Trafik heroine nga Shqipëria me vlerë 500 mijë euro, arrestohen 26 persona

Publikuar më 14. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Xhentila Gjoshi

Tre shtetas shqiptarë janë arrestuar nga policia italiane, si furnizues të Napolit me heroinë të llojit “Cobret”. Operacioni ndërkombëtar ka nisur që në muajin qershor 2016, ndërsa gjithsej janë lëshuar 21 urdhër-arreste

Një tjetër rast i trafikut të drogës nga Shqipëria është goditur nga autoritetet italiane. Në këtë operacion të gjerë, policia italiane ka vënë në pranga 21 persona, 3 prej të cilëve shqiptarë, ndërsa ka sekuestruar 38 kg marijuanë dhe 7.4 kg heroinë. Operacioni i koduar “Smoke Snake” është kryer nga Guardia di Finanza e Marcianisë dhe ka filluar që në muajin qershor të vitit 2016.

Që me nisjen e hetimit të këtij grupi deri në finalizimin e operacionit, mësohet se ka patur shkëmbime informacionesh mes Policisë së Shtetit Shqiptar, Guardia di Finanza-s dhe Policisë Italiane nëpërmjet Zyrave Ndërlidhëse në Itali dhe Tiranë. Në përfundim të operacionit orët e para të mëngjesit, është mundur të sekuestrohet 500 mijë euro pasuri; 2 apartamente; 1 autoveturë; 3 kompani; 65 llogari bankare dhe 18.000 euro në cash. Lidhur me këtë operacion ndërkombëtar, burimet zyrtare nga Policia e Shtetit bënë të ditur se gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm janë ekzekutuar 21 urdhër arreste, për 21 shtetas, 18 italianë dhe 3 shqiptarë.

Shtetasi Shqiptar me iniciale L.C., 36 vjeç, u arrestua mëngjesin e së hënës gjatë operacionit, ndërsa dy të tjerë janë arrestuar më parë në flagrancë po në kuadër të këtij operacioni. Ata janë shtetasit me inicialet E. N., 26 dhe E. Sh., 39 vjeç. Këta dy shtetas mbaheshin të arrestuar nga policia italiane, ndërsa ditën e djeshme i është komunikuar urdhri i arrestit. Gjatë operacionit që është zhvilluar të hënën në mëngjes, është sekuestruar edhe një sasi heroinë e llojit “Cobret”, rreth 1 kg në Napoli. Po gjatë operacionit janë sekuestruar edhe asete të tjera të përfituara nga veprimtaria kriminale që kalojnë gjysmë milioni euro. Organizata kriminale operonte në fushën e drogave të forta, kryesisht të tipit heroinë në zonën e Napolit dhe Kazertas.

Operacioni

Tre shqiptarët me iniciale L. C., E.N., dhe E. Sh., janë arrestuar nga autoritetet italiane si pjesë e kësaj organizate kriminale. Policia e Shtetit bën të ditur se i ka dërguar informacion Guarda di Finanzës rreth veprimtarisë së shqiptarëve të përfshirë. Burimet thonë se në Shqipëri ky grup kriminal nuk ka kryer në asnjë rast trafik droge. Heroina dhe kanabisi trafikohej në Napoli të Italisë nga Turqia dhe Holanda. Konkretisht, heroina nga Turqia dhe kanabisi nga Holanda. Nga ana tjetër, autoritetet italiane thonë të kundërtën. Sipas policisë italiane, drogërat e forta shkonin në Napoli, duke ndjekur rrugën e trafikut Turqi-Shqipëri-Itali. Ky hetim ka nisur nga pala italiane që në Qershor të vitit 2016 dhe prej një viti janë sekuestruar 8 kg heroinë dhe 38 kg marijuanë të kësaj organizate.

Ndërkohë, 3 kompanitë e organizatës së drogës që tashmë janë vënë nën sekuestro, ndodhen dhe kryejnë veprimtarinë në Napoli. Operacioni është ende në vijim pasi në kërkim janë edhe 5 persona të tjerë. Në muajin qershor të vitit të kaluar, efektivët e Guardia di Finanza të Marcianise vunë nën vëzhgim të rreptë një rrjet shpërndarësish droge që vepronte në zonat e Marcianise, Capodrise, Macerata Campania dhe Portico di Caserta. Kjo fazë e parë u mbyll me sekuestrimin e mbi 250 dozave heroinë të llojit “Cobret” dhe arrestimin e 4 shpërndarësve, pjesë e grupit kriminal. Nga hetimet e mëvonshme, doli se në zonën midis Casandrino, Grumo Nevano, Melito dhe Acerra vepronte një rrjet i vërtetë trafikantësh që bashkëpunonin mes tyre për të importuar heroinën nga jashtë.

Shqiptarët furnizues me heroinën “Cobret”

Sipas mediave italiane, në shërbimin e përbashkët të organizatës kriminale ishte gjithashtu një rrjet ndërmjetësish dhe korrierësh gjithmonë të gatshëm për të hyrë në veprim për shpërndarjen e drogës dhe transportin në Itali. Përtej kufijve kombëtarë, ishte një tjetër grup kriminal i qëndrueshëm dhe i formuar nga shtetas shqiptar që furnizonin italianët me çdo lloj narkotikësh të kërkuar, por mbi të gjitha të specializuar në heroinën e tipit “Cobret”, shumë të kërkuar në sheshet e zonës napolitane. Një sistem furnizimi ky që garantonte një fluks të vazhdueshëm të drogës që vinte nga Turqia dhe Holanda dhe që hynte në Itali gjithmonë përmes Shqipërisë. Për këtë arsye, Prokuroria e Napolit ka aktivizuar menjëherë një kanal bashkëpunimi gjyqësor me drejtësinë shqiptare, që lejoi marrjen e shpejtë të informacioneve të rëndësishme rreth grupit kriminal që vepronte atje, që ishte ndërkohë duke u hetuar nga Prokuroria e Tiranës.

Droga e sekuestruar nga nisja e hetimeve

– Në gusht të vitit 2016, në portin e Brindisit, u sekuestruan 38 kg marijuanë brenda një kamperi të zbritur nga një anije që vinte nga Greqia;

– Në dhjetor të vitit 2016, një makinë u kap në autostradë në drejtim të Napolit, sapo kishte zbritur në portin e Brindisit. U sekuestruan 5.2 kg heroinë të transportuar në 15 pako.

– Në janar 2017, në portin e Barit, u ndalua një grua italiane shtatzënë, e sapo zbritur nga një anije që vinte nga Durrësi, me 2 qese heroinë, rreth 630 gram;

– Sërish në janar 2017, në stacionin hekurudhor të Casertas, u ndalua një korrier italian që kishte zbritur në mëngjes në aeroportin e Barit dhe që vinte nga Shqipëria. Iu gjetën 38 doza heroine, me peshë rreth 1 kg.

– Në mars të vitit 2017, u sekuestruan më shumë se 1 kg heroinë gjetur në çantën e shpinës të një korrieri shqiptar që sapo u ul në Bari.