Tirana fituese e “Kupës së Shqipërisë”

Publikuar më 01. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Klevis Deda

Skuadra e Tiranës është fituese e “Kupës së Shqipërisë” për sezonin 2016-2017-të. Bardheblutë mposhtën në finale skuadrën e Skënderbeut me rezultatin e thellë 3-1. Për të vendosur fituesin e kësaj ndeshje u deshën plot 120 minuta lojë pasi koha e rregullt përfundoi me rezultatin 1-1. Vlen të theksohet se në këtë ndeshje ka ndodhur një episod i pakëndshëm ku tifozët e Tiranës janë larguar nga stadiumi në minutën e 24 aq sa titujt e fituar  në total nga skuadra në kampionatin shqiptar. Protesta e tifozëve ishte për presidentin Refik Halili. Ndeshje filloi me ritëm të lartë nga të dyja skuadrat. Skënderbeu është skuadra që rrezikon më shumë në minutat e para por që nuk arrin të rrezikojë sa duhet. Skuadra e Tiranës tregohet më e saktë para portës dhe në minutën e 20-të shënon me anë të sulmuesit Ede.

Sulmuesi shfrytëzoi një vendosje të gabuar të mbrojtjes së Skënderbeut dhe me një gjuajtje precize e dërgon topin në cepin e portës duke mos i dhënë asnjë shans portierit Shehi. Pas shënimit të golit Ede shkon te tifozët për të festuar por që çuditërisht ata nuk e mirëpresin në shenjë proteste ndaj rënies nga kategoria. Në minutën e 24 do të vinte dhe ndërprerja e ndeshjes pasi tifozët e Tiranës kanë hedhur tymuese duke e bërë të pamundur zhvillimin e lojës. Ata braktisin më pas shkallët e stadiumit në shenjë proteste ndaj presidentit të klubit, Refik Halili.

Pas rifillimit të takimit është Plaku ai që ka mundësinë për të shënuar golin e barazimit por portieri Lika pret qetësisht. Në fundin e ndeshjes ekzaktësisht në minutën e 40-të Skënderbeu është hedhur i tëri në sulm për të kërkuar golin e baraspeshës por që portieri Lika shndërrohet në hero duke shpëtuar portën disa herë. Gjyqtari kryesor akordon katër minuta shtesë për shkak të ndërprerjes së lojës por që nuk ndryshuan rezultatin. Në fillimin e të dytës është Skënderbeu ai i cili vendos Tiranën në gjysmëfushën e saj por pa arritur të gjejë hapësirat e duhura. Gjergji Muzaka rrezikon me njjë gjuajtje nga jashtë zone por topi përfundon jashtë kuadratit.

Në minutën e  63 vjen dhe zëvendësimi i parë i takimit. Për korçarët futet në lojë Idrizi në vend të Micit dhe në krahun tjetër Daja në vend të Likës. Pas zëvendësimit ka shumë faulle të cilët i ulin ritmin lojës.  Në minutën e 78-të Skënderbeu largon nga loja Latifin e Gavazaj dhe inkuadron Gripshin e Karimi. Goli i barazimit erdhi në minutën e 86-të me anë të një goditje dënimi të kroatit Radas. Në fundin e ndeshjes arbitri akordon 4 minuta shtesë por të cilat nuk ndryshuan shifrat e ndeshjes. Ndeshja spostohet për kohën shtesë dhe në pjesën e para të shtesës është skuadra  e Tiranës ajo që  mer frenat  e lojës.

Në minutën e 103 Moise shënon golin e dytë për Tiranën pas një krosimi të Merveil. Kaq mjafton për shtesën e parë dhe bardheblutë e mbyllin në avantazh. Pjesa e  dytë e ndeshjes nis me Skënderbeun në kërkim të golit të barazimit por ndodhi ajo që shumë pak e prisnin. Tirana rrëmben një penallti të cilën e merr përsipër Merveil duke shënuar për 3-1.

Në minutën e 115-të tifozët e Skënderbeut largohen nga stadiumi me kore kundër presidentit të FSHF-së Armand Duka. Kaq mjafton dhe Tirana është fituese e “Kupës së Shqipërisë” për herë të 16-të në histori më shumë se kushdo tjetër. Më pas vijon festa por jo me shumë entuziazëm pasi lojtarët nuk mund të përtypin rënien nga kategoria. Vlen të theksohet se trajneri i Tiranës, Mirel Josa nuk pranoi të marrë medaljen.