Tre tenorët mesazh paqeje në tempullin e Dodonës (FOTO)

Publikuar më 20. 09. 2017 nga Jola Alimemaj

Gjipali dhe Kastriot Tusha si dhe sopranoja nga Italia Lucia Konte, shoqëruar nga orkestra “Magna Grecia” Taronto, nën drejtimin e dirigjentit Piero Romano, me koncertin e tyre, ndezën pishtarin e paqes në tempullin e lashtë të Dodonës në Janinë. Aktiviteti i titulluar “Një pishtar për paqen” mblodhi ne tempullin antik mijëravjeçar, qindra refugjatë nga Siria dhe Iraku, të strehuar në kampin “Shën Elena” në rajonin e Epirit, si dhe qytetarë e intelektualë nga Janina dhe me gjerë. Koncerti erdhi menjëherë pas shfaqjes së dhënë nga artistët e emërtuar “tenorë të Paqes” një ditë më parë në skenën e teatrit Bylis Shqipëri.

Krerët e Bashkisë Dodonë dhe Fier përshëndetën refugjatët e vendeve të përfshira nga lufta“ Kur terrori kërcënon Europën, ne me anë të këtij koncerti, dërgojmë një mesazh të qartë. Frika nuk e mund dot lirinë, terrori nuk e frikëson demokracinë”, tha kreu i bashkisë Dodonë Kristos Dakaletsis. “Simbolika e këtij aktiviteti na bën të shohim përpara, për të ndërtuar së bashku Pishtarë paqeje në zemrat tona. Ne duhet të marrim forcë dhe të thyejmë barrierat e mentalitetit, të egoizmit dhe të përqafojmë paqen, dashurinë e tolerancën. Qytetarët sirianë që ndodhen në këtë koncert, janë shembulli më tipik se çfarë mund të ndodh me një popull ku mungon paqja, dashuria dhe toleranca”, tha kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi. “Jam shumë i emocionuar.

Kam kënduar në skena të njohura të botës, ndërsa kjo mbrëmje futet në kujtesën time si një mbrëmje tepër e veçantë. Japim një koncert për paqen në tempullin e lashtë të Dodonës për qytetarët nga Siria që kanë nevojë për fat, jetë e shëndet, dhe mbi të gjitha paqe e dashuri”, tha tenori i mirënjohur Josif Gjipali. Për tenorin Kastriot Tushe, “Shfaqja është jo vetëm thyerje e barrierave mes popujve, por shprehje e miqësisë dhe harmonisë që ekziston mes tyre “muzika lidh shpirtrat dhe krijon harmoni jo vetëm me tinguj dashurie, por me tinguj shprese. Jam shumë i emocionuar përballë këtij spektatori të veçantë.

Shpresoj që zëri im dhe i kolegëve të mi artistë të shëroj plagët e tyre” tha ai. Programi, përfshiu edhe një ekspozitë me foto nga kolana e artistëve, pjesë e projektit të suksesshëm “Adria Welth” realizuar nga Pandeli Lena, Elenica Paloli e Saimir Ahmeti.“Është një gërshetim artistësh dhe vlerash që për në Drejtorinë e Artit dhe Kulturës, vjen pas një përgatitjeje të shumanshme. Për të kryer këtë aktivitet jemi lodhur shumë, sepse specifika historike, por edhe karakteristika arkeologjike e Dodonës krijuan jo pak burokraci, por që u zgjidh me bashkëpunim, duke dhënë mesazhin se popujt janë bashkë për paqe europiane”, tha Drejtori i Artit dhe Kulturës Agron Xoxa. Për më shumë se një orë artistët Gjipali, Tushe, dhe Konte, përcollën emocione me ariet e tyre nga autorët me famë botërore si Paisiello, Piçini, Massenet, Hadjidakis, Puçini,Verdi etj.

Historia e Dodona

Sipas Herodotit, Zeusi nga Teba e Egjiptit hodhi në ajër dy pëllumba të zinj. Një prej pëllumbave qëndroi në Libi. Ndërsa tjetri u ul përmbi Dodonë. Pëllumbi, i dytë u ul përmbi një lis dhe aty në vend të gugitjes, gjuhës së pëllumbave, nisi të germëzoj dhe flas gjuhën njerëzore. Çuditërisht shpendi nisi të komunikoj me njerëzit, duke iu thënë se pikërisht aty duhej të ngrihej një vend i shenjtë, kushtuar zoti të pellazgëve. Banorët kuptuan mesazhin hyjnor dhe ndërtuan tempullin e Dodonës. Në shek. 3 p.e.s. mbreti Pirro ndërmori ndërtime të mëdha në këtë vend, organizoi lojëra për çdo katër vjet, ku bëheshin gara muzikore dhe atletike, ndërtoi një mur përreth orakullit dhe drurit të shenjtë, ndërtoi një faltore për Herakliun dhe një tjetër pë Dionën, dhe për herë të parë ndërtohet një teatër. Dodona në këtë kohë bëhet qendër fetare dhe politike e Epirit. Mijëra vjet pas krijimit dhe ngritjes së këtij tempulli, ky qytet antik, i parashikimit të së ardhmes, vullnet shprehës i hyjnive, mirëpriti këtë radhë, për herë të parë të ekzistencës së tij, dy tenorë shqiptarë, që të veshur me petkun e paqes, sikurse pëllumbat e lashtë, nëpërmjet gjuhës së muzikës, transmetuan te komuniteti i refugjatëve sirianë, libianë dhe iraken, mesazhin e ngritjes së urës së bashkëpunimit njerëzor, paqes.

Shfaqje.. mbresa

Nën këmbët e malit të Tammaros, atje rreth 18 km larg Janinës, po vinin spektatorët e veçantë refugjatë, Gra të veshura me të zeza, mbuluar flokët me shami me ngjyra të errëta, vajza te veshura me stil europian, por sërish me flokët e mbuluar me shami dhe djem e fëmijë të moshave të ndryshme. Zërat e tyre u përzien me notat e kordeve muzikore, notave të gjata, në provat para shfaqjes, që kryenin tenorët. Ekspozita me foto të sjella nga natyra e bukur shqiptare,(kishte brenda saj foto me buaj, nga Myzeqeja, deti, Apolonia e lashtë, Manastiri i Ardenicës, etj) u ndoq me kureshtje nga ata njerëz të plagosur nga dhimbjet. “Ku bie Shqipëria?”. Kështu pyeti me një greqishte të rëndë në shqiptim Momeni, një djalosh 17 vjeçar nga Siria.

Kur i shpjegova se vendi ynë ndodhej rreth 50 km larg nga ai tempull dhe vendi i strehimit të tyre, ai u habit. Mendonte se ndodhej diku larg. Në kufijtë e imagjinatës së tij, Albania ndante Azinë dhe Europën! Momen, prej një viti strehohet në kampin e refugjatëve në Shën Elenë, në Epir. Ka ardhur nga Siria. Së bashku me patriot dhe bashkëjetues në kamp, vizitojnë para shfaqjes amfiteatrin e lashtë. Edhe shfaqja e tenorëve shqiptarë për herë të parë, në këtë vend, duket se ka brenda saj historinë e vet të parathënë, por edhe burokracitë që lindin papritur, e që në fund e kanë një zgjidhje.

E menduar si një projekt europian artistik, me një trinitet qytetesh pjesëmarrëse Taronto të Italisë, Fier të Shqipërisë dhe Dodoni e Greqisë, aktiviteti ndeshi jo pak probleme. Sidomos me lejen për një shfaqje. Do të ishte Ministria greke e Kulturës ajo që do të miratonte këtë projekt, duke i dhënë jetë pas më shumë se një muaji peripecish, procedurave për të shfrytëzuar ambiente për shfaqje në këtë tempull antik. Duhet thënë se emërtimi i këtij tempulli, gjeneza e tij, ka ngjallur përherë mes studiuesve historianë dhe jo vetëm, debate lidhur me zanafillën e ndërtimit dhe vendndodhjen reale të tempullit Mjaft studiues I mëshojnë idesë se Dodona e Epirit Jugor (mali Tammaros, në Janinë) është vetëm një kopje e vonshme e origjinalit, i cili duhet të ndodhet në malin Tomor në Toskëri. Për këta studiues është i rëndësishëm fakti që të dy malet kanë emra të ngjashëm (Tammaros dhe Tomor). Por, Momen nga Siria, Enshari 23 vjeçar nga Iraku, dhe dhjetëra bashkëvuajtës të luftës së përgjakur në këtë rajon, kanë ardhur të shikojnë tenorët e paqes. Për ata, e rëndësishme është që kjo mbrëmje të jetë e veçantë. “Në kampin Shën Elena, na plotësohen gjithë kushtet, por jo ëndrrat që kemi për liri dhe jetë” thonë të rinjtë. “Unë erdha nga Iraku së bashku me vëllezërit e mi. U nisëm nga Iraku vetëm. Kishime dhe kushëririn tonë me nusen. Mbërritëm pas shumë vuajtjesh këtu në Greqi. “Doni të shkoni sërish në Irak? “Kurrë. Atje kam frikë. Është luftë”, pohon i vendosur Enshari.

Për refugjatët nga Siria, Libia Iraku, një shfaqje artistike edhe pse me pjesë të pakuptueshme për ata, nga repertorë të autorëve me famë botërore në opera, kjo shfaqje, është me tepër se sa një shlodhje dhe argëtim. Tradita e jetesës më shumë se njëvjeçare, në kampin Shën Elena”, do të thyhet. Ata mund të mos e kuptojnë gjuhën e këngës, timbrin, notat, apo vibrimin mjeshtëror të tyre, që dirigjojnë edhe ekzistencën e ajrit nga kënaqësia që shpërhapin, Por janë tenorët ata që nëpërmjet zërave të tyre, përkthejnë ariet nga gjuha italiane, greke, frëngjishte etj, në një gjuhë të pastër shlodhjeje, paqeje dhe dashurie. “Çdo gjë është gati dhe ne mezi po presim të interpretojmë dhe këndojmë para këtij lloj spektatori”, thotë tenori i famshëm shqiptar me famë botërore Josif Gjipali. Karriget e vendosura në radhë, janë mbushur totalisht nga spektatorët e veçantë, Ndërsa para tyre qëndron një platformë e ngritur pëlhure e stolisur me një pëllumb të bardhë në fluturim. “Unë kam kënduar në skena të mëdha botërore. Kam interpretuar në La Scala. Por emocionet që kam këtu para këtyre njerëzve të thjeshtë dhe të vuajtur, nuk mund ti përshkruaj” thotë sërish Tenori Gjipali.

Një aromë e këndshme shpërndahet në luginën poshtë malit rreth 2 mijë metra Tammaros. Aroma e mbrëmjes në këtë moment është tërësisht aroma e një livadhi me bar të sapokorrur. “Kjo erë prej toke, dhe ky respekt prej njerëzve të etur për vendlindje, të mbush me dashuri dhe me emocionon”, thotë tenori tjetër shqiptar Kastriot Tusha. Një mesogrua shtatzënë, e veshur me të zeza, i kërkon atij një autograf. Ajo e ka fituar garën me vdekjen që i ka qëndruar sipër kokës. Së bashku me bashkëshortin thonë se presin tu lind një fëmijë. Ata janë rritur në Siri, dhe gjithë jeta e tyre që rrotullohet në hapësirën e kampit, ka për qëllim ardhjen në jetë të këtij fëmije. Me gjeste tregojnë e plotësojnë se po presin të bëhen prindër. “Është bukur të japësh pjesë nga shpirti i yt artistik për njerëzit e thjeshtë. Të interpretosh në një tempull të tillë, për njerëz që kërkojnë demokraci dhe liri, është një ëndërr për çdo këngëtar. Ne jemi të lumtur që jemi pjesë e pishtarit të paqes”, thonë dy tenorët e famshëm. Në fakt ata nuk janë pjesë e çudive nga mediat shqiptare. E shkrimeve sensacionale të porositura për bëma, dasma, apo veshje vipash.