Trajneri Petrit Hoxha: Politika, larg duart nga Peshëngritja

Publikuar më 07. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Klevis Deda

Trajneri i peshëngritjes bën thirrje që në krye të këtij sporti të vendosen persona të kualifikuar, të zhvillohet një seleksionim për grupmoshat dhe të aplikohen plane stërvitore nga 1-5 vjeçare

Petrit Hoxha, aktualisht trajner peshëngritjeje, bën thirrje që politika të largohet një herë e mirë nga sporti në Shqipëri. Në një intervistë për “Shekulli” ai shprehet i pakënaqur me performancën e sportistëve shqiptarë në kampionatin botëror që u zhvillua në SHBA. Hoxha tha se duhet ndjekur një politikë e mirëfilltë për të zhvilluar grupmoshat e cila është e ardhmja e sportit.

Si e komentoni paraqitjen e peshëngritësve shqiptarë në botërorin e  SHBA-së?

Përfaqësimi ne kampionatin botëror ishte i dobët. Vetëm Romela arriti në rezultatet e mëparshme, të tjerët nuk arritën më shume se ne 95% të rezultateve më të mira. Kjo ndodhi së nuk pati një strukturë të vërtetë të një ekipi kombëtar ku çdo gjë është e programuar dhe e mirë planifikuar. Nga stafi drejtues shqiptar nuk u njihte realisht gjendja e sportistëve, pasi të gjithë stërviteshin ku ato e kishin menduar, nëpër vende të ndryshme të botës. Bashkimi i të gjithëve në USA ishte një formalitet dhe jo një staf i mirë organizuar me detyra të detajuara për çdo njeri.

Kujt i faturohet ky dështim?

Gara natyrisht që ishte zhgënjim dhe ndodhi për 2 arsye. E para nga mungesa e profesionalizmit për të sjellë sportistin në formën e tij më të mirë në ditën e garës. E dyta nga mos pjesëmarrja në garë e sportistëve dhe ekipeve kombëtare më të mira në bote. Mendoj se stafi ynë u vetëkënaq para kohe.

Erkand Qerimaj u ankua për mungesën e një fizioterapisti në kombëtare, përgjegjësi e kujt është kjo dhe pse Erkandi ka një rënie të ndjeshme të rezultateve të tij.

As nuk diskutohet që mjeku sportiv duhet të jetë pjesë e padiskutushme e delegacionit për të mos thënë i barabartë me trajnerin. Megjithatë niveli i mjekësisë sportive në Shqipëri është në nivele shumë të ulëta dhe ju mungojnë shumë përbërës në çantën e ndihmës së shpejtë për tu ardhur në ndihmë sportistëve të niveleve të larta. Një gjë të tillë e kam parë vetë kur drejtova ekipin tonë kombëtar në periudhën 2008-2009. Erkandi duhet përgëzuar për nivelin e lartë që mban për rreth 13 apo 14 vite. Mendoj duhet të ndryshojë disa gjerë në ushtrimet e tij stërvitore. Ai zhvillon stërvitje shpesh në palestrën e improvizuar, por që ndikon jo mirë në përmirësimin e performancës.

Daniel Godelli nuk u pajis me vizë për në ShBA. A është fajtore Federata Shqiptare e Peshëngritjes, apo e shtetit shqiptar?

Mospajisja e Godellit me vizë kalimi për në USA është fyerje e Shpipërisë. Të gjithë janë fajtorë. Çdo gjë rregullohet kur ka vullnet dhe dëshirë të mirë.

Nëse Godelli do të merrte pjesë në botëror, a ishte favorit për tu shpallur kampion?

Danieli jo vetëm qe i ka të gjithë mundësitë fizike, teknike etj, por mbi të gjitha Godelli ka psikologjinë e kampionit. Është i jashtëzakonshëm dhe si pak sportistë në botë, arrin rezultate më të mira në gara ndërkombëtare se në ato kombëtare apo stërvitore.

Komenti juaj për kushtet e papërshtatshme të sportistëve.

Është e vërtetë që kushtet janë skandaloze, çdo gjë ndikon. Sidoqoftë në këtë pikë edhe trajnerët nëpër rrethe duhet të dinë më shumë që të kërkojnë ambiente stërvitore, pasi me sa di unë, shtangat nuk janë në mungesë të madhe.

Sa përgjegjës është Presidenti i Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjoza për këtë situatë?

Unë e kam theksuar që politika nuk duhet të drejtojë pasi janë të prirur të shfrytëzojnë elementin më të mirë që kanë në dispozicion duke i aktivizuar në çdo lloj gare dhe duke mos ju lënë mundësi stërvitjeje shkencore dhe me afate kohore të domosdoshme.  Politika nuk pyet, pasi do të reklamojë rezultate të larta dhe çudira të ndryshme nën drejtimin e tyre. Sporti kërkon njerëz të ditur dhe vizionar për të ardhmen.

Çfarë masash duhen ndërmarrë për ta ngjitur këtë sport në majat më të larta?

Për të ngritur sportin të paktën ku ka qenë duhet së pari trajner dhe specialist të shkolluar që kanë marrë me të vërtetë diplomën me meritë. Specializimi i gjithë armatës së trajnerëve në grupmosha të ndryshme dhe ndarja e tyre sipas aftësive. Të kërkohen fëmijë të talentuar për këtë sport, pra nevojitet një seleksionim profesional. Të kërkohen plane stërvitore nga 1 deri në 5 vjeçare nga trajnerët. Të përcaktohet saktë struktura drejtuse profesionale e peshëngritjes shqiptare në mënyrë të detajuar për të rriturit, të rinjtë, për moshat dhe vajzat. Të ketë një këshill drejtues në federatë, profesionist dhe jo servil apo totalisht të dalur mode. Të funksionojë këshilli i trajnerëve dhe të mbahen tema të ndryshme profesionale ku të thirren edhe sportistë në seanca dëgjimore. Dhe në fund ndarje të studiuar  e fondeve.

Në rast se të afrohej posti i trajnimit të kombëtares së peshëngritjes. A do u rikthenit në Shqipëri”

Natyrisht që do bëja çdo gjë ndryshe dhe që do shërbente për brezat. Për këtë mendoj se kam prova jo të pakta në karrierën time. Punoj e studioj çdo ditë për ngritje profesionale këtu në Gjermani.