Tmerri brenda vilës në Ksamil, si u terrorizua nga maskat studenti i Anglishtes

Publikuar më 14. 01. 2018 nga Xhentila Gjoshi

Në katin e dytë të vilës mund të shihje qartë shenjat e përleshjes. Në dhomën e gjumit kishte njolla gjaku, portofoli bashkë me një kartë identiteti ishin të hedhura përtokë, pasi autorët kishin mundur të merrnin gjithë të hollat.
Skena ka lidhje me grabitjen e dy ditëve më parë në Ksamil të Sarandës, kur 23-vjeçari Petro Lula u zu në befasi brenda vilës katër katëshe pranë plazhit “Pema e Thatë”, pronë e familjes së tij, e cila prej shumë vitesh punon e jeton në Greqi.
Lula ndodhej i vetëm në banesën 4-katëshe të familjes së tij, kur tre persona të maskuar hynë nga dera e pasme e vilës. Studenti i Anglishtes është zgjuar nga gjumi në momentin që ka dëgjuar lëvizje të dyshimta dhe ka nisur të kontrollojë shtëpinë. Mësohet se autorët i ka pikasur në shkallët e katit e dytë të vilës. I zënë në befasi, nuk ka mundur të bëjë dot asgjë për vetëmbrojtje pasi është rrahur keqas e goditur me hekurin e pistoletës që mbante një prej grabitësve deri në gjakosje.
Më pas, “BalkanWeb” mëson se tre autorët e kanë lidhur 23-vjeçarin Lula duke bastisur ç’të mundnin prej saj. Në fund, kur kanë dalë në oborrin e vilës, kanë marrë çelësat e saj si dhe makinën tip “Benz”, me targa AA 322 DP. I riu nuk ka mundur të bëjë dot asgjë për t’i ndaluar, pasi ka mundur të lirohet disa orë pasi autorët ishin larguar. Policia e Sarandës ka nisur hetimet për ngjarjen dhe ka shoqëruar 10 persona deri tani.