T’i ndalim në embrion metodat e reja korruptive

Publikuar më 17. 05. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Elis Kuçi

Korrupsioni si një sëmundje e vjetër e popullit shqiptar, ka filluar të sofistikohet, madje duke u kthyer në një veprim plotësisht të “ligjshëm”, në dukje. Që në fillim dua të shpreh bindjen time se jo të gjithë mjekët janë njëlloj, ka nga ata që duhet t’i japim tituj krenarie, por ka nga ata që i “pinë gjakun” edhe shtresave të pamundura. Sa për kujtesë të lexuesve, personalisht kam mbrojtur përmes shkrimeve mjekët kur i suleshin “opinionbërësit” për gabimet e tyre njerëzore. Por nuk mund të hesht, për fenomenin që do rrëfej më poshtë.

Meqenëse shumica e moshës së tretë rreth e rrotull vendbanimit tim, ende më njohin si gazetarë, kanë kohë që më kërkojnë ti orientoj për shqetësimin e tyre të përditshëm, për një lloj korrupsioni që po lulëzon së fundmi dhe së tepërmi në sistemin tonë shëndetësor. Pa përmendur emra, jo për frikë (por skam fakte reale vetëm indicie që mbeten për tu konfirmuar zyrtarisht nga organet kompetente). Si dhe për respektin e madh që duhet të gëzojë çdo njeri që bën biznes në këtë vend) kam konstatuar se për gjyshërit tanë shumë receta nga mjekët përmbajnë vetëm një ilaç (emrin s’po e bëj publik, pasi nuk është ky qëllimi i shkrimit, por fenomeni) tejet i kushtueshëm.

Për tu bindur në vërtetësinë e këtij informacioni (jo se nuk kisha besim tek rrudhat e jetës së tyre të ndershme, por për të qenë korrekt me lexuesin edhe me veten time) bëra një vrojtim sipërfaqësorë në dy farmaci. Pa kamera, regjistrues apo mjet gazetarie (se nuk ishte ky qëllimi) diskutova me farmacisten e parë, duke i treguar sa pasi ishte vizituar tek mjeku, gjyshes time i kanë rekomanduar ilaçin x sa kushton, edhe a ka rimbursim, të njëjtin diskutim bëra edhe tek farmacia e dytë.

Përgjigja që mora tek të dyja farmacitë ishte thuajse identike, kushton ca, ama të bën punë. Pas kësaj përgjigjeje, pyetja që më lindi natyrshëm ishte: “Po ilaç që ka të njëjtat efekte, markë tjetër apo prodhim të ndonjë shteti tjetër ka”, ka tha farmacistja, por mjeku e di më mirë që të ka rekomanduar këtë ilaç. Deri këtu s’ka ndonjë hata, madje as nuk do më shkonte ndërmend që të nxirrja ‘penën’ për ta bërë publike një padrejtësi (gjithmonë sipas mendimit tim). Me kaq pak unë mendova se i kisha gjetur një zgjidhje, me ti takuar në rrugë i kërkova të shkonin tek mjeku edhe për ti kërkuar ilaçe analoge, për shqetësimet që ndjenin.

Përgjigjet që të moshuarit kishin marrë nga mjekët ishin për faqe të zezë, (më të ardhur marre, thonë shkodranët), mjekët përveçse i kishin thënë se duhet kjo markë, për ta bërë sa më të domosdoshme dhe të besueshme, tek receta i shkruanin pleqve edhe efektet pozitivë që përmban ky ilaç, i cili futej në Shqipëri nga 2-3 depo farmaceutike (sigurisht në mënyrë të ligjshme). Këtu s’po më lidhej ekuacioni pasi në të kishte disa të panjohura, nuk kuptohej se ku flinte lepuri, se që binte erë përfitimesh, edhe një fëmijë në klasën e parë e kuptonte. Kontaktova me një mjeke të njohur, Ia parashtrova të gjithë situatën.

Mora në këmbim të gjithë skemën që ishte kthyer gati-gati në sistem. Mjafton një vështrim i thjeshtë e do kuptohet se shumë vetë marrin të njëjtin ilaç, i cili është i përgjithshëm, ka më pak efekt se një medikament specifik. Një shembull për dhimbje kockash jepej ilaçi “çudibërës”, por edhe kur kishe dhimbje muskujsh, sërish jepej me recetë i njëjti ilaç, “mrekullibërës”. Në një kohë që shumë mirë mund të jepen medikamente që janë prodhuar nga kompani të ndryshme, specifike për dhimbjen, sigurisht më të lira, dhe më e rëndësishmja me rimbursim.

Por rruga më e mirë për pacientët, (që për fat të keq disa, jo të gjithë mjekët i shohin si klientë, duke harruar betimin e Hipokratit) nuk është rrugë fitimprurëse për mjekët që bluzën e bardhë me shpejtësi po e bëjnë të zezë. Në Tiranë qarkullojnë, zëra dhe gojë të liga që thonë se shumë mjek, “paguhen” me pushime apo dieta, nga kompanitë farmaceutike nën kamuflimin se po shkojmë për konferenca. Me shpresën se këto janë vetëm thashetheme, urojmë që të moshuarve, edhe jo vetëm të marrin shërbimin që meritojnë.