Tokat e ndërmarrjeve, pronësia zgjidhet brenda  nëntorit

Në fund të dhjetorit skadon afati ligjor për përdorimin e tokava të ish-ndërmarrjeve bujqësore. Komisioni i ligjeve dëgjon propozimet për zgjidhjen e ngërçit. Fermerët që kanë akt përdorimi, të favorizuar për tapitë

Neritan Gjergo

Dy projektligjet e propozuara nga kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, për kalimin e tokës bujqësore në pronësi të përfituesve janë shqyrtuar në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, por në fund ato janë lënë pezull për t’u plotësuar dhe votuar brenda vitit. Nismat që janë dorëzuar pranë Kuvendit të Shqipërisë përfshijnë ndryshime ligjore në praktikat aktuale të marrëdhënieve të pronësisë dhe përdorimit të tokës bujqësore. Konkretisht, ndryshimet parashikojnë të zgjidhin problematikën e pronësisë mbi tokën për të gjithë ata që kanë përfituar me fondin e ish-ndërmarrjeve bujqësore. “Bëhet fjalë për tokë të ndarë që është shoqëruar me akt të marrjes së tokës në përdorim dhe që më herët para viteve 90’ ka qenë në administrimin e ndërmarrjeve bujqësore. Nuk bëhet fjalë për tokat e ndara me ligjin 7501, por bëhet fjalë për tokën që ka qenë në administrim të ndërmarrjeve bujqësore dhe që pastaj i është nënshtruar procesit të ndarjes për familjet bujqësore dhe individët që janë marrë më bujqësi në atë periudhë. Kjo është e para që do doja të sqaroja. Ligji ka vendosur një kufizim për dhënien e certifikatës së pronësisë për ato familje që zotërojnë tokë në përdorim, por që janë vendosur në atë territor pas datës 1 gusht të vitit 1991. Çfarë ka ndodhur? Ka ndodhur që familjet janë vendosur në territor para gushtit të vitit 1991 fizikisht, por pasaportizimin  e kanë bërë pas kësaj date”, ka shpjeguar Braçe, duke shtuar më tej se qeveria duhet të kthejë përgjigje brenda muajit nëntor në mënyrë që nisma të hyjë në fuqi në fillim të vitit. Kjo pasi në 31 dhjetor përfundon afati për përdorimin e tokës, çka do të përkthehet në pavlefshmëri të akteve të përdorimit dhe mund të krijojë një kaos të ri për mijëra hektarë tokë.  “Duhet t’i vendoset afat qeverisë për të kthyer përgjigje për nismën. Duhet të hyjë në fuqi në datën 1 janar nisma.  Çfarë do ndodhë nëse këta humbin mundësinë për marrjen  tokës në përdorim? Nuk kam asnjë droje të themi se ne presim qeverinë për këtë çështje, por jo më vonë se muaji nëntor. Njerëzit nuk kanë besim se do përfitojnë tokën. Unë dua një datë nga qeveria. Nuk duhet të zgjasë një muaj kjo çështje”, tha Braçe. I pranishëm në komision, ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi premtoi se brenda vitit do të jetë gati drafti ligjor që do të adresojë të gjitha problematikat e bujqësisë, duke përfshirë edhe nismat e deputetit Braçe. “Kemi një draft, madje të riparë për ligjin e proceseve tranzitore, ka kaluar në ministri, është plotësuar. Besoj se brenda vitit 2018 do të jetë i miratuar”, tha Peleshi. Por deputeti socialist ka kërkuar që drafti të jetë gati brenda muajit Nëntor, pasi në fund të vitit fermerëve u mbaron drejta për tu pajisur me certifikatë pronësie. Komisioni ka vendosur që diskutimi të mbetet i hapur ndërsa Ministrisë së Bujqësisë i është kërkuar që brenda datës 24 nëntor të paraqesë draftin e kompletuar që u hap dritën jeshile zgjidhjes së këtyre problematikave.

Procesi

Projektligji i parë synon të bëjë ndryshime në ligjin aktual nr. 171.2014 “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve. Projektligji është propozuar si pjesë e paketës për ndryshime ligjore në legjislacionin në fuqi që trajton procedurat e kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve, duke rishikuar disa dispozita, të cilat kanë krijuar problematika në zbatim. Nga ana tjetër, konstatohen raste të shumta kur komisionet e tokës në fshat nuk kanë plotësuar, të plotë dhe të saktë, dokumentacionin për përfitimin e aktit të marrjes së tokës në pronësi (AMTP) për të gjitha familjet bujqësore, pavarësisht se këto familje i plotësonin kriteret ligjore për të qenë përfitues. Moszbatueshmëria e ligjeve dhe e akteve nënligjore ka ardhur jo vetëm nga mosangazhimi i njësive të qeverisjes vendore, përgjegjëse për ketë proces, por edhe nga vështirësitë që paraqet zbatimi praktik i legjislacionit. Vonesat e procesit dëmtojnë të gjitha familjet dhe individët, të cilat, ndonëse e përdorin faktikisht tokën bujqësore, nuk disponojnë dokumentacionin ligjor të pronësisë mbi të, çka pengon në formalizimin e tyre, përfitimin e subvencioneve nga buxheti i shtetit, kryerjen e transaksioneve, shpronësimet për interes publik, etj.

Pengesat

Edhe pse legjislacioni për ndarjen e tokës bujqësore, dhënien e saj në përdorim e, më pas, kalimin në pronësi, është rishikuar në vazhdimësi, procesi në përgjithësi është shoqëruar me mangësi e probleme të ndryshme. Nga informacionet e strukturave përgjegjëse për këtë proces, si dhe nga ankesat e shumta të qytetarëve, ka rezultuar se, së pari, shumë familje bujqësore, apo pjesëtarë të këtyre familjeve, të cilët kanë përfituar tokë në përdorim, sipas dispozitave të ligjit dhe akteve nënligjore në fuqi, nuk mund të pajisen me aktin e marrjes në pronësi të tokës për shkak të kufizimeve të vendosura në legjislacion për mosndryshimin e vendbanimit. Së dyti, për shkak të vonesave për transferimin e dokumentacionit të gjendjes civile përtej afateve të përcaktuara në legjislacion, shumë familje bujqësore, pavarësisht se kanë qenë banorë de facto të njësive vendore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, nuk mund të pajisen me aktin e marrjes së tokës në pronësi.

Ushqime të pasigurta

Hendeku mes nevojës për siguri ushqimore dhe kapacitetit në vendin tonë është tepër i lartë, vlerëson Banka Botërore në një raport të fundit. Sipas këtij raporti, në drejtim të hendekut, Shqipëria është e gjashta në botë, mes vendeve me të ardhura te mesme dhe të ulëta. Pra vendet që e vuajnë më së shumti problematikën e sigurisë ushqimore. Madje, Shqipëria rezulton të jetë vendi më i pasigurt në Europë në drejtim të sigurisë ushqimore për produktet shtazore. Asnjë vend tjetër në kontinentin e vjetër, e as në Ballkanin Perëndimor nuk ka një diferencë kaq të madhe sa Shqipëria mes nevojave dhe kapacitetit, çka do të thotë se mungesa e sigurisë ushqimore është alarmante. Një tjetër indikator, ai i kapaciteteve të sigurisë ushqimore për produktet shtazore e rendit Shqipërinë në vend të fundit në Europë, me një indeks në thuajse 40 pikë. Për vende si Serbia, ky indeks fiksohet në mbi 75 pikë. Kjo do të thotë se, nuk janë vetëm nevojat të larta, por edhe kapacitetet mjaft të dobëta për t`i bërë ballë sigurisë ushqimore, që sipas bankës botërore është një emergjencë, që i shkakton vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme rreth 110 miliardë dollarë dëm çdo vit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Tradhtia e patriotizmit

Nga Koço Kokëdhima Në të njëjtën ditë që Rama përmbysi shqiponjën “korb” në hyrje të Tiranës, Macron në Paris fliste…

Abissnet