Tiranë: Vështirësitë e komunitetit rom dhe mungesa e fëmijëve në shkolla

Një lagje me 18 familje të komunitetit rom në periferi të Tiranës ka më shumë se një vit pa ujë të pijshëm. Në periferi të kryeqytetit banojnë një komunitet rom i konsiderueshëm, i cili jeton në kushte tejet të vështira. Një lagje e tyre kishte një vit pa ujë të pijshëm dhe ndërmarrja e ujësjellësit u shtroi linja të reja, falë interesimit të veprimtarëve, që konstatuan mungesën e fëmijëve në shkolla. Mungesa e ujit iu kishte paralizuar atyre cdo veprimtari tjetër, nga ushqimi, shëndetësia dhe deri te braktisja e shkollave për të vegjëlit. “Në këto 18 familje jetojnë 52 fëmijë, të cilët braktisën kopshtet dhe shkollat pikërisht për shkak të mungesës së ujit, ushqimit, higjenës dhe sëmundjeve” – tha Klaudio Pulaha, përfaqësues i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.

Por tani gjendja do të ndryshojë nga bashkëpunimi i shoqërisë civile me ndërmarrjen e ujësjellësit, e cila krahas tubacioneve të reja, do t’u sjellë atyre ujin e pijshëm dy herë në ditë si fillim në mëngjes dhe në mbrëmje, deri sa linja të forcohet për furnizim më të rregullt. Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) zbuloi se mungesa e ujit të pijshëm u vështirësonte jetesën e tyre të përditshme, si edhe ishte bërë burim diskriminimi, sepse fëmijët nuk dilnin dot as në shkollë e as në jetën e zakonshme të lagjes. Studimet pohojnë se varfëria e romëve është dy herë më e lartë se ajo e popullatës tjetër. Regjistrimet zyrtare flasin për afro 8 mijë e 500 romë, por vlerësime të pavarura pohojnë se në Shqipëri jetojnë nga 20 mijë deri në 120 mijë romë, me shkollim të ulët dhe papunësi të lartë. /Voa/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet