Transporti publik në Tiranë, tmerri i qytetarëve

Diamila Leka

Transporti publik në Tiranë po kthehet në “tmerrin” e qytetarëve. Kryesisht linja e Tiranës së Re është linja që më duhet të udhëtoj më shpesh.

Të frekuentosh këtë linjë është tmerr për shkak të kushteve që ka. Gjatë dimrit, dyer që nuk mbylleshin, dritare të hapura, pritje të gjata në shi e në të ftohtë e kështu me radhë për mos të folur për ngrohjen se ngroheshim me frymëmarrjen e njëri-tjetrit.

Tashmë në verë qullesh në djersë.

Fëmijë që qajnë, gra shtatzëna që nuk kanë vend ku ulen, të moshuar që përpëliten nga vapa, fytyra të djersitura kështu paraqitet situata në një autobus të transportit publik në Tiranë.

“Po ndizeni mo atë kondicioner se do vdesim këtu në urban”, dëgjohej zëri i një të moshuare diku në vendet e fundit të autobusit.

“Unë po vdes për vete”, përgjigjet faturino që gjithmonë duron fjalët ofenduese të qytetarëve të revoltuar. Ndoshta, është ai që “ha mbi kurriz” kritikat apo mërzitjet e qytetarëve ku ndërkohë këto kritika duhen drejtuar te eprorët e tij, pasi ai është një punëtor i thjeshtë dhe nuk mund të bëj asgjë më tepër veçse duhet të presë sa më shumë bileta.

“Ky transport të lë për të dëshiruar. Pse në këto kushte duhet të udhëtojmë në kryeqytet? Jemi në vitin 2019, e dini si udhëtojnë njerëzit nëpër botë? Pse me këto kushte do të futemi në BE ne? Erion Veliaj vetëm fjalë ka, di vetëm të mbjellë një pemë e të ndërtojë qindra pallate. Ka betonizuar Tiranën. Transporti publik zero me bisht.”, shprehet një nga qytetarët i cili ishte në urban dhe përpiqej të bënte fresk me një broshurë që e kishte në duar.

Ndërsa të qarat e fëmijëve të vegjël vazhdonin pasi ajri sa vinte e rëndohej dhe nuk kishte shumë hapësirë. “Edhe sardelet janë më të lirshme se ne këtu në urban” u dëgjua zëri i një vajze.

Tentova të krijoja një hapësirë, sa për një person, pasi një grua hipi në stacionin e radhës por ishte e kot, nuk kishte më hapësirë dhe ashtu ngjeshur u afrua drejt meje.

Ishte me probleme shëndetësore, dhe se gjendja e saj në këto kushte po përkeqësohej. Vuante nga astma dhe ajri i rënduar po i përkeqësonte frymëmarrjen.

Pas thirrjes së saj për të ndezur kondicionerin, shoferi i autobusit u detyrua që pas stacionit të radhës, të drejtonte me derë të hapur. Kjo mund të ishte një mënyrë primitive për të ajrosur ajrin por e rrezikshme për jetën e secilit do sidomos në rastet kur ka fëmijë të vegjël.

Ndërsa, kujtojmë që në dhjetor të vitit 2015, Bashkia e Tiranës rriti çmimin e biletës së transportit publik me 10 lekë. Rritja e çmimit të biletës ishte një shpresë nga qytetarët për përmirësimin e kushteve. Por ja ku jemi, pothuajse 4 vite më pas ende nuk ka përmirësim në kushte apo edhe në orare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Vija fatale e Ballkanit

Blerim Latifi Gjatë historisë, njerëzit në Ballkan kanë vuajtur nga një lloj fataliteti gjeopolitik. Ky fatalitet ka të bëjë me…

Abissnet