Trajtimi i sëmundjeve reumatizmale përmes ujërave termale

Nga Elona Tereziu

Julia Kollçaku, mjeke reumatologe pranë Poliklinikës Qendrore tregon efektet më të rëndësishme që ka uji termal në sëmundjet e sistemit lokomotor, veçanërisht në atë reumatizmale dhe veçantia e tyre se përveçse ndikojnë në shërimin e sëmundjeve, shërbejnë edhe për relaks e çlodhje

Shëndeti është baza për një jetë më të mirë, por është mirë kur kujdesi për të pasur një jetë të shëndetshme, alternohet edhe me kënaqësi. Ujërat termale apo siç njihen ndryshe, llixhat, janë nga më të rrallat në botë për fuqinë e tyre shëruese. Veçse mund të shërojnë një numër të madh sëmundjesh, ato shërbejnë dhe për relaks dhe çlodhje. E fatmirësisht, vendi ynë është mjaft i pasur me të tilla ”burime kurative”.

Këtu mund të përmendim ujërat termale të Bilajt në Fushë-Krujë, llixhat e Elbasanit, ujërat termale të Bënjës, llixhat e Peshkopisë, ujërat termale të Vronomeros në Leskovik, banjat e avullit të Postenamit, si dhe ujërat kurative të pijshme, siç janë Kroi i Bardhë në komunën e Selitës në Mirditë, Kroi i Nënës Mbretëreshë në parkun kombëtar të Qafë Shtamës etj. Ndërkohë që numri i sëmundjeve për të cilat mendohet se llixhat janë efektive, është shumë herë më i lartë. Këtu mund të përmendim: Sëmundjet e sistemit lokomotor, sëmundjet e sistemit nervor, sëmundjet organike, sëmundjet uro-genitale, sëmundjet e lëkurës etj. Ndërsa vetitë kurative përmes pirjes mendohet t’i ketë në: sëmundjen e kolitit, pagjumësinë, sëmundjet e aparatit tretës etj.

Julia Kollçaku, mjeke reumatologe pranë Poliklinikës Qendrore tregon se efektet më të rëndësishme, uji termal i ka në sëmundjet e sistemit lokomotor, veçanërisht në atë reumatizmale siç janë: osteoartrozat (gonartrozat, spondilartrozat, mialigjitë) ndërkohë që thekson se trajtimi i këtyre sëmundjeve me ujëra termale, jo vetëm që ul dhimbjen, por bën edhe relaksim të muskulaturës së kontraktuar në zonat e prekura, siç është për shembull spondiliartroza lumbare, cervikale, torakale etj.

Doktoreshë, cilat janë disa nga sëmundjet reumatizmale që hasen më shpesh në pupullatë?

Në sëmundjet reumatizmale përfshihen një grup i madh sëmundjesh. Megjithatë, janë një grup sëmundjesh të cilat hasen më shpesh në pupullatë, por dhe më problematike në të njëjtën kohë. Sëmundjet reumatizmale ndahen në dy kategori të mëdha: sëmundje me natyrë inflamatore dhe ato me natyre degjenerative. Në grupin e parë më të shpeshta janë: artriti reumatoid, artriti psoriatik, spondiloartopatitë etj. Në sëmundjet degjenerative futen: artrozat, spondiliartrozat, dëmtimet e disqeve intervertebrale etj.

Cila është marrëdhënia e këtyre sëmundjeve me ujërat termale. Sa efektive janë llixhat?

Ujërat termale apo siç njihen ndryshe llixhat, kanë një fuqi të jashtëzakonshme shëruese për një sërë sëmundjesh, veçanërisht për ato reumatizmale. Për fatin tonë të mirë, Shqipëria është një vend shumë i pasur në këtë aspekt me ‘’burime kurative’’. E veçanta e këtyre ujërave është se përveçse ndikojnë në shërimin e sëmundjeve, shërbëjnë edhe për relaks e çlodhje.

Ndër sëmundjet reumatizmale ku llixhat kanë një efekt shumë të mirë, mund të përmendim: sëmundjet reumatizmale degjenerative, artrozat, gonartrozat, spondiartrozat etj. Gjithashtu llixhat janë shumë të mira për rikuperimi pas traumave e frakturave.

A mund të konsiderohen llixhat si një kurë definitive apo thjesht plotësuese për këtë grup sëmundjesh?

Trajtimi me ujëra termale është një hallkë e mjekimit për sëmundjet degjenerative reumatizmale, por jo e vetme, sepse sëmundjet reumatizmale kanë disa faza mjekimi. Është mjekimi medikamentoz, është fizioterapia, janë këshillat e ndryshme që ne u japim pacientëve për rënie në peshë e aktivitetet sportiv. Pra, llixhat janë një hallkë e mjekimit që pacienti të ndihet më mirë, por që të shohim efekt, duhet një bashkëpunim i mirë me të gjitha hallkat e tjera të trajtimit. Ujërat termale kanë edhe fazat e tyre, nuk mund të bëhet gjatë gjithë vitit, kryesisht rekomandohen në pranverë dhe vjeshtë.

Tek cilët persona nuk këshillohet trajtimi me ujëra termale?

Ujërat termale kundërndikohen në të sëmurët me artrit reumatoid në fazën e acarimit, kur sëmundja ka aktivitet të lartë. Në personat që vuajnë nga skleroza e rëndë, epileptikët dhe ata që kanë dekompozim të zemrës me buzë të nxira, ënjtje të këmbëve, marrje fryme apo që vuajnë në shkallë të lartë nga variçet. Përdorimi i ujërave termale kundërndikohet gjithashtu te ulcerat gastrike, duodenale, të akutizuara me hemorragji, në komplikacionet pos operative etj. Megjithatë, duhet të theksojmë diçka këtu. Çdo pacient para se t’i nënshtrohet kësaj skeme trajtimi, duhet që patjetër të këshillohet me mjekun specialist. Janë një sërë ekzaminimesh e analizash që duhen bërë, për të parë nëse pacienti ka ndonjë problem shëndetësorë (infeksione, plagë të shkaktuara nga diabeti, variçe etj). Gjithashtu, me shumë rëndësi është edhe vizita tek mjeku kardiolog, pasi luhatjet e temperaturave ndikojnë keq tek të sëmurët me insuficencë zemre.

Të tjera

Enklava apo komuna?

Emilie Fort Pothuajse një vit më parë, kur shkëmbeva disa email-e, me një profesoreshë në Beograd, unë theksova përdorimin e…

Abissnet