Trebeshina, gjyqi që iu bë në Lidhjen e Shkrimtarëve

Publikuar më 23. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Shkrimtari Kasëm Trebeshina në romanin e Mehmet Myftiut. Anëtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve edhe Artistëve kritikojnë ashpër veprën e Trebeshinës për nota antisocialiste. Ngjarjet zhvillohen në vitet ’53-’63

Në romanin “Shkrimtari” i Mehmet Myftiut, heroi kryesor është Kasëm Trebeshina. Shkrimtari vë në dukje elementët antiparti dhe vendosmërinë e Trebeshinës kundër pushtetit popullor, që vijnë nëpërmjet këtij “heroi” antisocialist. Trebeshina deklaron se: “Komunizmi nuk është gjë tjetër veçse një fe, një opium i një lloji të ri. Bota do të mbesë ashtu siç ka qenë gjithmonë, e zhytur në kontradikta, pa rrugëdalje. Njerëzimin nuk e pret një e ardhme e bukur. Kudo që të hedhësh sytë, sheh ëndrra të dështuara, shpresa të gënjyera. Vetëm për diçka më vjen mirë: m’u hoq perdja që kisha në sy, të cilën e kanë akoma shumica e njerëzve. Kaloi ajo kohë kur unë isha vetëm një fanatik qorr dhe s’do të kthehet kurrë”. “Shekulli” boton nga romani “Shkrimtari” një pjesë të zgjedhur, kur në Lidhjen e Shkrimtarëve diskutohet me tonalitete të ashpra kundër Trebeshinës, ndërsa ai vet i shkruan Lidhjes se: “Ju e mohoni veprën time, por vepra jam unë. Ne fakt ju me zboni nga Partia. Unë kërkoj vetëm që ky akt të kryhet de juro.» Në libër Kasëm Trebeshina është personazhi i Hysenit, ndërsa Mehmet Myftiu është Besniku. Ngjarjet zhvillohen nga viti 1953-1963.

  1. Besniku (Mehmet Myftiu) doli i pakënaqur nga klubi i shkrimtarëve dhe u nis drejt për në shtëpinë e Hysenit (Kasëm Trebeshina), që t’i kthente tregimin dhe t’i jepte përshtypjet për të. Hysen Shkreta kishte braktisur Universitetin e Leningradit, ku studionte për aktor dhe ishte kthyer në Shqipëri para një viti, duke deklaruar se s’kishte ç’të mësonte nga ajo shkollë. Kjo kishte shqetësuar qeveritë e dy vendeve, mandej vetë Ministri i Jashtëm i Bashkimit Sovjetik ishte interesuar për studentin shqiptar. Nuk dinin si ta shpjegonin këtë qëndrim. E kishin vizituar edhe te mjeku psikiatër, se mos ishte i sëmurë, por sistemi i tij nervor kishte rezultuar plotësisht i shëndoshë. Hyseni e kishte marrë vendimin për braktisjen e shkollës sovjetike fare spontanisht, ditën që kishte përfunduar leximin e veprave të plota të Bajronit. E kishte ndierë në shpirt poetin e madh anglez dhe menjëherë gjithë letërsia sovjetike e kohës i ishte zvordhur, bashkë me shkollën ku studiohej dhe vlerësohej ajo, si rrymë e realizmit socialist. Kish vendosur t’i kthehej ëndrrës së rinisë së parë për t’u bërë shkrimtar. Shpalli se do të bëhej Bajroni i kohës. «Pikëllimi botëror» i anglezit të madh që binte ndesh flagrant me sistemin që pillte letërsinë e kohës, zuri vend në shpirtin e tij në përmasa të thella. Si në Rusi edhe në Shqipëri, kërkesa e Hysenit që të braktiste shkollën sovjetike ishte dukur një lajthitje e plotë dhe i kishte vënë në mendime qeveritarët. Zyrtarët e lartë të dy vendeve kërkonin të zbulonin të fshehtën e shpirtit të tij. Ai u përgjigjej thjeshtë, por me krenari : «Kërkoj të kthehem në Shqipëri, se kam vendosur të bëhem shkrimtar. Kultura e përvoja që kam më mjaftojnë për t’ia arritur këtij qëllimi. Nuk dua të humb kohë dhe, me t’u gjendur në vendin tim, do të kridhem në një punë kolosale. Atë që bëri Viktor Hugoi për Francën, do ta bëj unë për Shqipërinë.» Qortimit përse kishte zgjedhur si idhull Bajronin dhe jo Gorkin e realizmit socialist, ai i përgjigjej thjeshtë: « Kjo është çështje gustoje. Qysh në lashtësi është theksuar se gustot nuk diskutohen. Në këtë mes nuk ka asgjë të keqe.» Shteti shqiptar po tregonte tolerancë të madhe ndaj tij, për shkak të së kaluarës së tij të lavdishme në luftë, si dhe sepse Hyseni kishte lidhje gjaku dhe shoqëri lufte me udhëheqës të lartë të Partisë dhe të shtetit…

Dy shokët morën poshtë një bregoreje të ulët… Hyseni tregoi me dëshirë shumë ngjarje nga jeta. I rrëfeu se si ishte lidhur me Lëvizjen, si kishte shkuar partizan, si e kishin caktuar komandant batalioni në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, se si dallohej në qitje. I tregoi për ca ngjarje të rrezikshme gjatë kohës së luftës, për një partizan të plagosur, të cilin e kishte nxjerrë nga rrethimi. Pas çlirimit ishte çmobilizuar, sepse qe zënë me disa oficerë jugosllavë kapadainj. I shpjegoi pse kishte braktisur Universitetin, Bashkimin Sovjetik, dhe arsyen e kthimit në Shqipëri… Hyseni vështroi përreth me një brengë të thellë në shpirt dhe foli:- E sheh natyrën, ngjyrat e saj në këtë perëndim? Të tilla nuanca ka dhe vepra ime: një melankoli të përzier me dritë dhe errësirë. Ajo shpreh një shpirt të zhgënjyer plotësisht. Ndryshe e kujtoja botën dhe qysh nga fëminia ajo më ka gënjyer. Atëherë fantazoja gjëra të çuditshme. Të ikja larg në Indi. Të martohesha me gruan më të bukur të botës dhe të jetoja si princërit e pashallarët… Pastaj erdhi rinia… Pas një periudhe të zymtë, u futëm në luftë me shpresa të mëdha. Kujtoja se do të ndërtonin një botë të re, të drejtë, ideale. Kujtoja se po kryenim një vepër heroike, të pavdekshme. Na betoheshin se në Bashkimin Sovjetik ishte ndërtuar një botë e lumtur, se atje banonin njerëz që nuk ngjanin me ne, që nuk kishin veset tona. Besoja se komunizmi do ta ndryshonte botën dhe do t’u jepte lumturi njerëzve, por tani jam tepër plak që të gënjehem. Komunizmi nuk është gjë tjetër veçse një fe, një opium i një lloji të ri. Bota do të mbesë ashtu siç ka qenë gjithmonë, e zhytur në kontradikta, pa rrugëdalje. Njerëzimin nuk e pret një e ardhme e bukur. Kudo që të hedhësh sytë, sheh ëndrra të dështuara, shpresa të gënjyera. Vetëm për diçka më vjen mirë: m’u hoq perdja që kisha në sy, të cilën e kanë akoma shumica e njerëzve. Kaloi ajo kohë kur unë isha vetëm një fanatik qorr dhe s’do të kthehet kurrë.

Besniku u nis në Lidhjen e shkrimtarëve, ku do të diskutoheshin poezitë e Hysenit, me bindjen se kishte përgatitur një diskutim të mirë. Mendimet e veta do t’i vishte me frazeologji marksiste që të pranoheshin më lehtë. Për shkak të këtij diskutimi mund edhe t’ia pritnin të drejtën e studimit për në Universitetin  «Maksim Gorki» të Moskës. Hyri në zyrë. – Prit një minutë – i tha Hyseni që po daktilografonte.

Nxori letrën nga makina dhe i dha një kopje Besnikut : – Po nuk e pranuan veprën time, unë do t’u dorëzoj këtë. Hyseni kërkonte të dilte nga Partia dhe në mes të tjerash, shkruante : «Ju e mohoni veprën time, por vepra jam unë. Ne fakt ju me zboni nga Partia. Unë kërkoj vetëm që ky akt të kryhet de juro.»

Besnikut iu rrëqeth gjithë trupi. – Ndoshta po ngutesh. Të provojmë të bëjmë përpjekje të tjera që të botohen poezitë. Hyseni ia ktheu prerë: – Unë e tërheq kërkesën për të dalë nga Partia, nëse e rishqyrtojnë veprën time. Besniku e nuhati se po afrohej një përleshje e egër.

Nëpunësit e Lidhjes po mblidheshin në zyrën e kryetarit. Ismaili zuri vend, duke parashikuar një farë debati. Telhai përshëndeti shumë ftohtë Hysenin. Mihali u fut buzagaz dhe u ul pranë Ismailit me një pamje të qetë. I fundit erdhi Filipi, si zakonisht serioz dhe i zhytur në vete. Në mbledhje mungonte Esati, larguar me shërbim në Durrës, që mos të merrte pjesë në këtë diskutim. Ai i kishte ngritur shumë lart vjershat e Hysenit dhe parashikonte të ndodhej në pozitë të vështirë gjatë mbledhjes. U ulën të gjithë. Heshtnin dhe prisnin të fillonte Andrea. Ai nuk e kishte pëlqyer pjesën më të madhe të poezive të Hysenit. Disa prej tyre e kishin revoltuar dhe shpesh kishte qeshur me ironi, se autori e mbante veten gjeni. Filloi të flasë me një ton shumë të natyrshëm dhe të qetë:

– Pasi e mbaron këtë vëllim, lexonjësi ndien një turbullirë, një mërzitje, një farë trishtimi. Kjo vepër nuk të ngjall besim dhe optimizëm për jetën tonë socialiste, bile të dobëson gatishmërinë luftarake. Mos të harrojmë se Zhdanovi ka thënë se letërsia duhet të jetë e qartë, e thjeshtë, të edukojë qytetarin me ndjenjën e lartë të patriotizmit dhe komunizmit, ta përgatisë për mbrojtjen e Atdheut socialist. Partia kërkon një letërsi militante nga ne. Kurse këtu poeti ka kaos, turbullirë, mjegullirë, trishtim, që janë të papajtueshme me letërsinë e realizmit socialist. Poezia e tij me temat, gjuhën dhe formën e saj, mund të thuhet se është jashtë kohës dhe hapësirës.

«Kjo frymë përshkon në përgjithësi edhe vjershat e dashurisë, që zënë një vend shumë të madh në këtë vëllim, gjë e cila prapë është e papranueshme. Pastaj nuk dashuron ashtu njeriu i ri që ndërton socializmin, që është gati të japë jetën për idealet e larta të komunizmit dhe të patriotizmit. Si bëri një hyrje të tillë dhe si hodhi poshtë vëllimin në përgjithësi, Andrea tha se nëpër të ndodhej ndonjë vjershë e bukur erotike, shoqërore dhe ndonjë fabul. Ai mbaroi i lodhur.  Të pranishmit qëndronin të ngrirë. Askush nuk lëvizte, nuk pëshpëriste. Ndonjë kishte ulur kokën. Këtë heshtje të rëndë befas e prishi Telhai. Kërkoi leje të diskutonte dhe u hodh i skandalizuar:  – Unë për hesapin tim jam i habitur me vjershat e Hysenit. Ato nuk janë askund. Nuk mund të kuptoj aspak se si njeriu mund të shkruajë në atë mënyrë. Kam vrarë mendjen të gjej se si poeti mund të frymëzohet për vjersha të tilla dhe nuk ia kam dalë në krye. Ashtu mund të shkruanin në shekullin e kaluar Bajroni, Ljermontovi dhe romantikë të tjerë. Po sot në shekullin njëzet?! Të shkruash sot ashtu është një anakronizëm i tmerrshëm, absurd. Bëj çudi edhe për një fakt tjetër. Hyseni është komunist, ka marrë pjesë aktive në luftën Nacional-Çlirimtare, por kjo periudhe nuk gjen fare pasqyrim në veprën e tij, që është, më duket mua, një pseudoromantizëm i dëmshëm. Më kujtohen shkrimet që Hyseni kishte dërguar në konkurs dhe për të cilat referova unë. Ku e kanë burimin këto vjersha? Mund të gjenden shumë shkaqe, por unë them kryesorin. Hyseni nuk ka krijuar i mbështetur në metodën e realizmit socialist, që na këshillon Partia. Ai është larguar nga problemet e mëdha të kohës dhe të socializmit, nuk ecën në gjurmët e letërsisë Sovjetike dhe është hutuar pas klasikëve të letërsisë botërore të shekujve të kaluar.

“Ne nuk e mohojmë letërsinë klasike botërore, Trebeshina po e mohon letërsinë sovjetike”

Kurse Besniku ishte i bindur se këta të ashtuquajtur shkrimtarë që nuk e kuptonin fare artin, donin të mbytnin, të asgjësonin një artist të vërtetë. Nuk i pritej të kundërshtonte kategorikisht gjykimet e tyre sipërfaqësore: – Nuk jam aspak dakord me shokët që diskutuan, – protestoi ai, – sidomos me Telhanë…

U tha se Hyseni është shkëputur nga letërsia Sovjetike. Mua më duket se të flasësh kështu do të thotë ta ngushtosh horizontin e përvojës letrare…  Duke i kuptuar problemet nën prizmin e materializmit dialektik, ne duhet të përfitojnë nga gjithë letërsia klasike e shekujve të kaluar, duke filluar nga grekët e vjetër, pa përjashtuar këtu as letërsinë Sovjetike. Në veprën e Hysenit ndihet fort edhe ndikimi i letërsisë klasike botërore, që fatkeqësisht është e pakët në letërsinë e sotme. Një nga arsyet që letërsia jonë është në një nivel të dobët, është fakti se nuk e studiojmë si duhet letërsinë klasike botërore dhe mbështetemi më tepër në letërsinë Sovjetike. Vërtetë në vjershat e Hysenit ka nota pesimizmi.

Por ky trishtim rrjedh nga dashuria për jetën dhe nuk duhet të dënohet si i gabuar ideologjikisht. Filipi dëgjonte gjakftohtë ; askush nuk mund ta merrte me mend se ç’bluante. Kishte ardhur në mbledhje me dyshime dhe rezerva. Hyseni i dukej poet i vërtetë. Por kishte vendosur të prononcohej sipas situatës konkrete. Fjalët e Besnikut iu dukën përçartje dhe, një herë, nuk e mbajti dot një buzëqeshje të lehtë ironike. I gjykoi teorizimet e tij për realizmin dhe mohimin e domosdoshmërisë të letërsisë Sovjetike skandaloze, tepër të rrezikshme, bile antiparti.

Çuditej se si çunaku i hidhte frazat pa të keq, ashtu si lopa bajgat. Kërkoi fjalën. Pa u futur në përgjithësime teorike, ai pranoi se një pjesë e madhe e vjershave as që bëhej fjalë të botoheshin, por lëvdoi bukurinë dhe saktësinë e gjuhës, gjallërinë dhe rrjedhshmërinë e saj. Në fund, theksoi i nervozuar: – Besniku shprehu ca pikëpamje që besoj se askush nuk mund t’i marrë seriozisht. Ne nuk e mohojmë letërsinë klasike botërore, por ai po e mohon letërsinë Sovjetike duke deklaruar se nuk ka arritur majat e artit klasik.

Ne kemi Gorkin, Fadajevin, Majakovskin, Shollohovin e të tjerë në një kohë pak të shkurtër të zhvillimit të realizmit socialist. Pastaj të shohim se si do t’i vlerësojë ata koha. Ndoshta Gorki në të ardhmen do të zërë një vend më të rëndësishëm se Homeri. Na flet këtu ex katedra. Ku i bëri këto studime? Si mund të arrijë në ato përfundime? Është i ri në moshë. Të jetë më modest. Neve na ranë flokët dhe nuk guxojmë të flasim me aq kompetencë! I fundit diskutoi Mihali : – I bëj thirrje muzës së Hysenit që t’i këndojë punëtorit që çan malin, bujkut që braktis pronën private, të varfrit që bëhet inxhinier, doktor, oficerit që sogjeton ditë dhe natë, ushtarit që mbron kufirin e Republikës së re, gjithë popullit shqiptar që bën përpjekje titanike në ndërtimin e socializmit.

Hyseni hesht për to dhe i këndon vashës syzesë. Ç’është ajo? Një grua, fundi i fundit, kurse komunizmi, Atdheu, Partia janë gjëra të larta e të shenjta. Dhe ai u ul i kënaqur se kishte folur me një gjuhë poetike për poezinë. Gjatë gjithë kësaj kohe Hyseni heshte me një pamje të pakënaqur dhe të zymtë: këta shkrimtarucë që mbaheshin në karriget e Lidhjes në sajë të forcës së shtetit, ia dënonin veprën me mendjemadhësi dhe ligësi. Derisa mbaruan diskutimet, u përmbajt. Po kur u ngrit të fliste, i ndryshoi pamja. Fytyra iu bë flakë. Vështroi me zemërim rreth e rrotull dhe tha me një ton përbuzës: – Dëshiroj edhe unë të them ca fjalë të paka dhe t’i vë kapak kësaj mbledhjeje.

Veprën time e kam hedhur në erë, as e mbroj, as e shaj, e lëvdoj. Po juve mos t’u gënjejë mendja se keni fuqi ta varrosni. Vepra ime, në qoftë se është vërtetë artistike, dhe këtë nuk e sheh vetëm një miop, do të rrojë dhe kritika asaj i rruan bishtin.  «Do të vijë koha, kur ju do të kapërdini gjithçka që vollët sot këtu. Unë nuk jam poet i disa poezive të lehta dhe i disa fabulave. Jam poet i 16.000 vargjeve dhe ato do t’i pranoni të tëra. Mos ju, të tjerët. Mos tani, pas vdekjes sime. Mua koha nuk më tremb. «Tani rruga jonë këtu ndahet. Ky jam unë. Kjo është vepra ime. Ju kërkoni një Hysen tjetër që nuk ekziston dhe as që mund të ekzistojë. Jemi njerëz të ndryshëm. Mes jush unë nuk kam vend. Atëherë urdhëroni! U afrua te tavolina, i dha zarfin Ismailit dhe u kthye në vend.