TRANZITOR, gjendja e vagullt e objekteve në restaurim

Foto 1 nga 4 Pas Para


Efijeni Kokëdhima

TRANZITOR është një seri fotografike që synon të dokumentojë gjendjen e vagullt të objekteve nën restaurim. Si i nxjerrë prej një projekti kinematografik, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ishte i pari i fotografuar, kur sapo kishte nisur procesi i restaurimit në fillim të 2017.  Semih Pashallari kujton: “Historia e Pallatit të Kulturës filloi si një dhuratë nga rusët për shqiptarët. Në fillim sollën tre variante për projekt-ide. Ishte një ndërtesë e ulët dykatëshe. Atelieja e cila e kish marrë përsipër mbante emrin “Moskprojekti”, shefi i saj quhej Budusof. Ata erdhën në Shqipëri për t’i treguar qeverisë shqiptare këto tri variante. Pasi ia paraqitën qeverisë dhe qeveria bëri vërejtjet që kishte, grupi sovjetik për të bërë këto ndryshime la në Tiranë tre a katër veta e më vonë erdhi edhe një tjetër. Ky grup qëndroi këtu për të korrigjuar projekt-idenë. Për të ndihmuar grupin lidhur me vizatimet e reja më caktuan mua dhe Sokratin. Na vendosën për të punuar në sallën e bibliotekës së ministrisë bashkë me sovjetikët…Pasi qeveria jonë dha mendimet e saj ranë dakord me projekt-idenë e paraqitur, sovjetikët u larguan për në vendin e tyre e prej andej filluan të dërgojnë projekte vetëm për atë pjesë që do të punohej, kështu na kishin në dorë gjithmonë. Dërguan themelet, bodrumet e ndonjë prerje të projekt-idesë. Gjatë punimit për zbatimin caktuan si drejtues Sokratin, pasi dinte rusisht. Në kohën kur ishin duke u ndërtuar bodrumet u prish politika me sovjetikët. Ata ikën dhe nuk u kthyen më, e lanë punën, tashmë ishin bërë armiq me ne. Pastaj qeveria vendosi ta bënim me forcat tona. Caktuan listën e personalit të përbërë nga një grup arkitektësh e inxhinierësh… Në fillim ky grup përbëhej nga Anton Lufi, Skënder Luarasi, Eqerem Dobi, Besim Daja, e Sokrat Mosko si projektues dhe Misto Mele, Koço Miho dhe unë, si bashkautorë…” Sot, 60 vite pas konsolidimit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit si objektin kulturor më të rëndësishëm në vend, gjendja është si në imazhet më poshtë. Hymë në objekt nga hyrja e stafit, për të aksesuar drejtpërdrejt zyrat, dhomat e provave, korridoret, drejt skenës. Ndërkohë që muret ishin të rrënuara, protagonizmi gjendet tjetërkund- Dyshemetë prej graniti. “Këto dyshemetë do të ruhen..nejse, jo të gjitha.” “Skena do të gërrmohet.” “Artistët kanë rrezikuar jetën; kavot që vareshin në skenë janë në gjendje kritike, mund të ishin këputur në çdo moment”- më thotë zbatuesi i punimeve.  Unë vazhdoj të mendoj se më shumë se çka realisht do të ndodhë, asgjë nuk konkurron fuqinë e hapësirave në shndërrim; Të divorcuara  nga e kaluara, në pafundësinë e shanseve të martesës së rradhës, të afta të ëndërrojnë e të të bëjnë të ëndërrosh skenarë, të vetëdijshme ama se liria është vetëm e përkohshme, e do të duhet të bien në kompromisin fizik të trarëve, kolonave e mureve.

 

 

Të tjera

Abissnet