Tirana likuidon 3-0 Shkumbinin

Nga Klevis Deda

Bardheblutë nuk njohin pengesa edhe pse në këtë takim luajtën me mungesa të rëndësishme. Ngjitja në Superligë është thjeshtë çështje kohe për 24 herë kampionët e Shqipërisë

Tirana vazhdonin marshimin e sigurt drejt ngjitjes në elitën e futbollit shqiptar. Kryeqytetasit regjistruan fitoren e parë për vitin 2018 në takimin e zhvilluar ndaj skuadrës së Shkumbinit me rezultatin e thellë 3-0. Pavarësisht mungesa të shumta në formacionin titullar, bardheblutë nuk e diskutuan për asnjë moment tre pikëshin e ndeshjes. Rasti i parë dhe shumë i rrezikshëm erdhi në minutën e 13 pasi goditja e Karabecit përplaset në dy shtyllat e portës së peqinasve. Është sërish i njëjti lojtar i cili për pak sa nuk shënon në fundin e pjesës së parë. Ze Maria surprizon me zgjedhjen e tij pasi nxjerr nga fusha Dajën dhe inkuadron në vendin e tij Hoxhallarin.  Kur gjithçka po i drejtohej fundit, Hoxhallari fiton me zgjuarsi një penallti e cila shndërrohet në gol nga Majkëll Ngoo.

Tirana shkon në dhomat e zhveshjes në epërsinë e një goli dhe e ka më të lehtë të administrojë lojën në pjesën e dytë. Me fillimin e fraksionit të dytë të lojës, bardheblutë shënojnë golin e sigurisë falë talentit premtues, Rei Qilimi. Ai përfitoi nga gabimi i mbrojtësave të Shkumbinit nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë. Një minutë më pas është sërish Qilimi i cili hedh një kros të rrezikshëm në zonë dhe për pak sa nuk përfundon në kuadrat. Në minutën e 57 vjen radha e futjes në lojë të 16 vjeçarit Muçi në vendin e Grecës. Autori i golit të parë, Majkëll Ngoo ka mundësinë  për të shënuar golin e dytë personal, por i vetëm përballë portierit nuk e mposht dot atë.

Goli i tretë i ndeshjes erdhi falë një ekzekutimi perfekt të Vrapit në hyrje të zonës. Me këto shifra përfundon ky takim dhe Tirana vazhdon rrugëtimin e sigurt drejt ngjitjes në Superligë. Pas ndeshjes trajneri i Tiranës, Ze Maria u shpreh i lumtur për paraqitjen  e skuadrës në këtë ndeshje dhe kërkoi përqendrim maksimal nga skuadra e tij në ndeshjet në vazhdim për të siguruar sa më parë ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar. Në kampin tjetër, trajneri i Shkumbinit, Sokol Branica u shpreh se Tirana e meritoi fitoren, por dhe ne duhet të ishim treguar më të saktë në mundësitë që krijuam. “Pjesa e parë ishte e mirë. Rënia erdhi për shkak të goli të dytë që erdhi si rrjedhoje e gabimit qesharak të portierit. Pastaj e prishëm gjithçka. Kishim edhe mungesa.

Patëm nja 2-3 mundësi në pjesën e parë por nuk i shfrytëzuam. Duhet të punojmë më tepër. Po nuk shënove nuk merr dot rezultat pozitiv. Gabuam në të dy fazat e lojës. Na mungonin 4 futbollistë që shpresoj të na rikthehen. Është gjë e madhe që një skuadre si Shkumbini t’i mungojnë 4 lojtarë. Gjykimi? Tirana nuk ka nevojë për ndihmën e gjyqtarëve. Ne jemi prej mishi dhe gjaku dhe nxehemi edhe ne.

Në disa raste gjyqtari mund të kishte vepruar edhe më mirë. Në qytetet e tjera është më e vështirë me gjyqtarët. Në disa ndërhyrje të rrezikshme mendoj se ishin për karton të kuq. Rezultati vjen me lojën, mjafton të mobilizohemi dhe të luftojmë. Mendoj se kemi pësuar disa humbje dhe kemi gabuar shumë brenda fushës. Do luftojmë për mbijetesë. Besoj që do ta kalojmë këtë krizë”, tha trajneri peqinas, Sokol Branica.

Të tjera

Abissnet