×

Rr. Ismail Qemali, Pallati 18, Kati 1, 1001, Tiranë, Shqipëri
“Shekulli Group”

“Tragjike, por pas 30 vitesh do na udhëheqin njerëz, që dinë të shtypin vetëm butona!” (FOTO)

Nga Valeria Dedaj

Artisti multimedial Helidon Gjergji çdo vit rikthehet në Tiranë. kësaj here, vjen fill pas projektit që realizoi në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” rrëfen për projektin (H)am(m)am dhe për rrezikun, që u kanoset brezave të ardhshëm nga përdorimi i tepërt i teknologjisë. Çdo gjë në jetën reale, sipas tij, po na çon drejt moskomunikimit. Prandaj komunikimi virtual ndikon, që ne të jemi më të ftohtë kundrejt personit me të cilin komunikojmë.

Projekti përbëhet prej tre pjesëve, te cilat janë krijuar pikërisht për hapësirën fizike të Çifte Hamamit; Në sallën e parë, ka ekspozuar një numër pikturash në kanavacë që përfaqësojnë emotikonë të ndryshëm të komunikimit virtual. Në sallën e dytë Gjergji ka ngjitur 10 erëza kryesore të përdorura përkatësisht për secilën nga pesë komunitetet etnike në Maqedoni (maqedonas, shqiptarë, turq, romë dhe serbë). Ndërsa sallën e tretë Gjergji e ka mbushur me avull artificial nëpërmjet të cilit penetron drita që vjen nga kupola lart, duke krijuar një atmosferë mistike. Ai na tregon se gjendja në dhomë bëhet edhe me misterioze, si rezultat i një kompozimi muzikor me tinguj celularësh të krijuar në bashkëpunim me muzikantin Fatos Qerimaj. Kuratore e projektit është Ana Frangovska. Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri më 24 gusht.

Zoti Gjergji, si lindi projekti (H)am(m)am ?

Në Shkup nuk kisha shkuar asnjëherë! Pasi më ftuan, që të realizoja një projekt në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë fillimisht vizitova hapësirat ekspozuese. Janë katër të tilla, njëra prej tyre është duke u hapur. Dy janë hamame dhe njëra është një ndërtesë më moderne. Më dhanë mundësinë që të zgjidhja. Unë nuk kisha asnjë lloj dyshimi, që Hamami është jo vetëm interesant, por që mua do të më krijonte më shumë mundësi. Është një hapësirë e viteve 1500, me arkitekturë të vjetër otomane, që është ruajtur në gjendje shumë të mirë. Në të është bërë një restaurim minimal, por pa ndryshuar struktura; tavanet, dritaret janë po njësoj. Termi i projektit (H)am(m)am i referohet vendit me analogji të pjesshme drejtuar historisë dhe traditës së hamameve të regjionit, të cilat kanë qenë vende socializimi të komuniteteve të ndryshme etnike, që kanë jetuar në ato hapësira gjeografike. Hamamet kanë qenë për kohën ndër institucionet më tolerante të shumë kulturave. Këto vende e kanë shpesh iniciuar dhe motivuar komunikimin mes klasave të ndryshme, etnive, feve, madje edhe gjinive.

Në tre salla, ekspozohen projekte të ndryshëm! Një korridor pasqyrash të vendosura përkundrejt njëra-tjetrës, krijojnë një hapësirë të pafundme, ku keni ngjitur dhjetë erëza të përdorura nga pesë komunitetet etnike të Maqedonisë (maqedonasit, shqiptarët, turqit, romët dhe serbët). Përse kjo zgjedhje?

Erëzat janë elementi kryesor i kuzhinës. Edhe mund të themi pa frikë, se kuzhina është një nga elementët kryesor që përfaqëson kulturën e një vendi. Në mënyrë metaforike erëzat tregojnë se çfarë i bashkon kulturat, nëse ndahen ose jo nga njëra-tjetra. Unë intervistova, me ndihmën e bashkëpunëtorëve në GKA të Maqedonisë, pesë komunitetet kryesore dhe më rezultoi se erëzat që përdorin këto komunitete janë shumë të ngjashme. Në dhomën tjetër janë pikturat në kanavacë, të cilat përfaqësojnë emotikonë të ndryshëm të komunikimit virtual, që përdoren për parashikimin e motit.

Ndërsa, në sallën tjetër drita që vjen nga kupola lart krijon një atmosferë shumë mistike, teksa penetron nëpërmjet avullit artificial. Çdo gjë duket misterioze, si rezultat i një kompozimi muzikor me tinguj celularësh të krijuar në bashkëpunim me muzikantin Fatos Qerimaj.

Çfarë ndryshimesh apo të përbashkëtash gjen, nga përdorimi i erëzave apo emotikoneve të ndryshme?

Ndryshimi është i madh, sepse erëzat kanë të bëjnë me faktin e të parit, të ndjerit edhe të shijimit në mënyrë të drejtpërdrejtë, ndërsa e kundërta ndodh me komunikimin me emotikone, ku çdo gjë është e ftohtë dhe në distancë. Gjatë ditëve që isha në Maqedoni, pavarësisht nuk flisja maqedonisht, të gjithë bashkëpunëtorët kur hanin ushqimin krijonin një lloj komunikimi mes tyre, që nuk mund të ndodh kurrë në botën digjitale.

Sipas jush, si ndikon në jetën reale, komunikimi digjital?

Në Hamam ka dritare çdo dhomë. Prej saj arrin të shikosh se çfarë ndodh në natyrë. Teksa mendoja komunizmin digjital dhe natyrën unë lashë vetëm një dritare të hapur, sepse ne kemi filluar që mos të komunikojmë më me natyrën, por të shikojmë ekranin e celularit, ose ekranin një sendi tjetër digjital, për të mësuar atë që ndodh në natyrë. Këtu ndryshimi është i dukshëm. Ndërsa, përsa u përket pasojave që ka përdorimi i mjeteve teknologjike në jetën reale janë të mëdha. Unë jap mësim në Universitetin e Shtetit të Nju Jorkut dhe mund të them se në çdo orë mund kam rreth 50 studentë ose edhe më shumë. Prej këtyre vetëm dy prej tyre thonë mirëmëngjesi, mirupafshim apo si je? Ndërsa, të tjerët nuk komunikojnë, hynë me kokën ulur, me kufje në vesh dhe nuk flasin as me njëri-tjetrin. Unë kujtoj se ne kur hynim në shkollë krijonim rrëmujë kur komunikonim, përshëndesnim njëri-tjetrin etj.

Atëherë kishte komunikim të drejtpërdrejtë! Mbase në Shqipëri nuk jemi akoma në këtë gjendje. Por mesa shoh moskomunikimi sot po kthehet në diçka tragjike. Po harrohen vlerat kryesore, po harrohet se njeriu është më i rëndësishëm, sesa sipërfaqja e tij. Kjo gjë i bën dëm të madh shoqërisë! Ekrani që tregon fotot më të mira të dikujt krijon falsitet në komunikim. Në politikë po na udhëheqin ende njerëz që kanë lindur në një kohë tjetër teknologjike, prandaj po komunikojnë deri diku akoma në një mënyrë normale. Por, mbas 30 vitesh, kur të udhëheqin fëmijët tanë, nuk e di se çfarë mund të ndodhë. Nuk jam shumë optimist! Ata janë mësuar vetëm të shtypin butona lehtësisht. Prandaj mund të krijojnë kaos, pa e ditur dëmin real, që mund t’i shkaktojnë atij që është në anën tjetër.

Dhe së fundmi, çfarë projektesh keni në duar?

Janë disa, por më i afërti besoj do të prezantohet në muajin shtator në Bienalen e Artit Industrial në Tiranë. Gjithashtu po punoj edhe për projekte të tjera në artet pamore, të cilat janë të lidhura me ndjesitë, që më krijohen gjatë ditëve që jam në Tiranë.

Biografia

Helidon Gjergi ka lindur në vitin 1970 në Tiranë, Shqipëri. Ai është artist bashkëkohor dhe punon në mediume të ndryshme. Është diplomuar fillimisht në Akademinë e Arteve në Tiranë (sot Universiteti i Arteve). Pas hapjes së kufijve të Shqipërisë në vitin 1991, u shpërngul në Itali dhe vazhdoi të studionte artet pamore, duke u diplomuar sërish nga Akademia e Arteve të Bukura në Napoli.

Shpërngulet në Çikago, ku bëri një master për teori dhe praktikë arti në Universitetin e Northuesternit (Northëestern University) në vitin 1997. Gjatë karrierës ka punuar në mediume të ndryshme, nga piktura deri tek instalacionet dhe arkitektura. Në veprat e tij vazhdimisht përpiqet të vendos në pah zbrazëtirat dhe brishtësinë e kufijve mes medieve, vetes dhe parametrave të ndikimit individual. Aktualisht jeton në Nju Jork dhe jep mësim në Universitetin e Shtetit të Nju Jorkut (SUNY).

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *