Tragjike/ 4 gra vdesin në aksident pasi ktheheshin nga ceremonia mortore

Ngjarja ndodhi në aksin Elbasan-Peqin. Viktimë mbetën 4 gra, ndërsa u plagosën 3 shoferë makinash. Lagështira në rrugë dyshohet si shkak i aksidentit tragjik, ndërsa nuk përjashtohet as shpejtësia tej normave

Xhentila Gjoshi

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në Elbasan, ku katër persona kanë humbur jetën në një aksident rrugor. Sipas informacioneve të përcjella nga policia, aksidenti që i mori jetën katër grave, ka ndodhur në aksin Elbasan-Peqin rreth orës 15:00. Përplasja e tre makinave ndodhi në fshatin Papër, ndërsa një prej mjeteve ka përfunduar në kanal. Viktimat, të gjitha gra, po udhëtonin në makinën me drejtues Gëzim Kotorri. Mësohet se ata po ktheheshin nga një ceremoni mortore. “Më datë 23.09.2019, në aksin rrugor Elbasan- Papër, ka ndodhur një aksident rrugor ku janë përplasur tre automjete, mjeti me drejtues shtetasin G. K., mjeti me drejtues shtetasin O. Sh., dhe mjeti me drejtues shtetasin E. R. Për pasojë katër shtetas të cilët ishin pasagjerë në mjetin që drejtohej nga shtetasi G. K., kanë humbur jetën. Ndërsa dy të tjerë janë jashtë rrezikut për jetën të cilët janë transportuar për ndihmë mjekësore”, njoftoi policia e Elbasanit pas ngjarjes. Tre prej viktimave mësohet se janë pjesëtarë të një familje. Viktimat e identifikuar nga policia janë shtetaset: Fatime Hoxha; Jonida Kotorri; Lume Hoxha dhe Fatushe Kotorri. Të plagosur kanë mbetur shtetasit Gëzim Kotorri dhe Oltion Kotorri. Një nga personat kishte mbetur i bllokuar në makinë dhe është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për ta nxjerrë. Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen e shkakut të aksidentit.

Ngjarja

Aksidenti ishte një tragjedi e dyfishtë ditën e djeshme për familjen nga Gramshi. Sipas informacioneve, tragjedia ndodhi pasi kishte përfunduar ceremonia e varrimit të njërës prej viktimave të djeshme. Gruaja e të ndjerit që sapo ishte përcjellë për në banesën e fundit, së bashku me tre familjare u përfshinë në një aksident zinxhirë. Fatime Hoxha, Fatushe Agolli, 64 vjeçe, Lume Hoxha, 28 vjeçe, dhe 30-vjeçarja e quajtur Jonida Kotorri, i përkasin së njëjtës familje me origjinë nga Gramshi, ndërsa kanë qenë në automjetin tip “Seat”, që ka përfunduar jashtë rrugës si pasojë e përplasjes. Familjarët që kanë humbur jetën në aksident po ktheheshin nga një ceremoni mortore ku i kishin dhënë lamtumirën e fundit bashkëshortit të Fatime Hoxhës (viktimë e aksidentit), por që ky udhëtim rezultoi të kthehej në një mort më vete. Makina tip “Seat” drejtohej nga Gëzim Kotorri, i cili ka mbetur i plagosur gjithashtu nga përplasja e fortë. Shoferi i automjetit tjetër që është përfshirë në këtë aksident është Oltion Shehi, ndërsa shoferi i tretë është E. R. Të tre shoferët janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas informacioneve paraprake të përcjella nga policia, mësohet se makina tip “Seat” ku ndodheshin viktimat, fillimisht ka humbur kontrollin dhe është rrotulluar disa herë në rrugë për shkak të lagështisë dhe më pas është goditur nga makina tjetër, ndërsa pas saj një tjetër makinë është përfshirë në aksident. Aksidenti ndodhi në të njëjtin vend ku disa kohë më parë humbi jetën një 25-vjeçar. Ndërkohë që shkak për këtë aksident tragjik dyshohet të jetë bërë lagështia në rrugë që ka bërë spostimin jashtë rruge të mjetit tip “Seat”.

Dëshmitarët

Ata që kanë parë ngjarjen nga afër, kanë treguar për oficerët e policisë se aksidenti ka ndodhur shumë shpejt. Sipas tyre, mjeti tip “Seat” lëvizte me shpejtësi, ndërsa rruga ishte me lagështirë. Dëshmitarët kanë treguar për media se fillimisht u është dashur mjaft kohë për të nxjerrë trupat e të plagosurve nga makina. “Ata që ishin tek ‘seati’, vështirë t’i nxirrje. Makina ishte shtypur dhe dera nuk hapej. Ambulanca normalisht vonoi pak sa të vinte. Të plagosurat as merrnin e as jepnin. Nuk di si ndodhi aq shpejt”, është shprehur një prej banorëve të zonës ku ndodhi aksidenti i rëndë. Lidhur me këtë ngjarje, policia e Elbasanit ka ngritur një grup pune për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Po ashtu, policia thotë se po mbahet nën monitorim gjendja e tre shoferëve, ndërsa do të merret dëshmia e drejtuesit të mjetit tip “Seat”. Dëshmia e tre shoferëve do të ndihmojë në zbardhjen e këtij aksidenti që mori jetën e katër grave dhe u plagosën tre të tjerë.

Boks

Precedenti

Një tjetër aksident i rëndë është shënuar orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Hajmel, njësi e bashkisë së Vaut të Dejës, në veri të vendit. Një makinë ka përplasur një këmbësor në vendin e quajtur Paçram, dhe për shkak të plagëve të rënda, ai ka ndërruar jetë. Mjeti tip “Fiat”, me drejtues shtetasin Rr. B., 26 vjeç, banues në Ishull Lezhë, ka aksidentuar për vdekje këmbësorin Z. U., 63 vjeç, banues në fshatin Paçram, Vau i Dejës. Drejtuesi mjetit është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër për veprime të mëtejshme. Veprimet po kryhen me grup hetimor për sqarimin e rrethanave të aksidentit. Nga të dhënat e para mësohet se drejtuesi i biçikletës i ka prerë rrugën makinës, që e përplasi për vdekje. Aksidenti tjetër është regjistruar në aksin Milot-Mamurras në afërsi të kryqëzimit të Patokut. Një makinë ku po udhëtonte një familje nga Kukësi ka dalë nga rruga dhe është përplasur me barrierat.

Vdekja e dy punëtorëve, lirohet biznesmeni Petrit Syla

Gjykata e Apelit të Tiranës ka liruar ditën e djeshme administratorin e kompanisë “Skela Syla”, Petrit Syla. Ai ishte vënë në pranga nën akuzën e shkeljeve të rregullave të sigurisë në punë. Syla u la në burg nga Gjykata e Shkallës së Parë, për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 16 gusht, ku humbën jetën dy punëtorë pas rrëzimit të skelës në një pallat në Tiranë. Ishte avokati i biznesmenit Syla, Mirash Ndoci që apeloi vendimin, duke kërkuar lirimin e tij në Gjykatën e Apelit, pasi përgjegjësia për ngjarjen e ndodhur në një pallat te Rruga e Elbasanit nuk binte mbi të. Për këtë ngjarje, është në burg inxhinieri i kompanisë “Skela Syla”, Ilir Bendo, ndërsa në “arrest shtëpie” Xhimi Tarushi, drejtuesi teknik i punimeve për subjektin ndërtues.

Aksidenti

Aksidenti tragjik në punë, që u mori jetën dy punëtorëve dhe plagosi tre të tjerë të premten në Tiranë, dyshohet të ketë ndodhur nga mungesa e masave të sigurisë. Për këtë ngjarje, fillimisht u arrestuan shtetasit Xhimi Tarushi, 41 vjeç, me detyrë drejtues teknik i punimeve në firmën “Xhimi” dhe Ilir Bendo, 44 vjeç, me detyrë drejtues teknik i sigurisë së punimeve në firmën “Skela Syla”. Administratori i kompanisë së skelave, Petrit Syla, u vu në pranga pak ditë më vonë, ndërsa u lirua dje me vendim të Apelit. Si pasojë e punimeve në një pallat, është rrëzuar skela metalike dhe për pasojë kanë humbur jetën shtetasit Ergys Brahimaj, 31 vjeç, punëtor ndërtimi në firmën “Xhimi”, si dhe shtetasi Orjan Kodra, 36 vjeç, punëtor i firmës “Skela Syla”. Gjithashtu, për këtë ngjarje filloi procedimi penal për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’, për punonjësit e Inspektoratit të Punës Tiranë, pasi punonjësit nuk kanë ushtruar detyrën për kontrollin e masave të sigurisë në punë në pallatin ku ndodhi aksidenti dhe po vazhdon puna për dokumentimin ligjor për këta punonjës. Pesë punëtorët që ranë nga lartësia në Tiranë kanë qenë duke bërë çmontimin e skelës nga njëra anë e pallatit 13-katësh, të cilën më pas do ta montonin në anën tjetër, ku do të riparohej fasada. Skela është shembur duke rënë bashkë me punëtorët që ndodheshin sipër, të cilët kanë mbetur poshtë gërmadhave, duke gjetur vdekjen. Ndërsa tre punëtorë të tjerë janë plagosur, duke marrë plagë të rënda në të gjithë trupin. Ngjarja e rëndë ndodhi më 17 gusht, rreth orës 15:00, në rrugën “Faik Konica”, që ndodhet pranë Rrugës së Elbasanit, në Tiranë. Në pallatin 13-katësh po kryhej termoizolimi në fasadën e tij dhe në momentin e punës është shkëputur skela në dy prej kateve të godinës. Për pasojë kanë humbur jetën dy punonjësit: Orjan Kodra, 36 vjeç, dhe Ergys Brahimaj, 31 vjeç. Ndërsa kanë mbetur të plagosur edhe punëtorët Gentian Bardhi, 44 vjeç, Euglidios Lika, 34 vjeç dhe Altin Marku, 40 vjeç, të cilët janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës.

100 plumba në drejtim të Marklen Hakës, si i shpëtoi atentatit

Marklen Haka ka mundur t’u shpëtojë plumbave të kallashnikovit, ndërsa halla e tij mbeti viktimë e këtij atentati. Sipas hetimeve të policisë, objektiv i ngjarjes së ndodhur në orët e vona të së shtunës në Fushë-Krujë ishte 28-vjeçari. Në vendngjarje mësohet se janë sekuestruar më shumë se 100 gëzhoja të qëlluara nga katër armë të ndryshme automatike. Edhe pse u qëllua me më shumë se 100 plumba, përsëri objektivi i atentatit, Marklen Haka arriti të shpëtonte, vetëm m3e një plumb në krahë. Hakmarrja është pista kryesore ky është fokusuar grupi hetimor. Në vendngjarje u sekuestruan shumë gëzhoja të qëlluara nga katër armë të ndryshme automatike. Për pasojë mbeti e vdekur Shpresa Basha dhe u plagos, nipi i saj Marklen Haka. Atentatorët kishin mundur të hynin në thellësi të fshatit Zezë të Fushë-Krujës, aty ku jetojnë anëtarët e familjes Haka në fshehtësi të plotë dhe të padiktuar nga askush. E gjitha rruga për të mbërritur tek 3 vilat e fisit Haka është e monitoruar 24 orë me kamera sigurie. Viktima 50-vjeçare dyshohet se u qëllua aksidentalisht. Shpresa Basha ka hapur derën e jashtme të shtëpisë, në momentin kur u qëllua me armë zjarri. 28-vjeçari Haka ishte në oborr kur filluan të shtënat. Edhe mënyra se si u larguan autorët ka krijuar dyshime tek hetuesit e krimeve kundër jetës në Policinë e Shtetit. Personat e përfshirë në krime, dyshohet se e njohin shumë mirë terrenin pasi, nuk janë larguar nga rruga kryesore automobilistike që lidh Niklën me Krujën. Ata kanë ndjekur rrugët dytësore të fshatit Zezë, duke humbur edhe gjurmët. Ndryshe siç ndodh zakonisht në atentate të tilla mafioze, autorët nuk e kanë shkrumbuar automjetin dhe armët e krimit dhe kjo gjë sipas ekspertëve të policisë dyshohet se ka ndodhur për të mos tërhequr vëmendjen e banorëve të zonës. Marklen Haka ka qenë i arrestuar më herët për një vrasje të ndodhur në qershor të viti 2011 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, por që u lirua për mungesë provash. Ngjarjet kriminale të njëpasnjëshme lidhen me ekzekutimin në vitin 2004 të vëllait të Marklen Hakës, duke shkaktuar një kalvar të gjatë vrasjesh e plagosje në zonën e Fushë Krujës. Ai njihet si një prej “të fortëve” të Fushë–Krujës. 28-vjeçari u arrestua edhe në Shtator të vitit 2018 së bashku me disa persona të tjerë gjatë një aksioni të RENEA-s në Nikël të Fushë-Krujës. Ai u prangos për armëmbajtje pa leje dhe shitjes së lëndëve narkotike. Policia dyshon se shkak i ngjarjes janë konflikte të vjetra të fisit Haka. Burime nga grupi hetimor thanë se disa persona janë marrë në pyetje, por pa mundur dot të hedhin dritë mbi autorët e atentatit.

Viktima

Sipas informacioneve nga policia, viktima Shpresa Basha 50 vjeç , dhe i plagosuri Mariglen (Marklen) Haka, 28 vjeç, halla dhe nipi u dërguan të dy në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në kryeqytet. Por, nga burime spitalore është mësuar se Shpresa Basha ka ndërruar jetë në sallën e operacionit pak pas mesnatës. Personi që i ka shoqëruar në Spitalin e Traumës hallën dhe nipin e qëlluar me armë, është vëllai i Durim Bamit. Burimet hetimore thonë se atentati ka ndodhur në shtëpinë e 28-vjeçarit Haka, aty ku gjendej dhe halla e tij. Autorët kanë hapur zjarr në drejtim të të riut, por plumbat kanë prekur edhe 50-vjeçaren. Sipas dëshmive paraprake mendohet që të kenë qenë katër persona të dyshuar që kanë marrë pjesë në atentatin ndaj Hakës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Lapërdhosja e shtetit

Rezart Prifti Këto ditë të bukura Tetori në Shqipëri diskutohet si përherë për surealen, për të paprekshmen, për atë që…

Abissnet