte  shkatërrimin e saj.

Besniku nuk e kuptoi mirë domethënien e këtij fragmenti. I vajti mendja se aty simbolizohej socializmi, por u prek shumë që Hyseni e ndiente veten të huaj në atdheun e vet :- Nuk jam dakord aspak, kur ti thua: jam i huaj në atdheun tim. Atdheu nuk është pronë e disave, por i të gjithëve dhe mandej  më tepër se i kujtdo tjetër është i yni, i njerëzve si ne të dy.

Hyseni e kuptoi se shoku nuk kishte në shpirt aq protestë dhe dhembje të madhe sa ai dhe i tha:

– Ne jemi të ndryshëm. Këtë gjë e kam menduar shpesh vetë. Ti gabohesh, kur na kujton njësoj.

– Unë nuk shoh ndonjë ndryshim të madh mes nesh, – kundërshtoi Besniku, që i dukej fyerje të ishte i ndryshëm nga Hyseni.

Hyseni i tha krejt i sigurt në vete:

– Me kohë do të bindesh për këtë.

Hyseni i kishte dërguar një letër Qeverisë Shqiptare, në të cilën kishte kërkuar ta lejonin të shkonte në Zvicër, atje ku kishte qenë Bajroni dhe personalitete të tjerë të artit botëror. Kjo kërkesë Besnikut i ishte dukur e habitshme. E kishte këshilluar shokun që mos ta dërgonte në asnjë mënyrë letrën, duke e paralajmëruar se mund të ndodhte edhe ndonjë e papritur, mund edhe ta arrestonin. Hyseni kishte ngulur këmbë në të tijën, duke qenë i bindur se ligjërisht nuk mund të merrej ndaj tij asnjë masë administrative. Besniku kishte qeshur hidhur dhe i ishte përgjigjur se Qeveria ligjet i zbaton sipas oreksit të saj.

Tri javë pasi Hyseni e kishte postuar letrën nuk kishte ndodhur ndonjë gjë, prandaj Besnikut i ishin larguar dyshimet e këqija. Arriti në shtëpinë e shokut, hapi portën  dhe si gjithnjë e thirri në derën e sallonit.

– Hys! O Hys!

Një hop nuk u dëgjua njeri. Një heshtje e madhe mbretëronte në shtëpi. Pastaj dikush lëvizi në dhomën matanë. Dyshemeja kërciti. U duk Sanija me fytyrë të vrarë. Ajo u afrua dhe pëshpëriti:

– Më trembe!… Ç’ bërtet kështu?

Besniku buzëqeshi me dashamirësi dhe foli:

– Paske zemër pule. Nuk e paskam ditur. Po flije? Më dukesh si e përgjumur.

– Nuk flija, po hallet, – pëshpëriti ajo.

Besniku u merakos:

–  Pse? Ç’ka ndodhur?

–  Nuk e di ti?! – u habit ajo.

– Jo, – tha Besniku, duke parandjenjë diçka të keqe.

Hysenin e arrestuan, – tregoi gruaja si me të qarë.

Besniku u pre. Zemra iu ngushtua. Hyri në dhomë i heshtur. Vajza pesë vjeçe po hante bukë dhe as nuk e çoi fare kokën që të shihte se kush erdhi. Ishte mekur. Në faqet e zbehta dukeshin gjurmë lotësh. Qoshja e oxhakut ishte bosh. Besnikut iu kujtua se në ditët e ftohta të dimrit, Hyseni, si ndonjë plak i lashtë, rregullonte drutë, shtynte urat, i frynte zjarrit dhe flakët ngriheshin të gëzuara. I zoti i shtëpisë kënaqej pa masë duke u ngrohur. Pastaj ngrinte kokën dhe vijonte të shtjellonte mendimin e tij ose të tregonte ndonjë histori apo anekdotë me një gjuhë të rrjedhshme, të kulluar, plot shprehje të bukura.

Besniku u ul në karrige i trishtuar dhe pyeti me dhembje:

Kur kështu?

– Parmbrëmë. Të gjithë përgatiteshin për festën e vitit të ri dhe atë e morën, – belbëzoi ajo dhe nuk u përmbajt.

Lotët i rrodhën  nëpër faqe. Ktheu kokën dhe u përpoq të qetësohej. E bija mbaroi së ngrëni dhe rrinte si e ngrirë. Në shtëpi mbretëronte një qetësi e dhembshme. Në vatër nuk digjej zjarri. Hyseni gjendej në burg. Gruaja dhe e bija dukeshin të vetmuara, të shkreta. Besniku rënkoi i pikëlluar dhe foli:

– I thashë : mos e dërgo letrën se edhe mund të të arrestojnë. Po s’më dëgjoi.

Sabrija u kthjellua pak dhe foli:

– Edhe unë e luta që të mos kërkonte të shkonte në Zvicër, të mos bëhej budalla se nuk e shpinte njeri atje. Sikur ma ndjente zemra të keqen. Atë e arrestuan, unë mbeta qyqe në shtëpi. Vjehrri iku. Mori dyshekun në krah dhe sigurisht ka fjetur në dyqan. U largua mbrëmë se nuk i flihej në shtëpinë e reaksionarit. Desha të vija në shtëpinë e prindërve, se kisha frikë të rrija fillikat vetëm, sidomos natën, por im vëlla nuk më pranoi. Ti hajde, tha, po e bija mos ta shkelë pragun tim.

Asaj prapë iu mbushën sytë me lot, fjala iu pre. Ktheu kokën, u qetësua, dhe shtoi:

– Mandej u mblodh  fisi im dhe më kërkuan ta ndaja. I ra një e keqe Hysenit dhe unë t’i kthej shpinën?! Më thonin se më kishte tradhtuar dikur me një femër. Po ta braktisja atëherë, kisha një farë të drejte. Por ata vetë nuk më lanë, më detyruan të kthehesha te burri. Kurse tani ngulin këmbë: Ndaje!

Ajo heshti një hop e dërmuar dhe pastaj shtoi:

– Shyqyr që erdhe. Tek ti më shkonte mendja. Thosha me vete se nuk do ta braktisje kurrë.

Trebeshina-Myftiut: Shkrimtarët më urrejnë, për të rinjtë jam tepër i çuditshëm, ashtu si edhe për ty

Besniku po shkonte me gëzim te Hyseni. Donte të dinte nëse shoku kishte hyrë në punë, ç’bënte me planet e krijimit dhe a e kishte filluar tabllonë «Mbledhja e Celulës» për të cilën i pat folur. Nuk i ndiente zemra asnjë të keqe ; e gjeti Hysenin në kuzhinë tek lexonte një libër. Vuri re se ishte zbehur dhe tretur ca, se dukej i mërzitur dhe sytë vështronin turbull, gjithë dëshpërim. Nuk i dha ndonjë rëndësi, duke pandehur se mund të ishte i sëmurë dhe e pyeti:

– Mos nuk ke qenë mirë me shëndet?

Hyseni nuk u përgjigj.

Në dhomë hyri Sabrija. Edhe ajo kishte një pamje të mjerë. Besniku dyshoi se ishin grindur me njëri-tjetrin dhe i erdhi keq. Duke dashur të dëgjonte  ndonjë gjë të mirë për Hysenin, e pyeti në kishte marrë ndonjë lajm për punën dhe pastaj u interesua për tabllonë «Mbledhja e Celulës».

– E kam lënë, – u përgjigj Hyseni si për diçka të parëndësishme, por një fije zemërimi i fshehtë tingëlloi në fjalët e tij.

Në burg Hyseni ishte penduar sinqerisht për ato vjersha ku shprehej hapur kundër pushtetit popullor dhe kishte pandehur se do të kthehej prapë në radhët e komunistëve. Por gjatë  këtyre dy javëve i ishin përmbysur të gjitha shpresat. Një nga shkaqet e këtij ndryshimi ishte se po vuanin për bukën e gojës, meqë rronin vetëm me rrogën e të shoqes. Hysenit i dukej një fyerje shumë e madhe të trokëllinte në dyert e zyrave për të kërkuar punë si ndonjë lypës. Ai do të dëshironte ta caktonin vetë në ndonjë vend të përshtatshëm, por askush nuk po kujtohej.

Ditën që kishte dalë nga dera e burgut, kishte ndierë një brengë të pashërueshme. I ishte dukur se njerëzia rrugës e vështronin me përbuzje ; mezi kishte duruar të futej në shtëpi. Babanë, gruan dhe fëmijët nuk i kishte përqafuar me atë mall  që ëndërronte. Shtëpia e pastër, e larë, e zbukuruar, e përgatitur për të pritur miqtë, ia kishte vrarë shpirtin. I dukej poshtërim i madh që të afërmit do të vinin për ta uruar që kishte dalë nga burgu. Gati iu neverit gruaja që sapo nuk çmendej nga gëzimi, që burri ishte kthyer në shtëpi dhe nuk e kuptonte fare brengën e madhe të shpirtit të tij.

E ndjeu krejt të huaj edhe Besnikun, që nuk mund ta kuptonte kurrë shpirtin e tij.

Ngriti kokën. Kokërdhoku i bardhë i syrit ishte zverdhur, kurse rrëzës skuqur. Duke iu përgjigjur më tej pyetjes së Besnikut, ai tha:

– Askush nuk ka nevojë për tablonë time. Ti e di fare mirë se asnjë nuk më do në Shqipëri. Unë i ngjaj një lisi plak të vetmuar. Klasat e rrëzuara dhe partitë reaksionare i kam luftuar dhe nuk u kërkoj ndjesë. Qeveria e sotme ka arsyet e veta që më lufton dhe i pëlqen të më fshijë. Shkrimtarët më urrejnë. Për të rinjtë jam tepër i çuditshëm, ashtu si edhe për ty. Dikur ecëm bashkë një copë rrugë. Por tani jemi shumë larg njëri-tjetrit. Veçse juve duhet t’u mbushet koka se nuk më shuani dot. Vlera kurrë nuk humbet. Edhe këtu në shtëpi, në vatër ju ndieni ekzistencën time. Mund të bëni sikur nuk më llogarisni, por jo të më zhdukni.Vraponi drejt socializmit! Udhë e mbarë! Unë qëndroj këtu, gjithnjë simbol i njerëzve të lirë! Ndoshta i vetmuar dhe i përbuzur, por kurrë nuk do të bëhem skllav, shollë e këpucëve tuaja! Prit pak!

Ai u ngrit me rrëmbim dhe vajti në dhomën tjetër. Sabrija gjeti rastin dhe i tha Besnikut:

– Një javë nuk ka shtënë një kafshatë bukë në gojë. Ka të drejtë bota që e quan të çmendur!

Besniku u trondit. Vetëm tani e kuptoi pse ishte zverdhur dhe tretur aq shumë Hyseni. Por atë e prekën më tepër bojërat, librat, një karton, në të cilin kishte filluar portretin e vajzës. Megjithëse një javë pa bukë, ai studionte, bënte art. Kjo forcë e jashtëzakonshme karakteri, e ngriti në sytë e tij dhe e vuri në rangun e njerëzve të mëdhenj.

Hyseni lexoi një citat të Bet’hovenit, ku thuhej se artisti ishte një qenie thellësisht egoiste dhe shtoi:

– Ja cilët janë artistët e mëdhenj, egoistë të tërbuar, kurse ju i vishni me vellon e altruizmit. Edhe unë jam artist. E njoh thellësisht veten time. Nuk mund të jem gjë tjetër veç artist. Kush më ngacmon, kush më shtyp, do të marrë nga unë përgjigjen që mund të jap dhe turpin nga historia.