Tokat bujqësore, zbardhet formulari i regjistrimit

Hyn në fuqi vendimi që synon përfundimin e procesit, duke shmangur bllokimet në hipotekë. Si do të plotësohet formulari nga përdoruesit e tokave dhe kushtet për marrjen në pronësi. Ndryshimet rrëzojnë VKM-në e vitit 2015

Neritan Gjergo

Ndarja e tokave bujqësore sipas ligjit 7501 pëson sërish ndryshime. Në Fletoren Zyrtare është botuar dje vendimi dhe formulari që do të plotësohet nga përdoruesit dhe kërkuesit e këtyre tokave për t’i bërë ata pronarë legjitimë. Vendimi i ri synon të eliminojë problemet e hasura në vite më këto toka, dhe për ta dhënë në pronësi të përdoruesit është vendosur si kusht identifikimi i organit që e ka lëshuar AMTP-në, që përfaqësohet nga firma ose emër, mbiemër, me shkrim dore, i kryetarit të komisionit të ndarjes së tokës në fshat, për aktet e lëshuara deri më 15.8.2008, ose nga kryetari i njësisë së qeverisjes vendore. Ndërkohë, formulari i cili do të jetë i shumëfishuar në 4 kopje, do të përmbajë të dhëna të sakta për ngastrat, numrin kadastral, kufizimet gjeografike etj.

Firma e kryetarit të komisionit
Në VKM-në aktuale, kërkohet që, për regjistrimin e fitimit të së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme, me aktin e marrjes së tokës në pronësi (AMTP), një nga kushtet është “identifikimi i organit që e ka lëshuar AMTP-në, që përfaqësohet nga kryetari i komisionit të ndarjes së tokës, për aktet e lëshuara deri në 15.8.2008, ose nga kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, për AMTP-të e lëshuara në zbatim të ligjeve nr. 9948, datë 7.7.2008, të ndryshuar, nr. 57/2012 dhe nr. 171/2014”. Duke qenë se në praktikë janë hasur jo rrallë probleme pikërisht në këtë pikë, Këshilli i ministrave vendos si kusht të ri “identifikimin e organit që e ka lëshuar AMTP-në, që përfaqësohet nga firma ose emër, mbiemër, me shkrim dore, i kryetarit të komisionit të ndarjes së tokës në fshat, për aktet e lëshuara deri më 15.8.2008, ose nga kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, për AMTP-të e lëshuara, në zbatim të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar, të ligjit nr.57/2012, “Për përfundimin e procesit të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore”, dhe të ligjit nr.171/2014, “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar. Në rast se në një AMTP janë të pasqyruara emrat e të gjithë anëtarëve të komisionit të ndarjes së tokës në fshat, konsiderohet i identifikuar organi që e ka lëshuar AMTP-në, edhe nëse nuk është pasqyruar nënshkrimi i kryetarit, por kanë nënshkruar shumica e anëtarëve të komisionit. Për formatet e AMTP-ve, ku parashikohet vetëm firma ose nënshkrimi i kryetarit të komisionit të ndarjes së tokës në fshat, por kjo firmë mungon, do të konsiderohet i identifikuar organi që e ka lëshuar atë, vetëm nëse vërtetohet me dokumentacion, si: procesverbale të marrjes së këtyre AMTP-ve në dorëzim nga DAMT-ja apo të dorëzimit të tyre në ish-ZRPP nga kjo e fundit”.

Mangësitë
Sipas VKM-së në fuqi, “kur, gjatë verifikimit, rezulton se regjistrimi ka mangësi apo është kryer në kundërshtim me ligjin, konstatimet e kryera, nga punonjësit që përpunojnë praktikat, i referohen regjistruesit, me shkrim, duke treguar, hollësisht, mangësitë e konstatuara. Regjistrimi, në origjinë, i tokës bujqësore, ka mangësi, në rastet kur: është kryer me mungesën e një apo më shumë elementeve të akteve të marrjes së tokës në pronësi, të përcaktuara në këtë vendim; aktet e marrjes së tokës në pronësi nuk administrohen në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme ose administrohen si fotokopje; sipërfaqja e të gjitha pasurive, dhënë me AMTP, del e ndryshme nga sipërfaqja e regjistrimit fillestar të këtyre pasurive, e pasqyruar në kartelat e tyre respektive.

Për të shmangur bllokimin edhe në këtë rast, kjo klauzolë ndryshohet, si më poshtë vijon: Kur gjatë verifikimit rezulton se AMTP-ja, me anë të cilës është kryer regjistrimi, ka mangësi, konstatimet e kryera nga punonjësit që përpunojnë praktikat i referohen me shkrim drejtorit të Drejtorisë Vendore të ASHK-së, duke treguar hollësisht mangësitë e konstatuara. Regjistrimi në origjinë (fillestar) i tokës bujqësore me AMTP-në është me mangësi në rastet, si më poshtë vijon: kur në AMTP mungon një apo më shumë elemente të përcaktuara në këtë vendimi; kur AMTP-ja është me korrigjime te shënimi pronësi apo përdorim (në rastet kur AMTP-ja është lëshuar për territoret e ish-NB-ve), tek numri i ngastrës, ose tek sipërfaqja dhe emërtimi i ngastrës.

Nuk do të konsiderohen mangësi rastet kur në Drejtorinë Vendore të ASHK-së është i depozituar dokumenti i fitimit të pronësisë mbi tokën bujqësore (AMTP) për territoret e ish-kooperativave bujqësore dhe në të konstatohet se fjalët “në pronësi” janë shkruar me shkrim dore mbi fjalët “në përdorim”, të fshirë me vizë. Mbi shënimin me shkrim dore duhet të jetë firma dhe/ose vula zyrtare e ish-komunës. Në rastin kur dokumentacioni i pronësisë së fshatit, i depozituar në Drejtorinë Vendore të ASHK-së, është i shoqëruar me deklarimin e anëtarëve të komisionit të ndarjes së tokës në fshat, se ky veprim është bërë në mungesë të formularëve të pronësisë, procedohet me regjistrimin. Në të kundërt, Drejtoria Vendore e ASHK-së i drejtohet zyrtarisht bashkisë që të konfirmojë nëse AMTP-ja është lëshuar nga komisioni i ndarjes së tokës së fshatit. Bashkia, pas verifikimit të dokumentacionit që disponon dhe pas verifikimit faktik të tokës bujqësore që zotërohet nga familja bujqësore, i përgjigjet zyrtarisht Drejtorisë Vendore të ASHK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet