A do t’i hiqet titulli Skënderbeut? Ja kur merret vendimi në CAS

Publikuar më 10. 01. 2018 nga Eno Shkëmbi

CAS ka vendosur që në 22 janar të marrë vendimin për çështjen e titullit 2015-2016 të Skënderbeut.

“RTSH Sport” shkruan se pas përgjigjes së marrë nga zyra për shtyp e Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, çështja ndërmjet Skënderbeut dhe FSHF-së, për titullin e hequr nga Komisioni i Etikës, do të merret në shqyrtim në datën 22 janar 2018.

Në qershor të 2017-s Komisioni i Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit mori vendimin që t’i hiqte Skënderbeut titullin e vitit 2015-2016. Kjo pasi skuadra korçare u ndëshkua nga UEFA me 1 vit mospjesmarrje në Kupat e Evropës pas dyshimeve për trukime ndeshjesh.

Megjithatë fjala e fundit i takon CAS-it, e cila është instanca e fundit që jep verdikte lidhur me çështjet sportive.