I theu hundën live gazetarit, arrestohet anëtari i klanit mafioz në Itali

Publikuar më 10. 11. 2017 nga Elidona Syla

Policia italiane ka arrestuar vëllain e një mafiozi të burgosur, i cili sulmoi dhunshëm një gazetar duke tronditur mbarë vendin.

Bëhet fjalë për Roberto Spada, i cili e goditi me kokë në fytyrë reporterin e “Rai”-t dhe i theu hundën, pastaj ndoqi edhe pjesën tjetër të ekipit televiziv, duke i kërcënuar me shkop. Përgjatë të gjithë incidentit të ndodhur në Ostia, kameramani vazhdoi të xhironte.

Akuzat që rëndojnë tani mbi Spadën janë ato të lëndimeve të rënda trupore me “metoda mafioze”. Vëllai i tij Carmine po kryen një dënim prej 10 vitesh heqje lirie, për grabitje dhe lidhje me mafian.

Gazetari Daniele Piervincenzi i ishte afruar të riut, ndërsa ky po hynte në palestër, me qëllimin t’i merrte një intervistë, por ai pas një bisede shumë të shkurtër u nxeh e kaloi në sulm.

Piervincenzi kërkonte të dinte nëse familja e tij kishte mbështetur “CasaPound”, një grup i djathtë ekstrem, kur Spada u lëshua mbi të. Edhe pse gazetari i thirri duke i thënë që i kishte thyer hundën, ai vazhdoi ta ndiqte e godiste me shkop.

“CasaPound” fitoi 9% të votave atje në zgjedhjet lokale të së dielës. Dy vite më parë, i gjithë Këshilli Bashkiak i Ostias u shpërbë, sepse ishte infiltruar tërësisht nga mafia.