Trajneri i ri i Kukësit, më i paguari në kampionatin shqiptar

Publikuar më 03. 01. 2018 nga Eno Shkëmbi

Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, trajneri i ri i Kukësit Peter Pacult mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas. Austriaku pritet të prezantohet sot para mediave pasi të ketë firmosur kontratën. Burime për “BalkanWeb” pranë klubit verilindor bëjnë me dije se Pacult pritet që të firmosë një kontratë 2-vjeçare me kampionët e Shqipërisë.

Të njëjtat burime theksojnë se Pacult do të paguhet 8-10 mijë euro në muaj te Kukësi, që do ta bënte edhe trajnerin më të paguar në kampionatin shqiptar.

Në mediat sportive asutriake dhe ato gjermane, bëri bujë vendimi i Pacult për të marrë drejtimin e Kukësit. Trajneri austriak ka dhënë edhe një prononcim të shkurtër për sajtin “peterlinden.live”.
“Presidenti i Kukësit më ka telefonuar dhe ka kërkuar që të nisë punën për të mbrojtur titullin kampion”, është shprehur trajneri austriak.

Theksojmë që Nderim Nexhipi që do të jetë Drejtor Sportiv te Kukësi, është ai që ka zgjedhur trajnerin e ri të ekipit pas largimit të Mladen Milinkoviç. Nexhipi ishte ndërmjetësi midis presidentit Gjici dhe trajnerit austriak.

Kujtojmë që Pakult gjatë karrierës si trajner është shpallur kampion me Rapid Vjenën në Austri në 10 vite më parë. Ai ka drejtuar më parë edhe Austrinë e Vjenës dhe Mynih 1860, madje edhe skuadrën gjermane RB Leipzig.